Daçiqi kërcënoi me luftë! Prapaskenat e zhvillimeve në veri/ “T’ia tregojmë Serbisë forcën e 15 milionë shqiptarëve”

Politika

Daçiqi kërcënoi me luftë! Prapaskenat e zhvillimeve në veri/ “T’ia tregojmë Serbisë forcën e 15 milionë shqiptarëve”

Arife Morina Nga Arife Morina Më 13 nëntor 2022 Në ora: 11:50
Foto ilustrim

“Asnjëherë nuk ka pasur policë shqiptarë në veri të Kosovës dhe nëse kjo ndodh, serbët do të rezistojnë dhe askush nuk mund t’i ndalë”.

Kështu u shpreh ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç në një intervistë për Euroneës Serbia.

Nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dërgon policinë në veri, mund të ketë konflikte të armatosura dhe këtë e dinë të gjithë”, theksoi ai.

Këto kërcënime, ministri serb i bëri pas situatës së krijuar në veri të vendit dhe tërheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës.

Këto zhvillime, erdhën si rezultat i vendimi të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale serbe.

Siç duket, Daçiqit dhe shumicës së serbëve po u pengon vendosmëria e Qeverisë së Kosovës, pasi në të kaluarën shumë më lehtë i arrinin kompromiset.

Shala: Deklarimet nga krerët institucional tregon edhe njëherë që Serbia nuk ka ndryshuar retorikën luftënxitëse

E këtë deklaratë kërcënuese të Daçiqit e komentoi eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Image
Drizan Shala

Fillimisht, ai paralajmëroi një përshkallëzim të mundshëm të situatës në veri të vendit.

“Në lidhje me situatën në përgjithësi mund të themi që ka potencial për përshkallzim në rast që Qeveria e Kosovës e nuk dëgjon partnerin e saj strategjik SHBA-në sa i përket kërkesës për targa dhe afatit për shtyrje të tit deri në përmbyllje të situatës politike në mes të Kosovës dhe Serbisë- marrëveshjes finale sipas planit franko/gjerman”, deklaroi eksperti.

Sipas Shalës, deklaratat e krerëve serbë janë luftënxitëse, e që kanë për qëllim shantazhimin e faktorit ndërkombëtar evropian.

“Deklarimet nga krerët institucional tregon edhe njëherë që Serbia nuk ka ndryshuar sa i përket retorikës së tyre për luftë nxitje. Por, kryesisht këto deklarime janë aty për t’i bërë shantazh faktorit ndërkombëtar evropian në rast që nuk shkon gjithçka sipas dëshirës dhe pritshmërisë së tyre”, theksoi ai.

Ndër të tjera, eksperti i sigurisë përmendi ‘udhëkryqin’ në të cilin gjendet për momentin shteti serb.

“Kosova nuk duhet fare të merret me deklarimet që vijnë nga Serbia, por është e domosdoshme të rrit partneritetin më miqtë tanë në çdo sferë të mundshme duke na garantuar që bashkëpunimi si dy partnerë në raport njëri me tjetrin është garanci për sigurinë dhe stabilitetin politik/sigurisë të Kosovës, por edhe që ka hapësirë me impakt rajonal

Serbia është në situatën që në njërën anë ka presion për t’i vënë sanksione Rusisë, në anën tjetër nuk dëshiron që t’i prish raportet me Rusinë si partnere të saj tradicionale”, përfundoi Drizan Shala për “Bota sot”.

Zogaj: Kosova aktualisht duhet të injorojë çdo lloj kërcënimi që vjen nga Serbia

Image
Skënder Zogaj

Ndërsa, analisti politik, Skënder Zogaj potencoi gjatë bashkëbisedimit me “Bota sot” se tradicionalisht shteti serb ka përdor gjuhë kërcënuese dhe propaganduese.

Ai vlerësoi se Daçiqi dhe Vuçiqi janë dy figurat e Millosheviçit, prandaj mënyra e sjelljes dhe kërcënimet e tyre janë çështje e ‘gjenetikës’ serbe.

“Serbia tradicionalisht është zhurmuese propagandistike e ankimeve dhe kërcënimeve sepse, nga kjo mënyrë, në të kaluarën historike ka arritur të dezinformojë publikun evropian dhe të përfitojë shumë! Kështu ka ndodhur deri te Millosheviqi, të cilit për fat të mirë iu shqy maska dhe doli në shesh etja gjakpirëse serbe, gjë që demokracia botërore e ndëshkoi dhe e gjunjëzoi. Daçiqi dhe Vuçiqi janë dy konet e Millosheviqit, prandaj mënyra e sjelljes dhe kërcënimet e tyre janë shprehi gjenetike”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Zogaj kërkoi që të përgatitet Kosova, sepse, nëse Serbia vërtetë e dëshiron luftën, është punë e saj, ndërsa e jona është që t'ia tregojmë forcën e 15 milionë shqiptarëve.

Mendoj se Kosova aktualisht duhet të injorojë çdo lloj kërcënimi që vjen nga Serbia, por të bëjë të pamundurën që të forcohet dhe të përgatitet që, në çdo lloj rrethane t’i tregoj Serbisë së shqiptarët janë të zotët e tokës së vet! Dhe jo vetëm kaq: gjithë shqiptarët e trojeve etnike duhet të vetëdijesohen dhe ta kuptojnë se janë humbësit më të mëdhenj të Evropës, sepse hiq më larg se më 1878 janë përzënë nga 800 vendbanime të pastra shqiptare të Toplicës!

Këtë nuk kemi nevojë ta themi, por duhet të përgatitemi, sepse, nëse Serbia vërtetë e dëshiron luftën, është punë e saj, ndërsa e jona është që t'ia tregojmë forcën e 15 milionë shqiptarë që sot enden nëpër meridianët e botës, e të cilët, jam i bindur se do të veprojnë si një, për komb e atdhe”, nënvizoi analisti.

Në fund, ai e cilësoi shtetin serb si një ‘qen’ të keq, që përpiqet të ‘kafshojë’ tinëz, e të gjithë këtë e bën nën ndikimin e Rusisë.

“Serbia është si qeni i keq, që leh shumë dhe përpiqet të kafshojë tinëz dhe prapa shpinës, sidomos në llavë lukunie dhe e bazuar tek të tjerët. Në rastin aktual Serbia është nën ndikimin e madh të Rusisë, mirëpo Rusia është në fillimin e fundit të vetshkatërrimit, plotësisht e pamundur që të guxojë me prek aty ku janë të instaluara forcat ndërkombëtare të NATO-s. Rusisë, Ukraina i ka mbet në fut dhe, shpresat serbe janë iluzion i vetmashtrimit”, përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat