“Barrikadat, sulmet dhe provokimet e serbëve”/ Analistët zbulojnë se çfarë po tentohet që bëhet!

Politika

“Barrikadat, sulmet dhe provokimet e serbëve”/ Analistët zbulojnë se çfarë po tentohet që bëhet!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 14 dhjetor 2022 Në ora: 08:00
Pamje nga veriu i vendit

Në veri të vendit janë rikthyer barrikadat e serbëve, të vendosura nga grupet kriminale të udhëhequra nga Serbia, me qëllim refuzimin e institucioneve të Kosovës, dhe paralizimit të tyre.

Pas vendosjes së barrikadave të para u arrestua nga autoritetet e Kosovës Dejan Pantiç, ish-polic i Kosovës, e po ashtu ish-polic i MUP-it serb, të kohës së regjimit të Millosheviçit. Ndaj tij Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masën e paraburgimit një mujor, për shkak të dyshimit të kryerjes së veprës së terrorizmit, prishjes së rendit kushtetues dhe organizimit të sulmit ndaj patrullës së policisë, ku mbet i plagosur polici Ekrem Neziri.

Në ndërkohë, institucionet e Kosovës vendosën për shtyrjen e zgjedhjeve të shpallura lokale, që ishte edhe kërkesë e perëndimit. Vendimin e mori presidentja Vjosa Osmani.

Por, pavarësisht këtij vendimi, bandat serbe të udhëhequra nga Serbia, i kanë modifikuar sërish kërkesat e tyre, tashmë duke kërkuar, që të mos ketë polic të Kosovës në veri.

Presidenti i Serbisë po akuzohet drejtpërdrejt se e ka ushëhequr organizimin e sulmeve të javës së shkuar ndaj personelit të KQZ-së në veri dhe sulmeve të tjera, përfshirë barrikadimin e rrugëve.

E në vazhdën e këtyre tensioneve Vuçiqi ka kërkuar edhe kthimin e ushtarëve serbë në Kosovë.

Ne u dakorduam sot për tekstin që t’i dërgojmë një kërkesë komandantit të KFOR-it, në përputhje me Rezolutën 1244, për të siguruar dislokimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës, dhe vendimi i Qeverisë (për këtë çështje) do të merret të hënën ose të martën”, ka tha Vuçiq gjatë një konference për media.

Pse nuk po goditet, kërcënohet Serbia nga Perëndimi, pas kërcënimeve me luftë ndaj Kosovës, përkatësisht se do t’i dërgojë në Kosovë një mijë ushtarë?

Ahmeti: Në shumë raste BE-ja e ka përdorur logjikën e gjuhës së njëjtë, si Serbia

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Hidajet Ahmeti.

Image
Hidajet Ahmeti

Ai u shpreh se BE-ja e ka përdorur në shumë raste gjuhën e njëjtë, si të Serbisë dhe në vazhdimësi është duke vepruar njëanshëm.

“Në shumë raste BE-ja ka përdorur logjikën e gjuhës së njëjtë, si Serbia dhe, një gjë e tillë është shumë shqetësuese dhe absurd i llojit të vet. BE-ja po vepron në mënyrë të njëanshme, por jo në mënyrë objektive siç duhej të vepronte”, thotë ai.

Analisti tutje thekson që diplomacia e Kosovës duhet të jetë më e zëshme në mënyrë që përmes politikës së jashtme të dekonstruktojë politikën serbe.

Diplomacia e Kosovës duhet të jetë më e zëshme në mënyrë që përmes politikës së jashtme të dekonstruktojë politikën serbe, e cila në vazhdimësi po tenton që përmes bandave kriminale të krijojë destabilitet në Kosovë, veçanërisht në pjesën veriore”, nënvizoi Ahmeti për “Bota sot”.

Duhanaj: Serbia përmes strukturave të saja paralele, mund dhe bën përpjekje të vazhdueshme destabilizimi në Kosovë

Ndërsa, analisti politik, Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që Serbia nuk ka guxim që të sulmojë ushtarakisht Kosovën, por vetëm po tenton ta destabilizojë Kosovën, por që nuk po e arrin as këtë.

Image
Leon Duhanaj

Të gjithë e dimë se Serbia nuk ka as guxim, e as mundësi të dislokimit të trupave në Kosovë, e aq më pak ta sulmojë ushtarakisht. Sepse një hap i tillë do të konsiderohej si vetëvrasje për Serbinë. Megjithatë, Serbia përmes strukturave të saja paralele, mund dhe bën përpjekje të vazhdueshme destabilizimi në Kosovë. Për fat të keq, për gjendjen e krijuar në veri, përpos qasjes agresive të Serbisë, qeveria Kurti duke u munduar ta luaj rolin e "patriotit" i ka servuar Serbisë në pjatë të gjitha mundësitë për të krijuar mjegull në terren”, thotë analisti.

Nga ana tjetër, ai shton që ne si qytetarë duhet të jemi ende më bashkëpunues pasi është mënyra e duhur që të arrijmë të jemi të fortë para Serbisë.

Pos kësaj, ne duhet ta pyesim veten si shoqëri e tërë; Sa jemi treguar dhe tregohemi të sinqertë me komunitetin perëndimor në radhë të parë dhe me veten tonë? A jemi ne ata shqiptarët e përvuajtur, properëndimor, të cilët i përkrahu e gjithë bota demokratike, apo treguam ndonjë fytyrë të panjohur më parë ndër ne. Ne menduam se historia përfundoi me lirinë dhe pavarësinë dhe tashmë nuk kemi nevojë për askënd dhe mund të sillemi si të duam. Për fat të keq, me këtë qasje, i kemi hapur rrugë propagandës serbe kundër nesh dhe, si të tillë, kemi humbur kreditë e besimit ndaj nesh. Sot ka shumë qarqe, të cilat nëse do të kishim krizën e vitin 1999, nuk do pajtoheshin të na ndihmonin. Në këtë kontekst, uroj që shqiptarët të këndellen dhe ta shohin realitetin në sy. Nëse mendojmë prosperitet si komb, atëherë duhet të sillemi si të tillë të sinqertë ndaj vetes dhe të tjerëve. Ndryshe me bindjen se ne mund të sillemi si të duam dhe se bota nuk na kupton, duhet ta heqim nga rendi i ditës, përndryshe veç edhe me keq mund të na imponohet”, thotë Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat