BE ftesë Kurtit e Vuçiqit për takim, analisti gjerman tregon pse ka ngecur dialogu, ky është propozimi i tij për Asociacionin

Politika

BE ftesë Kurtit e Vuçiqit për takim, analisti gjerman tregon pse ka ngecur dialogu, ky është propozimi i tij për Asociacionin

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 18 nëntor 2022 Në ora: 21:36
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Aleksander Vuciq

Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano,  ka njoftuar sot se  kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë ftuar për një takim “urgjent” në Bruksel para datës 21 nëntor, kur edhe përfundon afati i qortimeve ndaj qytetarëve serbë që ngasin vetura me targa KM.

Nga Qeveria e Kosovës nuk kanë treguar nëse është pranuar ftesa e BE-së, duke thënë thjesht se “do t’ju informojmë më vonë”.

Ndërkaq, mediat në Serbi kanë thënë se Vuçiqi e ka pranuar ftesën e BE-së dhe se do të takohet me Kurtin në Bruksel të dielën ose të hënën e 21 nëntorit, në ditën kur nis gjobitja e shoferëve me targa ilegale KM.

Media serbe ka thënë tutje se “takimi do të organizohet të dielën mbrëma ose të hënën në mëngjes dhe tema do të jetë tensioni i fundit në Kosovë”, i shkaktuar nga “veprimet e njëanshme të qeverisë ‘Kurti’”.

Duke folur rreth shtyrjes së afatit për targa, analisti gjerman Bodo Weber, në një intervistë për “Bota sot”, ka thënë se afati 10 muaj është si i favorshëm për të arritur në një marrëveshje mbi propozimin gjermano-francez.

“Dikush pyet veten pse 10 muaj? Unë supozoj fuqishëm se ky është një afat kohor që BE-ja dhe SHBA-ja e shohin si të favorshëm për të arritur në një marrëveshje mbi propozimin gjermano-francez. Nëse është kështu, pyetet se pse kryeministri Kurti po i refuzon kërkesat perëndimore, duke qenë se ai sapo ka deklaruar se Qeveria e Kosovës në përgjithësi është e hapur për këtë iniciativë, ndërsa Beogradi gjoja jo”, ka deklaruar Weber.

Sipas analistit gjerman, dialogu ka ngecur për shkak të Asociacionit.

“Dialogu ngeci në 2015-16 pikërisht për shkak të çështjes së Asociacionit. Brukseli, si në marrëveshjen e 2013, ashtu edhe në atë të 2015-ës, i la pyetjet thelbësore pa përgjigje, të pazgjidhura – atë të kompetencave të sakta të Asociacionit të ardhshëm. As Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vendimin e saj të dhjetorit 2015 nuk ka dhënë përgjigje”, ka pohuar Weber.

Image
Analisti gjerman, Bodo Weber

Sipas tij, zgjidhja është që themelimi i Asociacionit mund të ketë sukses vetëm në kuadër të një marrëveshjeje përfundimtare gjithëpërfshirëse.

Besoj fuqimisht se ka një zgjidhje për çështjen e dizajnit dhe kompentencave të Asociacionit, ka thënë Weber, gjersa ka shtuar se ai ka bërë disa propozime në të kaluarën.

“Duke pasur parasysh frikën e Prishtinës që Asociacioni të kthehet në një lloj Republike Serbe, unë besoj se një zgjidhje, themelimi i Asociacionit mund të ketë sukses vetëm në kuadër të një marrëveshjeje përfundimtare, gjithëpërfshirëse, që përfshin njohjen formale-ligjore të Republikës së Kosovës nga Serbia, duke përfshirë heqjen e referencës së Kosovës në kushtetutën e Serbisë. Unë besoj fuqimisht se ka një zgjidhje për çështjen e dizajnit dhe kompetencave të Asociacionit, që u jep serbëve të Kosovës në veri sigurinë (simbolike) që ata kërkojnë për t'u integruar në shtetin dhe shoqërinë e Kosovës, dhe që shmang rrezikun potencial të krijimit të një Republike Serbe. Unë kam bërë disa propozime në të kaluarën”, ka përfunduar Weber.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat