Rreziku nga policët serbë të dorëhequr, e armatimi i civilëve, çka do të ndodhë në veri?

Politika

Rreziku nga policët serbë të dorëhequr, e armatimi i civilëve, çka do të ndodhë në veri?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 12 nëntor 2022 Në ora: 14:02
Policia e Kosovës në veri

Dorëheqjet në veriun e Kosovës tashmë kanë lënë një situatë të paqartë atje dhe secila ditë e kaluar pritet me shqetësim se mos ndodhin tensione për ta destabilizuar vendin.

Tashmë qarkullojnë edhe informata se civilët serbë në veri janë duke u armatosur nga Serbia dhe bëhen lutje që një armatosje e tillë t’u bëhet edhe shqiptarëve.

Policia e Kosovës nuk ka dhënë përgjigje sa i përket kësaj çështje, ndërsa analistët politikë thonë që nga serbët mund të pritet gjithçka.

Tashmë kanë kaluar pesë ditë që nga dorëheqja e 578 policëve serbë në veri të Mitrovicës. Sipas Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nga gjithsej 578 policë të dorëhequr, 461 nga Policia e Rendit Publik, 107 nga Policia Kufitare dhe 10 nga hetimet.

Numri i lartë i policëve serbë që kanë braktisur Policinë e Kosovës, shton rrezikun që ata të armatosen dhe të shkaktojnë incidente në veri.

Tërnava: Situata e tanishme mund edhe të eskalojë, por faktori ndërkombëtar është duke e monitoruar situatën

Image
Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, thotë se situata e krijuar në pjesën veriore tashmë do të varet nga dy shtetet dhe ndikimet e ndërkombëtarëve.

Sipas Tërnavës, situata mund të eskalojë, por faktori ndërkombëtar është duke e monitoruar situatën.

“Situata e krijuar në pjesët e veriut ku është e banuar me popullatë të shumicës serbe, e kur në ato pjesë të veriut shumica e policisë ishin serbë dhe në këto rrethana politike të krijuara, me braktisjen e Policisë së Kosovës, varet nga rrethanat sesi do të zhvillohen politikat si brenda dy shteteve Kosovë- Serbi, por edhe nga ndikimet e ndërkombëtarëve në politikat e këtyre dy shteteve që priten të zhvillohen ditëve në vijim që mos të vie deri te keqësimi i situatës politike e që mund të shndërrohet në konflikt luftarak mes këtyre dy shteteve. Situata e tanishme mund edhe të eskalojë, por faktori ndërkombëtar është duke e monitoruar situatën, e kur dihet se sigurinë e sovranitetit të Kosovës e garanton KFOR-i si pjesë e NATO-së që është”, pohon Tërnava për “Bota sot”.

Duke folur rreth mundësisë së armatosjes së policëve serbë të dorëhequr dhe shkaktimit të tensioneve në veri, Tërnava thotë se nëse përgatiten për këtë do të ballafaqohen me luftë me policinë shqiptare apo ndërkombëtare në ato pjesë.

“Policia serbe që e braktisi Policinë e Kosovës, tani do të ballafaqohen me atë se a do të kthehen në punët e tyre të policisë, apo duhet të vazhdojnë jetët e tyre duke kërkuar të punojnë në profesione tjera, qoftë në Kosovë, apo në shtetet ku shumica e të rinjve po migrojnë për një jetë më të mirë. Nëse policët serbë që deri dje ishin në profesione të policëve dhe tani përgatiten duke u armatosur për të shkaktuar incidente në veri, do të ballafaqoheshin me luftë me policinë shqiptare apo ndërkombëtare në ato pjesë, sepse ato vende të policëve tani po plotësohen me policë shqiptarë apo me policë ndërkombëtar si ata të EULEX”, thekson Tërnava.

Do të ballafaqohen me burgosje dhe heqje të lirisë, nëse policët serbë armatosen për të shkaktuar incidente në veri, thotë Tërnava.

“Prandaj, policia serbe që e ka braktisur policinë e Kosovës e dinë mirë këtë realitet, prandaj është e pakuptimtë që ata të armatosen dhe të shkaktojnë incidente në veri. Nëse veç do të vepronin këtë, atëherë duhet që ata do të ballafaqohen me burgosje dhe heqje të lirisë dhe nëse duhet dikush të luajë rol të shkaktimeve të incidenteve, ka serbë tjerë problematik e që janë të njohur nga policia për ta luajtur atë rol. Domethënë, nëse marrin detyra që t’i luajnë ato role, edhe mund t’i zbatojnë ato detyrat nga të mëdhenjtë e shtetit të tyre, por për ata që angazhohen në ato role të shkaktimeve të incidenteve në veri, kthimi në policinë e Kosovës do të ishte i pamundur në të ardhmen”, përfundon Tërnava.

Mehmeti: Në rast se do të ketë trazira ish policët serbë do të jenë në krye të tyre

Image
Analisti politik Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti thotë se serbët nëse marrin urdhër nga Vuçiqi për të sulmuar e bëjnë.

Sipas Mehmetit, serbët janë të gatshëm për çdo gjë dhe personalit mendon që do të ketë trazira.

“Mos të harrojmë se ata janë serbë, udhëhiqen nga mendësia primitive e urrejtes. Janë edhe në ndikim të Vuciqit, të bandave serbe në Veri, nëse marrin urdhër për të sulmuar institucionet, polici dhe çdo gjë të Kosovës e bëjnë. Pra, janë të gatshëm për çdo gjë, nuk është befasi çdo gjë që mund të bëjnë. Personalisht besoj se në rast se do të ketë trazira ish policët serbë do të jenë në krye të tyre”, shprehet Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat