Rusia po kërcënon veriun me grupe paramilitare së bashku me Serbinë – Pse nuk po investohet mjaftueshëm në ushtri?

Politika

Rusia po kërcënon veriun me grupe paramilitare së bashku me Serbinë – Pse nuk po investohet mjaftueshëm në ushtri?

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 18 dhjetor 2022 Në ora: 08:05
Foto ilustrim

Gjendja në veri po bëhet gjithnjë e më shqetësuese. Të shtunën, serbët kanë vendosur edhe një tjetër barrikadë.

Aktualisht askush nuk është duke e marrë përsipër heqjen e tyre, të vendosura nga grupet kriminale serbe, të kontrolluara nga Lista serbe dhe nëpërmjet saj nga vetë Beogradi. Pengimi i lirisë së lëvizjes nuk po konsiderohet ende argument për ta përdorur forcën për largimin e pengesave.

Këtë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, e cila ka thënë se vendosja e barrikadave po cenon lëvizjen e lirë të qytetarëve.

“Vendosja e barrikadave vazhdon të cenojë lirinë e lëvizjes së lirë, e po ashtu të pamundësojë hyrje-daljet në dy pikat kufitare të qytetarëve dhe mallrave. Gjatë natës ka vazhduar vendosja edhe e një barrikade të re, në lagjen Berxhane që shpie për në Zveçan, për të vazhduar pengimin e lirisë së lëvizjes së lirë edhe në rrugët alternative, e që po vështirëson edhe më tej jetën e qytetarëve në veri të vendit”, thuhet ndër tjera në raportin policor.

Serbia po vazhdon me kërcënime, madje po këshillohet edhe nga ambasadori rus në Beograd. Ndërsa, janë filmuar grupe të armatosura, me uniforma dhe simbole ruse. Është zyrtare prania e grupit paramilitar rus, Ëagner, i cili është i njohur për ushtrimin e terrorit ndaj civilëve, si në Siri, Libi etj., dhe së fundi në Ukrainë.

Në këtë kontekst shtrohet çështja edhe e investimit në mbrojtje, në ushtri nga qeveria. Por, pavarësisht edhe fondit të krijuar enkas për këtë qëllim, nuk janë të dukshme investimet, madje ka shumë heshtje.

Halimi: Ne sigurisht ndaj këtyre zhvillimeve na bie bajraktarizmi, për mobilizim dhe investim ushtarak

Image
Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS

Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS, për gazetën “Bota sot” thotë se Rusia ka grupe të involvuara direkt në situatën në veri, por që sipas Halimit ajo bën llogaritë e saj sepse e dinë se ndërhyrja edhe në Kosovë, do të kishte një përgjigje të rreptë nga ndërkombëtarët.

“Nga Rusia sigurisht që janë të pritshme këto reagime, ngase ajo edhe është ideatore dhe përkrahëse e të gjitha projekteve për destabilizim të Kosovës.

Besoj shumë se Rusia tani më ka grupe të involvuara direkt, kurse për ndërhyrje të hapur, me gjasë përllogarit kujdesshëm, ngase përveç sfidave që i ka tani më në frontin e hapur në Ukrainë, involvimi edhe në Kosovë do e përkeqësonte gjendjen e saj, madje edhe bashkësia ndërkombëtare do t’i përgjigjej akoma më rreptë.

Neve sigurisht ndaj këtyre zhvillimeve na bie bajraktarizmi, për mobilizim dhe investim ushtarak”, shprehet ai.

Kelmendi: Politika e mbështetur në forcën ushtarake është bazë e zgjidhjes së konflikteve me armiqtë

Image
Profesori Muhamet Kelmendi

Profesori Muhamet Kelmendi thotë se Kosova do të duhej ta kishte zhvilluar më së shumti sigurinë, madje ai thotë se Kosova është e fundit sa i përket armatimit.

Ai thotë ser në këtë situatë që jemi, mbrojtja është fusha kryesore që e garanton shtetin.

“Kosovës i duhen shumë fusha zhvillimore që të ketë siguri. Natyrisht se fusha më e rëndësishme dhe kryesore është ajo e mbrojtjes së Republikës. Shumë vende pas agresionit rus në Ukrainë kanë rritur mjetet për armë dhe ushtri. Çdo shtet po investon mjete në fushën ushtarake. Investimet janë me miliarda euro. Rreziku për luftë agresive po rritet. Në Ballkanin tonë po investohet nga armiqtë e popullit shqiptar në armatim në shumë kolosale. Serbia prin me 3-4% me investime nga brutoprodukti shtetëror në armatim. Greqia është shteti më i militarizuar. Mbetet prapa Shqipëria dhe Kosova.

Në rangun botëror Kosova është e parafundit nga shtetet në armatim dhe forcë ushtarake. Shqipëria prin me disa vende para Kosovës, por është e dobët, me vendin e 136 në botë. Gjendja këtej është keqësuar. Rusia po armatosë shtetin serb. Kina gjithashtu.

Mbetet që Kosova të shikojë bilancin vjetor. Mjetet në shumë prej 125 milionëve janë për zjarrfikës. Nën 500 milionë as që duhet diskutuar për mbrojtje. E këto mjete duhet dhënë nga buxheti. Qoftë nevoja edhe duke mos investuar në disa fusha.

Në kohën aktuale mbrojtja është fusha kryesore që e garanton shtetin. Armiqtë janë forcuar shumë”, thotë ai.

Sipas tij, edhe Rusia i ka dërguar bandat e Ëagnerit në Kosovë, kurse Serbia po heqë dorë nga ripushtimi dhe po e konsideron Republikën e Kosovës një vend serb.

"Komunat me shumicë serbe, të organizuara nga Serbia dhe të financuara, po e rrezikojnë Republikën. Edhe Rusia i ka dërguar bandat e Ëagnerit në Kosovë. Shteti serb ka krijuar baza ushtarake në kufi me Kosovën. Nuk po heqë dorë nga ripushtimi dhe po e konsideron Republikën e Kosovës një vend serb. Faktet flasin se ndoshta herët a vonë do të konfrontohet Republika ushtarakisht me agresionin serbomadh. E këtu duhet të kemi armë dhe ushtarë të përgatitur. Armët kërkohet të blihen jo vetëm nga fondi i krijuar për siguri, por edhe vetë shteti kërkohet të ndajë mjete për armë.

Natyrisht se të rinjtë e të rejat duhet të futen në FSK. Nuk mjafton numri prej 3 - 4 mijë ushtarëve. Kosovës i duhen mbi dhjetëra e mijëra ushtarë. Thjesht: Kush ka armatë të fortë e ka të garantuar të ardhmen. Politika pak po ndikon në zgjidhjen e çështjeve. Politika e përcjellur me armë e bënë të mundur zgjidhjen e konflikteve në botë. Kjo vlen edhe në Ballkan”, përfundon profesori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat