“Plani që pa njohje të ndërsjellët është i kotë, konfirmon konfliktin e ngrirë”!

Politika

“Plani që pa njohje të ndërsjellët është i kotë, konfirmon konfliktin e ngrirë”!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 18 nëntor 2022 Në ora: 07:59
Albin Kurti dhe Aleksander Vuçiq

Plani i ashtuquajtur franko-gjerman, në mesin e shumë pikave thuhet se nuk e përmban edhe njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

Një plan ky dy faqesh, por që nuk është publikuar tërësisht ende, ose të paktën gjërat që janë publikuar i kanë vënë në dyshim vetë politikanët.

Planin e tillë, Kosova është deklaruar se e pranon, por nga ana serbe janë deklaruar kategorik kundër këtij plani.

Kurse, nga ana tjetër emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka folur pikërisht për këtë plan.

Ai ka deklaruar se nuk ka plan franko-gjerman, sa i përket bisedimeve Kosovë-Serbi.

Sipas tij, ka vetëm plan evropian, pa dhënë detaje më shumë rreth këtij plani.

Po ashtu ka deklaruar edhe Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borell, sipas të cilit plani është hartuar nga vetë ai dhe nga emisari Lajçak. Sipas tij, plani është përkrahur nga Gjermania dhe Franca. Por, sipas deklarimeve plani është mbështetur edhe nga SHBA-të.

Burjani: Çdo plan që bëhet duhet të jetë i mbështetur në njohje reciproke.

Juristi Blerim Burjani në një përgjigje për “Bota sot” thotë se pavarësisht emrit të planit, ai duhet të jetë i mbështetur në njohje reciproke.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, nëse në plan nuk ka njohje, atëherë ai është një plan i kot.

“Një plan vetëm ekziston, dy faqe marrëveshje. Ky plan është emërtuar plan gjermano-francez, por ky plan është i negociuar dhe i aprovuar nga BE-ja, pra quhet plan evropian, por pak ka rëndësi emri sa përmbajtja. Çdo plan që bëhet duhet të jetë i mbështetur në njohje reciproke. E nëse nuk ka njohje të ndërsjellët është plan i kot.

Atëherë do të quhej plan që konfirmon konfliktin e ngrirë”, deklaron juristi Burjani.

Mehmeti: Ky plan do të bëhet publik vetëm nëse palët e pranojnë, ndryshe do të mbetet i pazbardhur për opinionin

Analisti Faton Mehmeti thotë se plani franko-gjerman ka për qëllim të paraqitet me përmasa të mëdha dhe të jetë gjithëpërfshirës për të dyja palët.

Image
Faton Mehmeti

 

“Natyrisht se emisari Sarrazin s’mund të thoshte ndryshe, s’mund ta minimizonte planin përkrahur nga dy shtete. Qëllimi i planit është të paraqitet me përmasa më të mëdha, në këtë kuptim plani franko-gjerman tentohet të jetë gjithëpërfshirës dhe si i tillë të jetë më lehtë i pranueshëm për palët”, thotë ai.

Sipas tij, plani do të bëhet publik vetëm nëse pranojnë të dyja palët, përndryshe do të jetë i pazbardhur për publikun.

“Plani vetëm se u është dorëzuar palëve, pikat kryesore janë mospengimi i rrugëtimit të Kosovës dhe Serbisë nga njëra-tjera për anëtarësim në BE dhe NATO, dhe njohja e ndërsjellët në të ardhmen. Pikërisht kjo e dyta ka bërë që Serbia të mos e pranojë këtë plan. Ky plan do të bëhet publik vetëm nëse palët e pranojnë, ndryshe do të mbetet i pazbardhur për opinionin, së paku jo në një kohë të afërt”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat