“Jack Smith dhe SHBA-ja e parandaluan ndarjen e Kosovës duke e dërguar Hashim Thaҫin në Hagë”

Politika

“Jack Smith dhe SHBA-ja e parandaluan ndarjen e Kosovës duke e dërguar Hashim Thaҫin në Hagë”

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 19 nëntor 2022 Në ora: 21:40
Donald Trump, Jack Smith dhe Hashim Thaçi

Të premten është bërë e ditur se Kryeprokurori i Gjykatës së Hagës, Jack Smith është larguar nga kjo detyrë, duke e lënë në gjysmë procesin gjyqësor ndaj ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaҫi, për t’u marrë me hetimet ndaj një ish-presidenti tjetër, atij amerikan, Donald Trump.

Ishte pikërisht Jack Smith ai që ngriti aktakuzë ndaj Hashim Thaҫit dhe të tjerëve, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit, e Rexhep Selimit, në qershor të vitit 2020, me akuzën për krime lufte. Pak muaj më vonë, këta zyrtarë politikë të Kosovës udhëtuan drejtë Hagës, ku ndodhen edhe tani në pritje të gjykimit.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump po në qershor të 2020-ës kishte ftuar në një takim presidentin e Kosovës Hashim Thaҫin dhe atë të Serbisë Aleksandër Vuҫiqin, për të arritur një marrëveshje të përbashkët, Kosovë-Serbi.

Megjithatë, ishte kryeprokurori Smith ai që e ndërpreu këtë takim, duke e ftuar në Hagë, Thaҫin, si i akuzuar për krime lufte.

Këtë marrëveshje, Trump kishte tentuar ta bëjë me presidentët në prag të zgjedhjeve presidenciale në SHBA. E atë e nënshkroi nga Kosova, Avdullah Hoti, që atë kohë ishte Kryeministër i Kosovës.

I njëjti ish-kryeprokuror që filloi ta gjykojë Thaҫin, tani do ta gjykojë Trump. E në vend të tij, Alex Whiting bëhet ushtrues detyre i Prokurorit të Specializuar në Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS). Ai ishte prokuror kryesor në gjyqin ndaj Fatmir Limajt, Isak Musliut dhe Haradin Balës, dhe kryeprokuror në gjyqet ndaj Milan Martiqit dhe Dragomir Millosheviqit.

Mirëpo, tani që u bë e qartë që Smith u largua, si shihet tash ky vendim i ri për të, dhe çfarë marrëveshje ka mundur ta parandalojë në SHBA me kthimin e Hashim Thaçit në Kosovë, pra duke mos e lejuar të shkojë në SHBA për të firmosur marrëveshje me Trumpin dhe Vuçiqin?

Tomë Gashi: Aktakuza u bë publike që të parandalohet ndarja e Kosovës respektivisht ndryshimi i kufijve të Kosovës

Image
Tomë Gashi

Lidhur më këtë ҫështje ka folur avokati i njohur nga Kosova, Tomë Gashi. Ai thotë se Jack Smith ka dhënë dorëheqje për shkak të promovimit të tij që të angazhohet në hetimet e veprimeve të supozuara kriminale të ish-presidentit tëSHBA-së, Donald Trump.

“Ai edhe para se të angazhohet si kryeprokurorë në Prokurorinë Speciale, ka qenë prokurorë i shumë niveleve të larta në SHBA. Dhe se di si dikush mund të konsideroj ndryshe përveҫ se ai është avancuar në detyrën e tij që e ka profesion. Në bindjen time që edhe mund ta vërtetojë fare lehtë. SHBA e ka bërë publike aktakuzën e ngritur nga prokuroria nëHagë kundër HashimThaҫit me 24 qershor, e cila ishte ngritur nga 24 prilli 2020 dhe kjo u bë publike që të parandalohet ndarja e Kosovës, respektivisht ndryshimi i kufijve të Kosovës”, thekson Gashi.

Ai thotë më tutje se, për këtë arsye, Hashim Thaҫi duhej të përgatiste opinionin se do t’i jepen Serbisë katër komuna veriore. Ndërsa, këtë informacionin e aktakuzës ia kishte bërë me dije, Richard Grenelli.

“Ishte një turbo përgatitje e Hashim Thaҫit, që të përgatis opinionin publik që t’i jepen Serbisë 4 komuna veriore të Kosovës që Hashim Thaҫi i quante komuna të Rankoviqit. Dihet se këtë info për ngritjen e aktakuzës kundër Thaҫit ia bëri me dije vet miku i tij shumë i afërt me Serbinë, zotni Grenell. Dhe me këtë nuk iu lejua që Thaҫi të shkojë në SHBA në takim me Vuҫiqin me 4 shtator ku me siguri që do të ndahej një pjesë e Kosovës në favor të Serbisë”, thotë Gashi.

Sipas avokatit, ishte administrata amerikane që ishte kundër Trumpit dhe Grenellit dhe e parandaloi humbjen e territorit të madh të Kosovës.

“Dhe me këtë administrata amerikane veproi kundër Grenellit dhe kundër Trumpit dhe parandaloi humbjen e një territori të madh të Kosovës. Me këtë nuk u lejua që miqtë të takohen mes veti dhe nuk u përsërit më fraza “we are not problematic guys” mes Thaҫit dhe Vuҫiqit”, thekson Tomë Gashi për ‘Bota sot’.

Burjani: Thaҫi u ndalua për një precedent të rrezikshëm, që mund të kishte pasoja afatgjata

Image
Blerim Burjani

Poashtu këtë ҫështje e ka komentuar edhe njohësi i ҫështjeve juridike, Blerim Burjani. Ai thotë se ndërprerja e shkëmbimit të territoreve ishte politike, pasi të gjitha shtetet ishin kundër këtij shkëmbimi.

“Kjo tingëllon thjesht politike. Normal se rruga e Thaҫit për të mos e lënë me punë të njëjtë dhe për të ndërprerë aktivitetin për shkëmbime territoriale, të gjitha shtetet ishin kundër shkëmbimeve”, theksoi ai.

Profesor Burjani thotë më tutje se, Thaҫi u ndalua për një precedent të rrezikshëm, që mund të kishte pasoja afatgjata.

“Thaҫi u ndalua për të ndalë precedent të rrezikshëm, që do të mund të shkaktonte pasoja afatgjata, pra arsyet janë dhe mbeten politike për momentin që është ngrit aktakuza”, thotë Burjani për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat