“Në këto kohëra kur mund të ndodhë edhe lufta, është mirë që mund të mobilizohen të rinjtë”

Politika

“Në këto kohëra kur mund të ndodhë edhe lufta, është mirë që mund të mobilizohen të rinjtë”

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 13 nëntor 2022 Në ora: 17:23
Njësia Speciale e Kosovës

Kërcënimet e Serbisë për luftë ndaj Kosovës po shtohen. Kjo pasi Serbia duke shfrytëzuar si pretekst mosshtyrjen e vendimit për targat, i detyroi serbët kryesisht në veri, që t’i braktisin institucionet, përfshirë policinë dhe gjykatat.

Ky reagim i rriti rreziqet për pasiguri dhe dhunë. Ndërkohë, Serbia e ka vazhduar retorikën e kërcënimit, herë nëpërmjet ministrit të mbrojtjes, herë atij të jashtëm.

Kjo si duket ka nxitur Qeverinë e Kosovës, që të ndërmerrë disa hapa.

Kështu, javën që shkoi në Kuvendin e Kosovës janë miratuar tri ligje, që lidhen me FSK-në. Dy prej tyre kanë ndryshuar kushtet e pranimit, dhe ka rritur numrin që mund të ketë FSK, ushtarë aktiv dhe rezervë. Për herë të parë, të gjithë të rinjve u jepet mundësia për të aplikuar të gjithë ata që janë nën moshën 25 vjeçare.

Projektligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës rregullon kushtet e përgjithshme të shërbimit në FSK, e po ashtu përmes ndryshimit të kriterit të moshës së lejuar për aplikim, krijon mundësi më të mëdha për të gjithë ata të rinj deri në 25 vjeç të cilët duan të bëhen pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës, rregullon kompetencat, organizimin dhe funksionimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, fuqizimin e FSK-së përmes inicimit të programeve të veçanta financiare për mbështetje të forcës, fuqizimin e rolit të Shtabit të Përgjithshëm, e mbi të gjitha heqjen e kufizimeve sa i përket rekrutimit të pjesëtarëve aktiv dhe rezervë të FSK-së.

Për këtë ka reaguar edhe vet ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, i cili ka thënë se miratimi projektligjeve në Kuvend avancon fuqishëm bazat ligjore të organizimit dhe funksionimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Miratimi i këtyre ligjeve mundëson rishikimin e akteve në fuqi si dhe nxjerrjen akteve tjera, si rregulloreve dhe udhëzimeve administrative, për sistemin organizativ dhe funksional të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe sistemin organizativ dhe operacional të FSK-së.

Këto projektligje janë sukses i madh i gjithë Republikës së Kosovës sepse kemi avancuar bazën ligjore në përputhje me interesat tona shtetërore dhe standardet më të larta të legjislacionit të vendeve anëtare të NATO-s”, tha mes tjerash ai.

Derisa të premten e kaluar Ushtrisë së Kosovës i janë shtuar edhe 311 rekrutë të rinj që përbëjnë edhe grupin më të madh ndonjëherë.

A po ndodh kjo për shkak të kërcënimeve të Serbisë për luftë ndaj Kosovës?

Tërnava: FSK-ja dhe i tërë populli nëse ndodhë lufta duhet që të mobilizohen

Në lidhje me këtë çështje, eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava për “Bota sot” thotë se miratimi i ligjeve për FSK-në është i dobishëm sepse me kërcënimet që po i bëhen Kosovës, FSK-ja duhet ta rrisë numrin e pjesëtarëve si aktiv ashtu edhe rezervë, që të jenë të gatshëm për ndonjë eskalim të mundshëm të situatës.

Image
Hajrullah Tërnava

Përfaqësuesit e shtetit tonë ata të cilët janë të përzgjedhur nga elektorati sikur që është parlamenti i Kosovës, ata gjithnjë i përcjellin rrjedhat politike dhe janë në shërbim të popullit, prandaj gjithnjë çfarëdo të ndërmarrin për ndryshime të ligjeve apo miratim të ligjeve i bëjnë për të mirën e popullit, dhe për atë që është e nevojshme dhe që e kërkon koha, dhe për rrethanat në të cilat po jeton populli i ynë, e sidomos miratimi i dy ligjeve të miratuara në Kuvendin për FSK-në. Këto rrethana konfliktuoze që po i përjeton dhe po i imponohen Kosovës, në veri të saj, ku kufizohen katër komuna me shumicë serbe me Serbinë, po na imponohet situata që duhet ta rrisim numrin e pjesëtarëve të FSK-së, si ata aktiv njashtu edhe ata rezervë, sepse këtë vend të shtetit të Kosovës nëse ndodhë lufta, kufijtë e këtij shteti duhet t’i ruajë populli i Kosovës, pa u hamend fare, dhe duhet të jenë të gatshëm në çdo kohë tani t’i dalin atdheut në mbrojtje, edhe pse sigurinë dhe sovranitetin e Kosovës në këto kohëra, na e garanton KFOR si, pjesë përbërëse e NATO-s, por megjithatë edhe të rinjtë e këtij vendi si ushtar të FSK dhe i tërë populli nëse ndodhë lufta duhet që të mobilizohen, dhe t’i dalin përballë armikut dhe ta mbrojnë shtetin e tyre”, thotë ai.

Sipas tij, të gjithë e dimë se Serbia është armiku jonë i kamotshëm, andaj duke u nisur nga ajo se mund të ndodh gjithçka, ne duhet të jemi të përgatitur.

Në këto kohëra kur mund të ndodhë edhe lufta, është mirë që sipas mundësisë të mobilizohen të rinjtë e Kosovës, dhe të stërvitin si ushtar, që të jenë të gatshëm që nëse e kërkon koha të jenë të uniformuar dhe të stërvitur mirë, që në mënyrë permanente ti dalin në ndihmë atdheut të tyre. Situata e tillë me të cilën po ballafaqohemi, e kur e njohim armikun tonë të kamotshëm, gjithsesi se gjithçka mund të ndodhë si në të kaluarën kur serbët kanë kryer krime të shumta, e sidomos në vitet 1998-99 kur Serbia ka kryer krime të rënda dhe gjenocid ndaj popullit tonë, për të cilat krime janë të njoftuar edhe ndërkombëtarët, dhe për këtë shkak ndërkombëtarët në vitin 1999 në krye me NATO-n na ndihmuan që të çlirohemi, të cilëve kosovarët u janë përherë mirënjohës”, thekson eksperti.

Shala: Çështjet në veri të vendit ndërlidhen kryesisht me veprime policore dhe assesi me veprime ushtarake

Kurse, Drizan Shala, njohës i çështjeve të sigurisë, thotë se ky ndryshim kontribuon në rend të parë për funksionalitetin e institucionit dhe qëndrueshmërinë si dhe garanton në rend të parë sigurinë nacionale të vendit ku aplikohet.

Image
Drizan Shala

Çdo ndryshim dhe amendamentim i ligjeve ekzistuese, të cilat veprojnë në institucionet e vendit në Kosovë, është tregues që janë vërejtur mangësitë eventuale me ligjet e vjetra dhe ky ndryshim i kontribuon në rend të parë funksionalitetit të institucionit dhe qëndrueshmërisë si dhe garanton në rend të parë sigurinë nacionale të vendit ku aplikohet.

Çështjet në veri të vendit ndërlidhen kryesisht me veprime policore dhe assesi me veprime ushtarake apo të nevojës për të shtuar apo brengosur që do të involvohet ndonjë komponent ushtarak në atë pjesë derisa ekziston një protokoll i veprimit nga institucionet vendore dhe atyre ndërkombëtare që janë të thirrur për të ruajtur dhe ofruar sigurinë nacionale të vendit”, deklaron ai.

Ai deklaron se Kosova duhet të nisë një hartim të ligjit përmes të cilit të kemi mundësi të thirren qytetarët sipas specifikacioneve për të mbrojtur sigurinë e vendit.

FSK-ja është mirë që ta analizojë procesin e saj dhe që në afatin ndoshta më të shpejtë të mundur të fillojë ndryshimin më të shpejt të planit të saj 10 vjeçar duke përshpejtuar procesin e fazës së 2 me të tretën.

Kosova duhet që të fillojë hartimin e ligjit për mobilizim, i cili krijon mundësinë që në momentet kur ka rrezik potencial dhe cenim të sigurisë nacionale dhe që institucionet tona vihen në limite, të mendohet që përmes këtij ligji të kemi mundësi të thirren qytetarët sipas specifikacioneve për të mbrojtur sigurinë e vendit”, nënvizon Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat