21 vjet nga vrasja e Bekim Kastratit dhe Besim Dajakut - Policia e drejtësia në krahun e faqezinjve

Politika

21 vjet nga vrasja e Bekim Kastratit dhe Besim Dajakut - Policia e drejtësia në krahun e faqezinjve

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 19 tetor 2022 Në ora: 08:07
Bekim Kastrati dhe Besim Dajaku

Sot (19 tetor 2022) mbushen plot 21 vjet nga vrasja makabre e gazetarit të gazetës kombëtare “Bota sot”, Bekim Kastratit dhe truprojës së Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, Besim Dajakut.

19 tetori i vitit 2001 do të ishte fatal për gazetarin e gazetës kombëtare “Bota sot”, kolegun tonë Bekim Kastratin dhe truprojën e presidentit Ibrahim Rugova, Besim Dajakun.

Atyre u mbeti në gjysmë rruga për ta intervistuar njërin prej komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Hienat nuk ua kursyen jetët atyre, vetëm e vetëm për ta ndalur zbardhjen e së vërtetës, që guximshëm e pa iu trembur syri e shkruanin gazetarët e gazetës “Bota sot”.

Me Bekim e Besimin në veturë ndodhej edhe ish-deputeti i LDK-së Gani Geci, i cili mbeti i plagosur rëndë dhe kushëriri i tij Shaniu, i cili fatmirësisht shpëtoi pa plagë.

Kastrati e Dajaku humbën jetën në një pritë të mirë-organizuar ndaj tyre në Skenderaj.

Sipas deklarimeve, një prej arsyeve kryesore të vrasjes së Bekim Kastratit është se ai kishte shkruar disa artikuj në gazetën “Bota sot” dhe se Gani Geci kishte botuar librin “Lufta pa maska”.

Prokuroria e EULEX-it, do të konstatonte vite më parë se Agron Sylejmani dhe të tjerë të panjohur e kanë vrarë Bekim Kastratin, Besim Dajakun dhe kanë plagosur rëndë Gani Gecin.

Sylejmani është vrarë në vitin 2004 dhe me vrasjen e tij organet e drejtësisë e kanë konsideruar rastin të mbyllur, derisa të mos ketë të dhëna të tjera.

Fatkeqësisht nga vrasja e Agron Sylejmanit, përfituan organizatorët dhe urdhërdhënësit e vrasjes së Bekimit e Besimit, të cilët enden të lirë, pa vrarë mendjen se kanë lënë prindër pa fëmijë e fëmijë pa prindër.

Tash e 21 vjet drejtësia ka heshtur për këtë rast sikurse edhe për qindra vrasje të tjera që kanë ndodhur për motive politike në Kosovë.

Atentati ndaj Bekim Kastratit e Besim Dajakut vazhdon të jetë i pazbardhur tërësisht.

Nuk dihet se kush ishin urdhërdhënësit dhe sikurse edhe për shumë vrasje të tjera të pasluftës, drejtësia nuk po e thotë fjalën e saj. Për këtë temë kanë zgjedhur heshtjen edhe organizatat që mbrojnë të drejtat e gazetarëve në Kosovë.

Gjykata Speciale tashmë është funksionale dhe nëse jo konkretisht vrasjen e Bekimit e Besimit, ajo pritet ta zbardhë zinxhirin komandues të vrasjeve politike para, gjatë dhe pasluftës.

Zogaj: Është për keqardhje që në krahun e këtyre faqezinjve janë duke qëndruar institucionet vitale shtetërore

Image
Skender Zogaj

Publicisti Skender Zogaj duke folur lidhur me rastin e vrasjes së Bekim Kastratit e Besim Dajakut, ka thënë se fakti që as dy dekada pas vrasjes nuk po zbardhet e vërteta e vrasjeve, tregon gjënë më të shëmtuar që qëndron ndër ne: Se vrasësit janë këtu midis nesh.

“Vrasjet e një varg figurash të rëndësishme intelektuale e atdhetare pas luftës, janë dhembja e madhe kombëtare, sepse, fakti që as dy dekada pas vrasjes nuk po zbardhet e vërteta e vrasjeve, tregon gjënë më të shëmtuar që qëndron ndër ne: se vrasësit janë këtu midis nesh, se janë shqiptarë, por me qëndrime antikombëtarë, njerëz të dobët dhe shërbëtor të armiqve, prandaj janë tradhtarë të zinj!”, ka thënë Zogaj për “Bota sot”.

Zogaj konsideron se është për keqardhje që në krahun e faqezinjve që kanë kryer vrasjet politike janë duke qëndruar institucionet vitale shtetërore.

“Është për keqardhje që në krahun e këtyre faqezinjve janë duke qëndruar institucionet vitale shtetërore, policia dhe drejtësia, të cilat po heshtin dhe me heshtjen e tyre po bëhen pjesë e kriminelëve, mbrojtës të tyre, në vend që të kryejnë misionin e tyre të shenjtë ndaj popullit dhe atdheut, që është kusht elementar i realizimit të ëndrrës shekullore që edhe ne shqiptarët të tregojmë se mund të vetëqeverisemi!”, është shprehur ai.

“Jemi të detyruar që shpresën ta drejtojmë kah specialja”

Ai thekson se Bekimi e Besimi nuk e kanë merituar plumbin, e aq më pak që vrasësit të shëtisin të lirë.

Zogaj thotë se me dështimin e drejtësisë në Kosovë, për zbardhjen e vrasjeve politike jemi të detyruar të shpresojmë tek Gjykata speciale.

“Kjo nuk ka ndodh deri sot, sepse, Bekim e Besim Dajaku nuk e kanë merituar plumbin, e edhe më pak mbajtjen në terr të tyre, ndërsa duart e zeza të enden të lira. Unë personalisht do të dëshiroja që vrasjet e Bekimit, Besimit, Xhemës, kolonelit Krasniqi, Shaban Manajt, Ismet Racit, komandant Zemajt e Rexhajt, Sebahate Tolajt e të vëllezërve dhe motrave tona t'i kishte zbardhur drejtësia kosovare, e jo specialja, sepse kjo është tepër nënçmuese për shtetin e Kosovës. Mirëpo, derisa drejtësia kosovare është kaq e padenjë, atëherë jemi të detyruar që shpresën ta drejtojmë kah specialja. Nëse ne nuk duam, atëherë duan të tjerët, që për fat të mirë na detyrojnë që të mos guxojmë me kundërshtu!”, ka përfunduar ai.

Bajraj: Bekimi kishte gatishmëri vetëmohuese në përballje me ata që ishin të gatshëm të bënin plojë atdheun vetëm për pushtetin e tyre

Image
Fatmir Bajraj

Kurse, publicisti Fatmir Bajraj, thotë për gazetën “Bota sot” se familjet e viktimave të vrasjeve politike, shoqëria civile, mediat, opinioni publik, dhe vet institucionet e Republikës së Kosovës, duhet të kërkojnë nga Gjykata speciale zbardhjen e të gjitha vrasjeve politike dhe ndëshkimin e kriminelëve, e jo të sikur "disa" që po provojnë të kundërtën!

Ai rikujtoi se, atentati i organizuar dhe i realizuar i së premtes së zezë të 19 tetorit 2001, i mori jetën gazetarit të “Bota sot”, Bekim Kastratit dhe truprojës së Presidentit Rugova, ushtarit të lirisë, Besim Dajakut, ku mbeti i plagosur rëndë, edhe ushtari i orëve të para të luftës çlirimtare, bashkëluftëtari i Adem Jasharit, z. Gani Geci!

“Atentati ndaj gazetarit të “Bota sot”, Bekim Kastratit ishte i planifikuar, ngase ishte në listën e atyre, për të cilët ishte halë në sy dhe sipas tyre duhej të eliminohej, për "fajin" e vetëm; denoncimin e krimeve dhe autorët e tyre, për guximin intelektual, profesional dhe atdhetarë, për gatishmërinë vetëmohuese në përballje me ata, të cilët ishin të gatshëm të bënin plojë atdheun vetëm për pushtetin e tyre.

Vrasja e Bekimit, ishte n ‘vazhdën e vrasjeve puro-politike, ishte atentat ndaj lirisë së fjalës dhe vlerave të demokracisë & demokratizimit të vendit, postulate këto për të cilat Bekimi ishte i gatshëm të sakrifikohej, si i ri dhe gazetar me guxim e vizion të qartë qytetarë e njerëzor”, shprehet ai.

Bajraj thekson se atentati ndaj Bekimit, pason atentatin kundër Ali Ukes, Shefki Popoves, Enver Malokut, Xhemajl Mustafës dhe i paraprinë atij kundër Bardhyl Ajetit, për t'i zënë frymën lirisë dhe vlerave unike të demokracisë liberale, euro-perëndimore, përfshi këtu lirinë e fjalës dhe shtypin e lirë, shembull i së cilit ishte dhe është, “Bota sot”.

“Hetimet për zbardhjen e vrasjeve politike, të para, gjatë dhe pas luftës, përfshi rastin e Bekim Kastratit e Besim Dajakut, të iniciuara nga UNMIK-u, dhe të vazhduara nga EULEXI-i, të vetmin "rezultat" kishin: "hetimet vazhdojnë"...!”, thotë Bajraj.

Gjykata Speciale, shansi i fundit dhe i vetëm për drejtësi!

Andaj sipas publicistit, shpresa e vetme për drejtësi, pra për zbardhjen e vrasjeve politike dhe ndëshkimin e autorëve të krimeve, përfshirë vrasjen e Bekim Kastratit, është drejtuar kah Gjykate speciale me seli në Hagë, edhe pse mandati i saj ligjor, përfshinë krimet e kryera nga 01 janar 1988-31 dhjetor 2000!

“Por, kjo nuk do të thotë se mund të mos trajtohen & hedhen apriori krimet e kryera edhe pas kësaj date, siç është rasti makabër i 19 tetorit 2001, kur mbeti i vrarë gazetari i “Bota sot”, Bekim Kastrati dhe Besim Dajaku, dhe mbeti i plagosur Gani Geci.

Meqë ky i fundit (Gani Geci), ka dhënë dëshminë e vet pran këtij tribunali, dhe është zotuar në vazhdimësi se do t'i shkoj deri në fund përpjekjes për zbardhjen e rastit kriminal deri në ndëshkimin e kriminelëve, të cilët urdhëruan dhe realizuan atentatin.

Gjykata Speciale, përkatësisht Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, tanimë kanë dëshmitë dhe juridiksionin mbi krimet e kryera, përfshi atentatin ndaj Bekimit, sikurse, kanë të gjithë infrastrukturën dhe suportin e bashkësisë ndërkombëtare, që të sjellin drejtësi për viktimat dhe familjarët e tyre në ankth, tani e dy dekada”, nënvizon ai.

Bajraj: Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale (NPK) po gjykohet në Hagë për krimet e supozuara dhe vrasjet e kundërshtarëve politik

Bajraj rikujton edhe deklaratën nga SHBA-të se Gjykata speciale, është mundësi për spastrimin e luftës së UÇK-së"!

“Tani prapa grillave, dhe në pritje të fillimit të procesit gjyqësor edhe për vrasjet politike, përfshi atentatin e 19 tetorit 2001, gjendet Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale (NPK), gjithnjë sipas Prokurorisë së Tribunalit, në përbërje; Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, që të gjithë anëtarë të SHP të UÇK-së, përkatësisht të "Shtabit të Rognerit" me seli në Tiranë.

Janë këta të akuzuarit e Tribunalit, për krimet e supozuara dhe vrasjet e kundërshtarëve politik, përfshi gazetarët e lartpërmendur dhe Bekim Kastratin e “Bota sot”!

Kadri Veseli: “Vrasjet enigmatike, do t'i zbulojmë pas 70 viteve”!

Tani janë aty, në vendin e duhur, në një tribunal me renome dhe me juridiksion të shtetit të Kosovës, dhe kanë mundësinë dhe detyrimin, të mos presin 70 vite, por të zbardhin vrasjet politike të kryera me urdhër & skenar të tyre, që do ishte satisfaksion për familjarët e viktimave, përfshi familjen e Bekim Kastratit.

Prapa grilave në Gjykatën Speciale, janë krerët e vetëshpallur të SHP të UÇK-së dhe kreu i SHIK-ut, z. Kadri Veseli, i cili premtonte me pompozitet ekskluziv në Parlamentin e Kosovës dhe në cilësinë e Kryeparlamentarit: "Do t'u ngopim SHIK"!”, potencon ai.

Zgjerimi i mandatit të speciales

Bajraj thekson se institucionet e Republikës së Kosovës, përfshi këtu Parlamentin dhe Qeverinë, duhet të insistojnë me këmbëngulësi ndaj Gjykatës speciale që të përfshijë në mandatin e saj, edhe trajtimin dhe gjykimin e krimeve të pas 31 dhjetorit 2000, me gatishmërinë e Legjislativit për vazhdimin e afatit kohor me Ligj të posaçëm që do të legjitimonte e legalizonte kohë-zgjatjen.

“Institucionet e shtetit, duhet të mbështesin dhe mbulojnë shpenzimet e familjeve të viktimave dhe avokatëve, të angazhuar në kërkesën për zbardhjen e vrasjeve dhe ndëshkimin e autorëve të krimeve, sikurse ka marrë përsipër shpenzimet për avokatët në mbrojtjen e të akuzuarve.

Tani më, s'ka shqiptarë me vetëm dy fije mend në krye, por që edhe mendon shqip, e nuk është i bindur se prapa urdhrit për vrasjen e gazetarit të “Bota sot”, Bekim Kastratit, dhe të gjitha vrasjeve politike të Kosovës, qëndron NPK e cila gjendet në Hagë dhe duhet të përgjigjët për krimet e kryera, dhe të marrë dënimin e merituar!

Deri atëherë, fati i atdheut mbahet peng, familjarët e viktimave jetojnë në ankth, dhe të atentatuarit s'mund të prehen të qetë në tokën dhe atdheun e tyre për të cilin ranë fli!

I paharruar kujtimi për gazetarin-martir, Bekim Kastrati, lavdi veprës së Tij jetësore n‘shërbim të atdheut!”, përfundoi ai.

Atentati ndaj Bekim Kastratit e Besim Dajakut vazhdon të jetë i pazbardhur tërësisht, pasi nuk dihet se kush ishin urdhërdhënësit. Sikurse edhe për shumë vrasje të tjera të pasluftës, drejtësia nuk po e thotë fjalën e saj. Nuk flasin as organizatat që mbrojnë të drejtat e gazetarëve në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat