Pikat e përbashkëta të fjalimit të Ramës në KiE dhe interesave të Serbisë!

Politika

Pikat e përbashkëta të fjalimit të Ramës në KiE dhe interesave të Serbisë!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 17 tetor 2022 Në ora: 22:38
Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq

Edhe njëherë për fjalimin e kryeministrit Rama në Këshillin e Europës. Ai fjalim është si thesi i miellit. Sa herë t'i biesh, aq më shumë pluhur mielli nga lloji serb lëshon! E tillë është fjala mbi një orëshe e Edi Ramës në Strasburg.

Në një TV ditën e djeshme thashë së "Kryeministri Rama, para se të nisej për në Strasburg, atë fjalim ia ka dhënë për ta lexuar presidentit të Serbisë, Vuçiq ". Logjika ta thotë se kjo ka ndodhur vërtet, sepse marrëdhënia midis tyre është unike. Nuk është parë kurrë që një politikan shqiptar të ketë harmoninë e marrëdhënieve Rama-Vuçiq! Nuk ka ndodhur kurrë që dy politikanë të kenë qëndrime të përbashkëta për gjithçka në politikë, siç ndodh me dyshen në fjalë. Ndërsa, po ta marrim e ta analizojmë sjelljen e zotit Rama me politikanët brenda e jashtë vendit, atëherë na rezulton se kudo e me këdo ai ndjek politikën e konfliktit! Por, jo me presidentin e Serbisë së sotme!

Kujt i intereson konfliktualiteti i Shqipërisë?

Edhe fjalimi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës ishte një orkestrim i përbashkët në funksion të interesave të Serbisë. Le t'i shohim dy prej tyre:

1. Konfliktualiteti i zotit Rama me deputetët e Asamblesë ishte i padobishëm për Shqipërinë dhe për Kosovën. Akuzat e atij fjalimi kundër Këshillit të Europës nuk zgjidhin asgjë. Përkundrazi, nxisin parlamentarët e këtij institucioni për antipati ndaj shqiptarëve. Kujt i intereson konfliktualiteti i Shqipërisë, përkatësisht i kryeministrit të saj, Edi Rama, me Europën? Përveçse armiqve të shqiptarëve dhe të Kosovës, askujt tjetër! I intereson pra Serbisë së Aleksandër Vuçiqit.

Serbia ka interes jetik në këto kohë që ta armiqësojë Kosovën me Këshillin e Europës. Sepse Kosova dy ditë më parë për herë të parë u duartrokit me ovacione në atë sallë! Sepse Saranda Bogujevci i dha vendit të saj shkëlqimin që meriton para Asamblesë! Sepse tani sapo është nis procesi i pranimit të Kosovës në Këshillin e Europës, organizatë politike kjo më e rëndësishmja pas Kombeve të Bashkuara! Prandaj duhej krijuar imazhi negativ për shqiptarët! Dhe protagonist i këtij imazhi të trishtë u bë kryeministri Edi Rama!

Kryeministri shqiptar, në vend që të lutej në mënyrë njerëzore, me argumente, për abrogimin e rezolutës së iniciuar nga raporti i Dick Marty-t, bëri të kundërtën. Foli me fjali urdhërore për Asamblenë Parlamentare të këtij Këshilli. Madje qortuese e akuzuese, si në asnjë rast e vend tjetër. Nuk kanë guxuar as diktatorë si Vladimir Putin, apo Lukashenko, që të përdorin një fjalor të tillë denigrues kundër kësaj Asambleje. E përdori Edi Rama. Pse? Sepse dëshironte t'i bënte shërbimin e radhës Beogradit. Me këtë akt Edi Rama, në vend që të joshte vendet anëtare të Këshillit të Europës që të angazhoheshin për pranimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare të rëndësishme, bëri të kundërtën. Tek disa nxiti indiferentizmin, tek të tjerë nxiti qëndrimet kundër Kosovës!

Sipas Ramës duhej rehabilituar Serbia

A nuk është kjo pjesë e skenarëve serbë? Pa asnjë dyshim që po. A e di Edi Rama se ky skenar dëmton Kosovën për llogari të interesave të Beogradit? Absolutisht që Rama e njeh këtë fakt. Pse ndërtoi një fjalim të tillë destruktiv? Sepse këtë ia kërkoi Aleksandër Vuçiqi!

2. Së dyti, po përmend diçka të elaboruar edhe më parë. Edi Rama u përpoq të fajësojë për raportin e Dick Marty jo vetëm autorin, por edhe Këshillin e Europës, Asamblenë e tij, deri te një ish-deputet rus të vitit 2014 në këtë asamble. Por, jo burimin kryesor të raportit Dick Marty, Serbinë, presidentin e saj dhe kryeprokurorin special për krime lufte në Serbi, të cilët fabrikuan, falsifikuan, intriguan dhe përgatitën akuza të rreme kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Edhe Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë ishte produkt i këtij presioni serb. Por, Rama nuk i përmendi asnjëherë këto fakte, i anashkaloi ato. Dhe pse ndodhi kjo?

Sepse duhej rehabilituar Serbia. Aktorët europianë që përfaqësojnë shtetet që e kanë njohur Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës duhej ta harronin rolin armiqësor të Serbisë dhe gjenocidin e saj kundër Kosovës edhe në këtë rast. Sepse në gjithçka e për çdo gjë duhet eliminuar mundësia për të riartikuluar krimet kundër njerëzimit të serbëve në Kosovë! Kësisoj gradualisht duhet shkuar drejt rehabilitimit të plotë të shtetit serb dhe presidentit të saj!

Këto janë dy elementet themelore, të cilat bashkojnë interesat serbe me fjalimin e turpshëm të kryeministrit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës më 12 tetor 2022 në Strasburg. Ai fjalim ishte produkt i një koordinimi të plotë midis Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiqit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat