Analisti politik “zbulon” prapavijën e protestës së opozitës, ky ishte mesazhi i tyre

Politika

Analisti politik “zbulon” prapavijën e protestës së opozitës, ky ishte mesazhi i tyre

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 12 nëntor 2022 Në ora: 21:50
Protesta në Shqipëri. 12 nëntor 2022

Me flamuj të Shqipërisë, Shteteve të Bashkuara, dhe Mbretërisë së Bashkuar si dhe pankarta të ndryshme si: “Rama është brand…në korrupsion”, mijëra qytetarë janë mbledhur ditën e shtunë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të protestuar kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Protesta e thirrur nga dy parti opozitare shqiptare, fillimisht u grumbulluan para të Partisë Demokratike (PD) dhe Partisë së Lirisë (PL) të PD-së, për të marshuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” drejt Kryeministrisë.

Kreu i PD-së, Sali Berisha, gjatë fjalimit para protestuesve, akuzoi kryeministrin Rama për korrupsion dhe zhytje të vendit në varfëri.

Ai u bëri thirrje ndërkombëtarëve të mos e mbështesin kreun e Qeverisë shqiptare.

Në fund të fjalës së tij, protestuesve iu kërkua të ndiznin qirinj për ata që i cilësuan viktima të pushtetit. Konkretisht për Ardit Gjoklajn, adoleshenti që humbi jetën më 2016 në deponimin e mbeturinave në Sharrë të Tiranës si dhe Klodian Rashën, i cili u vra nga një punonjës policie pasi theu orën policore gjatë pandemisë së koronavirusit më 2020, dhe Lear Kurtin i cili mbeti o vdekur në rrethana të paqarta gjatë shoqërimit të tij në polici muajin tetor.

Fillimisht protestuesit nuk u lejuan nga policia të ngjiten në shkallët e Kryeministrisë për të ndezur qirinj, por më pas arritën të thyenin kordonin e policisë, dhe kjo u shoqërua me disa momente tensioni.

Analisti politik, Ilir Vata, ka thënë për “Bota sot”, se protesta e opozitës ishte më tepër për të treguar mesazh force e mbështetje, sesa të përcillte problemet e qytetarëve.

“Protesta e opozitës për t’i shpëtuar drejtësisë, Berisha-Meta. Protesta e opozitës ishte e paralajmëruar që pas mbarimit të protestës së 7 korrikut, dhe u desh një pritje e gjatë, që të rikthehej opozita në një protestë paqësore. Zgjatja e afati, ishte pasiguria për të mbledhur mbështetës, deri sa sot mbërritën në finalizimin e një protestë të përafërt në numra më atë të verës, pra të korrikut ose të quajtur 7x7. Në fakt, protesta më shumë përcolli mesazhin se Berisha dhe Meta kanë mbështetje, sesa mesazhi, që duhet të përcillte te qeveria për problemet e qytetarëve. Pra në thelb, ishte demonstrim force, i opozitës, jo ndaj qeverisë, por ndaj drejtësisë dhe faktorit ndërkombëtar, gjë të cilën i citoi edhe lideri i PD-së Berisha”, ka deklaruar Vata.Protesta ishte jo kundër Amerikës, sipas Vatës, por një demonstrim mbështetje për të bindur ata që sjellë destabilizim në rajon.

Image
Analisti politik, Ilir Vata

“Aktualisht, Berisha ka probleme me Gjykatën e Apelit për vulën dhe seanca prite me 6 dhjetor, pra ishte një presion ndaj gjykatës. Presioni tjetër është ndaj drejtësisë, SPAK sepse familjarë të tij janë nën hetim, madje edhe vetë Berisha, pas kërkesës së përsëritur nga SHBA. E mbi të gjitha Berisha u kërkojë sot nga protesta ndërkombëtarëve të mos mbështesin kryeministri Edi Rama, gjë që tregon se ai është i pa sigurt në marrëdhënien me partnerët ndërkombëtarë pas shënjestrimit nga DASH si non grata, dhe i akuzuar për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë. Pra protesta ishte jo kundër Amerikës tamam, por një demonstrim mbështetje për të bindur ata që sjellë destabilizim në rajon. Kjo është arma që po lufton Berisha, duke pasur dhe akuzat e vjetra se ai ka pas lidhje me UDB, dhe Rusinë si ish funksionar i Partisë së Punës në kohë të diktaturës”, ka pohuar Vata.

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, para protestës tha për mediat se Qeveria nuk duhet të guxojë të provokojë qytetarët në këtë protestë.

“Kjo është pranverë demokratike që nuk ndalon. Protesta dhe zgjedhje. E vetmja rrugë është largimi i Edi Ramës", tha Meta.

Ndërkaq, para të protestuesve, Meta akuzoi Qeverinë shqiptare se ka në agjendë "vjedhjen, shkombëtarizimin dhe shpopullimin".

Duke parë në aspektin politik, sipas Vatës, Berisha nuk kërkon pushtet, por ajo çka i intereson është t’i shpëtojë drejtësisë dhe të heq damkën e vendosur nga SHBA dhe Britania e Madhe.

“Parë në aspektin politikë, Berisha nuk kërkon pushte, sepse do i duhet shumë kohë për të zgjidhur problemet me vetë PD, pasi rrezikon të humb vulën dhe logon, por ajo që i intereson është t’i shpëtojë drejtësisë dhe të heq damkën e vendosur nga SHBA dhe Britania e Madhe. Por ai, po shfrytëzon çdo hapësirë për të bindur ndërkombëtarët që është faktor, pse jo i destabilitet, pra një farë sulmi në heshtje, duke parë situatë e trazuar në Evropë dhe rajon. Pra çelësi i Berishës është të shfrytëzojë rastin e Luftës në Ukrainë dhe rrezikun e tensionit në rajon, dhe jo pa qëllim u zgjat protesta që të përkonte pikërisht në rritjen e tensionit në Kosovë nga ana e Serbisë. Parë në këtë drejtim, Berisha kërkon të lëkund stabilitetin e Shqipërisë, që është një vend anëtare i NATO-s për të përcjell mesazhet e tij, por që është me rrezik të madh”, ka theksuar Vata.

Tutje, ai ka thënë se protesta ishte paqësore, gjersa ka shtuar se aleati i tij Meta gjithashtu para drejtësisë.

“Protesta ishte paqësore, jo se ai dëshiron, por trembet se e çon vetë përballë drejtësisë, para se ai ta mendonte, dhe thjeshtë, mblodhi mbështetës që të demonstrojë thjeshtë mbështetjen para drejtësisë në Shqipëri dhe SHBA e ndërkombëtareve. Edhe aleati i tij, Meta është i ekspozuar para drejtësisë, madje ka disa kallëzime penale në SPAK, dhe kërkon rrugën e shpëtimit duke bashkuar forcat me Berishën. Pra janë dy politikanë të vjetër që rrezikojnë të dalin nga politika sepse janë shënjestruar edhe nga ligji i hapjeve të dosjeve të ish-spiunëve të Sigurimit të Shteti, dhe dy nismat ligjore për dekriminalizimin, dhe ligjin e partive politike ata nuk do mundet të hyjnë në parlament”, ka shtuar Vata.

Kjo është protesta e dytë kombëtare e thirrur nga kreu i PD-së, Sali Berisha, pas asaj që u zhvillua më 7 korrik.

Ndryshe, opozita ka parlajmëruar edhe protesta tjera.

Sipas Vatës, mund të përsëriten disa herë dhe me gjasë mund të ketë një protestë në dhjetor.

“Kjo i bënë ato të pandalshëm, pra në lidhje me pyetjen se a do të ketë sërish protesta, ata me sforco do të përsërisin sa herë të munden, pra mund të ketë edhe një protestë në dhjetor, sepse është koha që i mbaron mandati drejtuesit të SPAK, dhe tremben nga rrotacioni. Pra beteja e tyre është pa kthim, janë gati ta djegin Shqipërinë, dhe t’i vënë flakën rajonit që të shpëtojnë nga drejtësia, dhe në këtë kuptim, beteja e tyre nuk do të zgjas gjatë, herët apo vonë do japin llogari. Aktualisht, opozita në Shqipëri është në gjendje të mjeruar, pikërisht sepse është kapur nga politikanë që vijnë nga e shkuara dhe do të duhet dhe ca kohë që të ringrihet opozita. Pra në aspektin politik e djathta nuk funksionon, Berisha e ka shkatërruar përfundimisht, tani po përpiqet ta varros, ashtu siç e porosit diktatori i fundit komunist Ramiz Alia që e caktojë të drejtojë Partinë Demokratike”, ka përfunduar Vata.

Rama nuk ishte në Shqipëri në kohën e mbajtjes së protestës, pasi ka marrë pjesë në Forumin e Paqes të mbajtur në Paris të Francës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat