Plani i Vuçiqit në veri/ Ndizet alarmi për Kosovën – ja çka mund të ndodhë pas 31 tetorit

Politika

Plani i Vuçiqit në veri/ Ndizet alarmi për Kosovën – ja çka mund të ndodhë pas 31 tetorit

P.Rudi Nga P.Rudi Më 19 tetor 2022 Në ora: 14:02
Borrell, Kurti dhe Lajçak

Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, në një intervistë ekskluzive dhënë së fundi për “Bota sot”, nuk ka përjashtuar mundësinë e një lufte në Kosovë, pasi siç ka thënë ai, Rusia tani më shumë se kurrë është e interesuar për destabilizimin e situatës në Kosovë.

"Mendoj se Rusia tanimë më shumë se kurrë është e interesuar për destabilizimin e situatës në Kosovë. Kjo do ta zhvendoste vëmendjen në një konflikt të ri, dhe Rusia do të vazhdonte të krijonte tmerre në Ukrainë. Për më tepër, Serbia tani po sillet njësoj si Rusia. U befasova shumë kur Serbia njoftoi në verë se do të denazifikonte Ballkanin. Kjo është absolutisht e njëjta retorikë si në Rusi. Një për një. Kjo është një histori shumë e rrezikshme", ka thene Deputeti i Parlamentit të Ukrainës Oleksiy Goncharenko.

Po ashtu edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se rritja e tensioneve në Kosovë është e dukshme.

Rritja e tensioneve në Kosovë është e dukshme, jo vetëm në lidhje me çështjen e targave”.

Kurse Ministrja e Jashtme e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka deklaruar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq po përgatit agresion ushtarak ashtu sikurse Vladimir Putin.

Bashkësia ndërkombëtare është alarmuar se ideologjia e “botës serbe” në Ballkan mund të çojë në luftëra të reja. Vuçiqi po përgatit agresion ushtarak në Ballkan ashtu sikurse Putini”, deklaroi Ministrja Gërvalla.

E sipas profesor, doktor Enver Bytyçit, tashmë edhe Stoltenberg dhe Goncharenko po vërtetojnë paralajmërimet e presidentes, Vjosa Osmani dhe kryeministrit Kurti, të cilët kanë alarmuar se Serbia po përgatitet për luftë.

Image
Enver Bytyçi

Ka njerëz që e kanë kritikuar kryeministrin Kurti dhe presidenten Osmani, pse këta në raste të caktuara paralajmërojnë se Serbia përgatitet për luftë e konflikt në Kosovë. Opozita madje ka thënë se "Kryeministri është i fundit ai që mund të flasë për luftën", duke nënkuptuar që "të mos shkaktohet panik te qytetarët"! Por kemi dy lloj përpjekjesh. Përpjekja e shqiptarëve pro-Ballkanit të Hapur, të cilët nuk pranojnë se Serbia është destruktive dhe mund të krijojë konflikt në Kosovë. Në këtë rast gjithçka shkon në drejtim të interesave serbe e të presidentit Vuçiq, i cili dëshiron të hiqet në opinionin perëndimor si "njeriu i paqes"! Dhe rasti kur Osmani, Kurti e të tjerë flasin për mundësinë e një konflikti, madje të një lufte të re në Ballkan, duke nisur me atë midis Serbisë dhe Kosovës”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas Bytyçit, Serbia synon që ta përdorë çështjen e targave që të nxit tensione dhe konflikt në Kosovë.

“Deputeti ukrainas është objektiv kur paralajmëron se presidentit rus i konvenon hapja e një fronti të dytë lufte në Ballkan përmes Rusisë së Vogël me emrin Serbi. Sigurisht që në këtë rast Rusia do të përdorte metoda shumë brutale në luftën e Ukrainës, sepse vëmendja e botës do të përqendrohej pikërisht në Ballkan. Ndërkaq Jens Stoltenberg thotë se "Rritja e tensioneve në Kosovë është e dukshme, sidomos në lidhje me çështjen e targave"! Pra, Serbia shfrytëzon alibinë e reciprocitetit të targave sipas vendimit të qeverisë së Kosovës, me qëllim që të krijojë tension e konflikt në veri të Kosovës. Ne kemi parë se si vetë presidenti i Serbisë u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të mos pranojnë ndërrimin e targave dhe pajisjen me ato zyrtare RKS. Thirrja e tij është respektuar nga ana e serbëve lokalë”, shprehet Bytyçi.

Siç thotë profesor Bytyçi, pas skadimit të afatit për targat, që është 31 tetori, Kosova do të gjendet përballë një situate të tensionuar.

Mirëpo afati i ndërrimit të targave dhe vendosjes së reciprocitetit po afrohet. Pas 31 tetorit, Kosova mund të gjendet në kushtet e një konflikti të tensionuar. A mund të ndodh që ky konflikt të kthehet në luftë, në konflikt të armatosur? Unë mendoj se jo. Derisa aty është KFOR-i, pra NATO, mund të konsiderohet i përjashtuar opsioni i luftës. Por çfarë mund të ndodhë? Mundet që të rishfaqen barrikadat! Mundet që Beogradi të shpallë themelimin e të ashtuquajturit Asociacion të Komunave Serbë në Kosovë, sipas kushtetutës serbe, duke i dhënë këtij Asociacioni kompetencat p.sh të Vojvodinës autonome! Mundet edhe që të ndizet një konflikt i vogël i armatosur, i konsideruar si "luftë civile" e brendshme! Megjithatë duhet besuar se serbët e Kosovës nuk bien në këtë kurth të Aleksandër Vuçiq. Mesa kam ndjekur situatën, janë jo pak serbë, të cilët fajësojnë politikën e Beogradit e disa të të dy kryeqyteteve për këtë situatë të tensionuar!”, shpjegon profesor Bytyçi për “Bota sot”.

Më tej, Bytyçi thekson se orientimi pro-rus i Serbisë krijon kushte për konflikt e luftë në rajon.

“Ajo që thotë deputeti ukrainas për "denazifikimin" e rajonit është një opsion i Rusisë në Serbi. Në Beograd qeverinë e zotit Kurti e emërtojnë shpesh si qeveri naziste. Dhe denazifikimi synon rrëzimin e qeverisë aktuale nga pushteti. Opozita e Kosovës dhe mazhoranca e Shqipërisë më shumë përkrahin në këtë aksion Beogradin, sesa përpiqen të mbrojnë qeverinë legjitime të Kosovës. Interesat okulte personale dhe të pushtetit shpesh herë bëjnë që të fraksione të caktuara politike shqiptare të bashkohen me armikun shekullor tonin, Serbinë.

Përveç Kosovës, Bytyçi thotë konflikt të armatosur mund të këtë pothuajse në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, pasi Serbia zhvillon armiqësore edhe me vende të tjera.

Konflikti është i mundshëm të zhvillohet kudo në Ballkan, sepse Serbia ka një sjellje armiqësore edhe me vende të tjera, Bosnjë-Hercegovinën e Malin e Zi për shembull. Por edhe me Kroacinë. Megjithatë fitili është i ndezur gjithnjë në Kosovë, në veriun e saj. Nëse ndodh një konflikt në këtë rajon, kjo Rusisë do t'i shërbejë për ta përhapur edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Por Serbia do të kishte interes që këtë konflikt në veri të Kosovës ta përdorte si kasus për ndarjen e Kosovës”, shprehet Bytyçi.

Në këto kushte do të duhet që qeveria dhe institucionet e Kosovës të veprojnë me vendosmëri në zbatimin e vendimeve, ligjeve, kushtetutës e marrëveshjeve me Serbinë, e njëkohësisht me maturi. Maturia është e domosdoshme që të maturojë veprimet. Të mos ketë nguti. Të eliminohen pengesat pjesë - pjesë dhe jo me aksion. Pra t'i shërbehet qëllimit për të rivendosur sovranitetin e plotë në çdo m2 të territorit. Por jo të kalohet në arrogancë e arbitraritet. Arroganca mund të përdoret si alibi e konfliktit”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat