Parashikimi për dialogun Kosovë – Serbi/ Kjo do të jetë lëvizja e radhës e Vuçiqit!?

Politika

Parashikimi për dialogun Kosovë – Serbi/ Kjo do të jetë lëvizja e radhës e Vuçiqit!?

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 14 nëntor 2022 Në ora: 13:47
Albin Kurti, Aleksander Vuçiq

Javën që e lamë pas kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se ai është i gatshëm dhe i interesuar për dialog dhe marrëveshje me Serbinë me njohjen reciproke në qendër.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u takua të premten me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Paris, ku po mbahej Forumi i Paqes, por nuk pati takim të përbashkët ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit.

Kryeministri Kurti ritheksoi dy propozimet që Kosova ka në lidhje me dialogun me Serbinë:

“I kemi dy propozime në tavolinë: ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne”, tha Kurti.

Borrell kërkoi nga Kosova edhe nisjen e bisedimeve për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe po ashtu kërkoi nga dy palët të gjejnë zgjidhje urgjente ndaj krizës aktuale dhe të jenë të gatshëm për kompromis.

Mirëpo, kryeministri Kurti ritheksoi që nuk do të ketë Asociacion të komunave me shumicë serbe.

Ndërsa, tha se “është e rëndësisë së veçantë që institucionet evropiane dhe vendet anëtare të BE-së të mbajnë qëndrim të prerë se Prishtina duhet të nisë përfundimisht t’i kryejë obligimet e veta, që, pikë së pari, kanë të bëjnë me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”.

Kujtojmë që Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në vitin 2013. Më 2015, palët nënshkruan Marrëveshjen mbi parimet për formimin e këtij asociacioni. Po atë vit, Gjykata Kushtetuese konstatoi se disa pika të kësaj marrëveshjeje nuk janë në harmoni me 23 nene, në frymën kushtetuese dhe se ato duhet të harmonizohen.

Kuçi: Perëndimi nuk duhet të lejojë alternativën e dytë dhe duhet ta përkrahë Kosovën njëjtë pa kushte

Image
Gurakuç Kuçi

 

Në lidhje me këtë temë njohësi i çështjeve politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuq Kuçi, për “Bota sot”, tha se presioni nuk duhet të jetë i njëtrajtshëm dhe të bëhet vetëm ndaj Kosovës pasi nuk mund të ketë asgjë.

Sipas tij, nëse vazhdohet me këtë qasje nuk mund të pritet asgjë, e cila do të zgjidhë ndonjë çështje.

“Presioni i njëtrajtshëm vetëm ndaj Kosovës nuk do të prodhojë asgjë dhe vetëm sa do të mundësojë eskalimin në një konflikt deri në luftë potenciale. Kërkesat deri më tani janë vetëm në drejtim që Kosova të lëshojë pe dhe atë vetëm për çështje të Kosovës. Është një formulë e padrejtë kjo. Andaj nëse vazhdohet me këtë qasje nuk mund të pritet asgjë, e cila do të zgjidhë ndonjë çështje, Kosova nuk e ka luksin që të mbetet pre e status quo-së së pafundme, e cila është duke e ndjekur që pothuajse që nga shpallja e pavarësisë pa ndonjë ndryshim të rëndësishëm”, u shpreh ai.

Më tej, Kuçi thotë se jemi para dy alternativave: ose të ofrohet një zgjidhje e drejtë dhe Kosova të gëzojë të drejtat e saj shtetërore, ose të krijohet edhe një zonë e re lufte sipas dëshirave të Rusisë.

“Çështja e njohjes do i zgjidhte të gjitha çështjet dhe kjo e bënë të rëndësishme njohjen si akt, sepse njohja nuk është vetëm një letër formale, por një proces ku bëhet njohja e çdo lloj procesi teknik, administrativ, territorial, ndërkombëtar dhe politik.

Pra, jemi para dy alternativave: ose të ofrohet një zgjidhje e drejtë dhe Kosova të gëzojë të drejtat e saj shtetërore, ose të krijohet edhe një zonë e re lufte sipas dëshirave të Rusisë. Perëndimi nuk duhet të lejojë alternativën e dytë dhe duhet ta përkrah Kosovën njëjtë pa kushte ashtu siç po bënë Rusia dhe Kina ndaj Serbisë”, nënvizoi Kuçi për “Bota sot”.

Mehazi: Vuçiq, para takimit në Bruksel do ta kushtëzojë BE-në e SHBA-në, Francën e Gjermaninë

Image
Sulejman Mehazi

 

Ndërsa, profesori Sulejman Mehazi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që takimi në Paris arriti të vë në pah që Kosova është e vendosur në lidhje me qëndrimet e saj.

Ai gjithashtu ceku që ky takim ktheu në bisedim propozimin franko-gjerman.

“Takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, me dy përfaqësuesit e lartë të BE-së Borrel dhe Lajçak disi e ka humbur kuptimin e rëndësisë së dialogut me Serbinë në krahasim me idenë e presidentit francez, Makronit dhe kancelarit gjerman, Sholcit. Propozimi franko-gjerman ka hedhur nën hijen e rendit të dytë apo të tretë të dërguarit e BE-së, Borrelin dhe Lajçakun. Tani më koncentrimi i dialogut të Kosovës me Serbinë është kthyer nga propozim-dokumentet franceze e gjermane me rastin e dialogut përfundimtar të dy shteteve fqinje, Kosovë - Serbi. Pikërisht, gjatë takimit me Borrelin dhe Lajçakun, kryeministri i Kosovës me deklaratën e tij mohuese ua bëri me dije përfaqësuesve nga Spanja dhe Sllovakia se është për dialog, por jo ndryshe përveç njohjes reciproke, dhe se më afër njohjes së shpejt të dy shteteve është propozimi i dy këshilltarëve francez e gjerman sesa propozimet e dëshirave serbe të Borrellit e Lajçakut”, tha profesori.

Nga ana tjetër, ai shtoi që në takimin e radhës do të ketë kundërshtime nga Vuçiqi pasi kryeministri Kurti do të ketë dy pika qendrore të dialogut.

“Gjatë takimit të ardhshëm të Kurtit me Vuçiqin në Bruksel do të ketë shumë kundërshtime, mohime e kushtëzime për shkak se kryeministri i Kosovës do të përqendrohet në dy pika qendrore të dialogut me Serbinë, një, për njohje reciproke, dy, pro propozimit të francezëve e gjermanëve për një marrëveshje njohjesh dhjetëvjeçare përfundimtare, kurse në anën tjetër, Vuçiqi jo që do kundërshtojë njohjen e Kosovës, por do mohojë edhe idenë e Makronit dhe Sholcit për një marrëveshje paqësore të njohjeve të dy shteteve”, potencon ai.

Në fund profesori thotë që kushti i takimit të ardhshëm i presidentit të Serbisë, Vuçiqit me Kurtin në Bruksel do të jetë anulimi i targave serbe nga ana e Qeverisë së Kosovës, pra, Vuçiqi do të kushtëzojë Brukselin.

“Mendojmë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, para takimit në Bruksel do të kushtëzojë BE-në e SHBA-në, Francën e Gjermaninë, se, nëse Qeveria e Kosovës nuk heq dorë nga targat serbe nuk do merr pjesë në takimin e ardhshëm në Bruksel. Pra, kushti i takimit të ardhshëm i presidentit të Serbisë, Vuçiqit me Kurtin në Bruksel do të jetë anulimi i targave serbe nga ana e Qeverisë së Kosovës, pra, Vuçiqi do të kushtëzojë Brukselin, se, nëse Kurti tërhiqet nga veprimet e targave serbe do të merr pjesë në Bruksel, nëse Kurti është kundër e nuk tërhiqet nga targat serbe, presidenti serb nuk do të merr pjesë në takimin e ardhshëm në Bruksel. Shkurt e qartë, përgjigja e Vuçiqit drejtuar Brukselit do të jetë hiqni vendimet e targave serbe në Kosovë do të ketë dialog, nëse jo nuk ka dialog me Kosovën”, përfundoi Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat