E krahasoi Qeverinë me regjimin e Millosheviqit/ Vjen reagimi i ashpër: Për Molliqajn kriminelët e Radojçiqve janë më të vlefshëm se Republika e Kosovës

Politika

E krahasoi Qeverinë me regjimin e Millosheviqit/ Vjen reagimi i ashpër: Për Molliqajn kriminelët e Radojçiqve janë më të vlefshëm se Republika e Kosovës

M. Lakna Nga M. Lakna Më 13 nëntor 2022 Në ora: 20:16
Ilustrim/ Dardan Molliqaj, Albin Kurti

Dorëheqjet e njëpasnjëshme të punonjësve nga komuniteti serb nga institucionet shtetërore kanë shënuar një kthesë në kohën kur dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në prag të përfundimit.  

Serbët kanë dhënë dorëheqje duke gjetur si pretekst fillimin e zbatimit të vendimit për ri-regjistrimin e veturave me targa të kohës së Millosheviqit në ato të Republikës së Kosovës RKS. 

Partitë opozitare janë deklaruar kundër zbatimit të këtij vendimi dhe kanë bërë akuza nga më të ndryshmet kundrejt kryeministrit Kurti.  

Por, përtej këtyre akuzave ka shkuar kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj.  

Ditë më parë, ai ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të ketë kujdes që të mos rrëshqasë në pozicione fashiste kur merret me serbët e veriut. 

Image
Sulejman Mehazi

Molliqaj, ka thënë se ka ngjashmëri trajtimi i serbëve të veriut me trajtimin e shqiptarëve nga regjimi i Millosheviqit. 

 “Problemi në veri nuk mund të trajtohet me përdorimin e forcës dhe fuqisë. Mënyra si e kemi trajtuar problemin e veriut kohëve të fundit dhe serbëve në veri, unë mendoj se ka rrezik dhe ka nga pak ngjashmëri me qysh na ka trajtu neve Millosheviqi”, ka deklaruar Molliqaj.

“Duhet të kemi kujdes, sepse ka pak ngjashmëri”, ka shtuar ai. 

Profesori Sulejam Mehazi, në një prononcim për gazetën “Bota sot: ka thënë se kjo deklaratë e Molliqajt është antishqiptare. 

Sipas tij, kështu shprehet vetëm një person i cili është spiun i serbëve. Por, sipas tij, deri tek deklaratë Molliqaj ka ardhur për shkak të urrejtjes ndaj Albin Kurtit.  

“Me fjalët e pamatura të Dardan Molliqajt "se serbët në veri po trajtohen njësoj sikurse shqiptarët nën regjimin e Millosheviqit në vitet 90-ta", mori fund karriera e tij jo vetëm politike, por edhe jetësore e familjare, pasi është deklaratë kundër vetvetes e partisë së tij. Deklarata e Molliqajt është kaq antishqiptare e antikosovare sa që mund të krahasohet me armikun më të madh të historisë së politikës shqiptare, kështu shprehet  vetëm një person i cili është spiun i serbëve, ose i lindur tradhtar, ose urrejtja e madhe e Dardan Molliqajt ndaj ish-shokut dhe ish-partiakut të tij, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit  e ka bërë me diagnozë sëmundjesh patologjike të pashërueshme psikike”, është shprehur ai. 

Sipas profesorit, kjo deklaratë është skandaloze dhe ua kalon deklaratave armiqësore kundër Kosovës.  

“Molliqaj me këtë deklaratë skandaloze bëhet më Vuçiq se Vuçiqi, më serb se serbët kriminelë të Kosovës, për Molliqajn serbët kriminel të Radojçiqve janë më të vlefshëm se Republika e Kosovës. Kështu nuk është shprehur edhe Raman Morina, po as qytetarët serbë që jetojnë në veri. . 

Aq është deklaratë skandaloze dhe e madhe sa që ua kalon deklaratave armiqësore, nacionaliste e shoviniste serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës, është e paturpshme, e pamoralshme ndaj  familjes, politikës shtetërore të Kosovës. 

Dardan Molliqaj është shembull sesi nuk duhet të jenë politikanët shqiptarë”, ka përfunduar ai. 

Ndryshe, në sqarimin e tij lidhur me deklaratën, Molliqaj ka thënë se nuk ka paralele midis asnjërës qeveri të Kosovës dhe regjimit të Millosheviqit.

“Sigurisht se nuk ka paralele midis asnjërës Qeveri të Kosovës dhe regjimit të Millosheviqit. Në atë kohe ne kemi jetuar nën segregacion, kurse serbët në Kosovë kanë të drejta të patjetërsueshme, madje përtej demografisë. Ndjehem i detyruar të sqarohem për ata që nuk kanë arritur ta shohin emisionin tim në Pressing T7, dhe kanë marrë copëza të shkëputura”, ka thënë Molliqaj.

“Në emision e kam tërhequr vërejtjen rreth desubjektivizimit, pra depolitizimit të serbëve në diskursin publik të kryeministrit. Kur flitet për serbët e manipuluar ose për disa serbë të manipuluar, sikur harrohet që shumica dërmuese e serbëve kanë votuar dhe po e përcjellin Listën Serbe. Kur themi kështu, jemi shumë afër kërkesës për “serbin e ndershëm”, siç kërkohej dikur “shqiptari i ndershëm”, ka thënë Molliqaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat