“Po i kërkojnë Kurtit ta nënshkruaj ‘vetëvrasjen’ politike”/ Arsyet pse propozimi franko-gjerman është në favor të Kosovës

Politika

“Po i kërkojnë Kurtit ta nënshkruaj ‘vetëvrasjen’ politike”/ Arsyet pse propozimi franko-gjerman është në favor të Kosovës

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 14 nëntor 2022 Në ora: 08:02
Vjosa Osmani, Albin Kurti dhe Emmanuel Macron

Mediumi Euractiv, së fundi ka publikuar 9 pikat e planit franko-gjerman, i cili fokusohet në normalizimin e marrëdhënieve nga perspektiva e një të ardhmeje të përbashkët të BE-së, ku elementi më kritik është shkëmbimi i misioneve të përhershme, të ngjashme me ambasadat, por në një nivel më të ulët.

Sipas asaj që ka publikuar Euractiv, në planin franko-gjerman nuk figuron askund njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia.

Por pavarësisht kësaj, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se propozimi franko-gjerman për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë shërben si bazë e mirë për të vazhduar tutje.

E sipas profesor, doktor Enver Bytyçit, ky propozim demanton propozimin franko-gjerman, të cilin kohë më parë e publikoi Baton Haxhiu përmes mediumit të tij.

Image
Enver Bytyçi

Së fundmi është publikuar varianti real i një projekt-marrëveshjeje që Kosovës dhe Serbisë i kanë dhënë dyshja franko-gjermane. Ky variant demanton variantin e Baton Haxhiut thuajse në të gjitha nenet e veta. Nuk flitet as për pranim në OKB e organizatat e tjera ndërkombëtare, nuk ka dhe shumë pika të tjera, të cilat Batoni i pati lajmëruar në portalin e tij. Nuk ka specifikime që pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, ta njohin atë. Kjo provon se ai vazhdon të provokojë publikun shqiptar me regji të Beogradit dhe porosi të Edi Ramës”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, projekt-marrëveshja e publikuar me nëntë nene gjithsej, bën fjalë për një marrëveshje në parim midis dy palëve.

Kërkon p.sh që të dy vendet të respektojnë njëra-tjetrën në kufijtë ekzistues, që asnjëri vend (d.m.th. Serbia) të mos e përfaqësojë tjetrin në komunitetin ndërkombëtar. Aty thuhet se Kosova e Serbia të angazhohen për të mos krijuar situate konfliktuale dhe që ato të plotësojnë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel. Në fund, në nenin nëntë kërkohet që të dy vendet të angazhohen për ratifikimin dhe zbatimin e detyrueshëm të kësaj marrëveshjeje. Kaq është e gjitha. Megjithatë në vlerësimin tim projekti synon krijimin e një klime normale në marrëdhëniet Kosovë-Serbi”, shprehet Bytyçi, sipas të cilit, të gjitha nenet janë në favor të Kosovës.

“Të gjitha nenet janë në favor të Kosovës, përveç kërkesës për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të Brukselit, sepse në këto marrëveshje bën pjesë edhe Asociacioni. Po të mos ishte çështja e Asociacionit, atëherë do të thoja se pala e Kosovës duhet thjesht të kërkojë njohjen, për të penguar ndryshimin e kësaj marrëveshjeje, por jo të mos e nënshkruajë atë”, nënvizon profesor Bytyçi.

Më tej, ai thotë se projekti franko-gjerman është një hap i madh si marrëveshje e ndërmjetme mes Kosovës dhe Serbisë.

“Si i tillë do të shërbente për t’i nxit Greqinë, Spanjën, Rumaninë, Sllovakinë dhe Qipron që ta njohin shtetin e Kosovës, por nuk i detyron ato. Sepse asnjë marrëveshje e panënshkruar prej tyre nuk mund t’i detyrojë. Nëse ky do të ishte impakti, atëherë do të kishim një sukses thelbësor drejt përmbylljes së shtetësisë së Kosovës. Por unë jam deri diku skeptik, sidomos sa I përket Spanjës dhe ndoshta edhe Qipros. Greqia, Rumania dhe Sllovakia janë më afër njohjes së pavarësisë së Kosovës”, deklaron Bytyçi.

Por si dhe a mund të kapërcehet kërkesa e projektit për formimin e Asociacionit?

Vështirë të thuhet. Albin Kurti ka ardhur në pushtet me kauzën e luftës kundër krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Në fakt Asociacionit është edhe dhuratë e ish-kryeministrit të viteve 2007-2008 Hashim Thaçi dhe ministrit të Pushtetit Lokal, Lutfi Haziri. Këta të dy e çuan numrin e komunave me shumicë serbe në mënyrë krejt fiktive në dhjetë. Këto komuna përfaqësojnë gati 30 përqind të komunave në gjithë Kosovën, ndërkohë që serbët në Kosovë përbëjnë vetëm 5 përqind të popullsisë së vendit. Krijimi i këtyre komunave e rriti peshën e ndërhyrjes së Beogradit në Kosovë dhe krijoi shtratin e kërkesës për Asociacionit, madje me kërkesa ekzekutive. Më pas ishin po Thaçi dhe Isa Mustafa që ia vunë lakun në fyt Kosovës me këtë Asociacionit. Tani partnerët ndërkombëtarë thonë se „Keni nënshkruar, zbatojeni“! Logjikisht ata kanë të drejtë. Por ka disa pengesa”.

Pengesa kryesore është fakti që kryeministri Kurti dhe Vetëvendosja, si edhe Vjosa e Osmani dhe Lëvizja Guxo kanë ardhur në pushtet me devizën kundër nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje. Atëherë si mund të zgjidhet ky ngërç? Kurti dhe Osmani nuk do të nënshkruajnë një organizëm shtetëror brenda shtetit të Kosovës. Kjo është e drejtë legjitime e tyre. Po ta nënshkruanin bie ngrehina e besueshmërisë së qytetarëve ndaj tyre. Megjithatë evropianët dhe amerikanët nuk duan t’ia dinë për këtë. Nuk kanë asnjë ndjesi për atë çfarë kanë premtuar liderët e sotëm të Kosovës ndaj qytetarëve të tyre”, shpjegon profesor, doktor Enver Bytyçi.

Ai thotë se ndërkombëtarët dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pavarësisht veprimeve të presidentit serb Vuçiq, po gjejnë mirëkuptim për të, ndërkohë për Albin Kurtin, po kërkojnë ta nënshkruaj “vetëvrasjen” politike të tij.

Ndërkohë ndërkombëtarët, përfshirë dhe Edi Ramën, gjejnë mirëkuptim me Aleksandër Vuçiq për çdo akt arrogance, dhune e ndërhyrjeje që ai bën në Kosovë kundër shtetit dhe institucioneve të saj. Thonë „Duhet mirëkuptuar, sepse serbët nuk e kuptojnë“! „Duhet mirëkuptuar, se mund ta marrin pushtetin në Serbi forca më radikale sesa Vuçiq dhe mbështetësit e tij“! Ky është standard i dyfishtë. Kurti deshi të zbatojë pikërisht një marrëveshje të nënshkruar në Bruksel, presidenti serb ndërhyri hapur me dhunë, me djegie makinash e pronash të serbëve në veri, me bojkot dhe dekorime publike. Megjithatë evropianët e amerikanët, edhe projektuesit e marrëveshjes në fjalë, i kërkojnë Kurtit të nënshkruajë “vetëvrasjen” politike të tij!. Fatkeqësisht në këtë kor janë përfshirë opozitarët e Kosovës, me shpresën e madhe që të arrijnë dy objektiva: „T’i thonë Kurtit se ti u detyrove të nënshkruash të njëjtën marrëveshje që kemi nënshkruar ne“! Dhe së dyti, t’i thonë se „ti je mashtrues“! Madje me këtë strategji kanë operuar prej kohësh politikanë si Isa Mustafa e ndonjë tjetër”, thekson Bytyçi.

Për fund, Bytyçi deklaron se formimi i Asociacionit të Komunave serbe, duhet të bëhet sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Së formimi i një asociacioni sipas kërkesave të GJK pa kompetenca ekzekutive është i mundur. Prandaj dhe duhet insistuar në këtë. Është e sigurt se nuk do ta pranonte pala serbe një marrëveshje me një asociacion pa kompetenca ekzekutive. Por le të mbetet topi në Beograd. Ndërkohë Presidentja dhe kryeministri duhet të dinë se në Beograd nuk do të pranojnë nene, të cilat hamendësojnë pranimin e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Duhet shfrytëzuar kjo mjeshtërisht, me qëllim që të fajësohet Vuçiq dhe Serbia për dështimin e nënshkrimit të këtij projekti. Këtu hyjnë në lojë taktikat diplomatike, shoqëruar me argumente. Përndryshe, unë projektin franko-francez e shoh të dobishëm dhe pozitiv si hallkë të ndërmjetme për të shkuar te marrëveshja përfundimtare”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat