Deklaratat e fundit të Grenellit për pazaret me Gjykatën Speciale dhe veriun – A mund të nisin hetimet?

Politika

Deklaratat e fundit të Grenellit për pazaret me Gjykatën Speciale dhe veriun – A mund të nisin hetimet?

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 18 dhjetor 2022 Në ora: 12:03
Hashim Thaçi dhe Richard Grenell

“Miqësia” dhe bashkëveprimi i fshehtë mes ish të dërguarit e SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell dhe ish-presidentit, Hashim Thaçi, po mund të shihet edhe sot.

Thaçi ka disa vite që tashmë është në paraburgim Hagë, por lirimin e tij po e kërkon ende me ngulm Grenelli.

Grenelli së fundmi u ka bërë thirrje evropianëve që të ndryshojnë strategjinë e tyre.

Përmes një postimi në Tviter, Grenelli ka kërkuar gjithashtu lirimin e ish-presidentit Hashim Thaçit nga Haga.

“U bëj thirrje evropianëve që të ndryshojnë drejtimet e strategjisë së tyre Kosovë-Serbi. Ata nuk po e ndihmojnë krizën ballkanike – po e përkeqësojnë atë me ndërhyrjet e tyre të njëanshme dhe të çrregullta. Dhe lironi Hashim Thaçin menjëherë nga Haga”, ka shkruar ai.

Grenell më tej e ka cilësuar Gjykatën Speciale si shumë politike dhe se kjo e fundit sipas tij ka parandaluar një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ai madje ka bërë të ditur se ka biseduar me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ka potencuar se pret që sistemi i drejtësisë të punojë sa më shpejt në rastin e Thaçit.

“Kam folur me ish-presidentin Thaçi”.

“Mendoj se duhet ta lëmë sistemin gjyqësor të bëjë punën e tij. Unë uroj që ata të jenë shumë më të shpejtë. Është e turpshme që u deshën 20 vjet për të arritur në këtë pikë. Mendoj se gjykata është shumë politike, ata e panë që ne po shkonim drejt një marrëveshjeje”, tha Grenell .

Grenelli me deklarimet e tij dëshmoi se gjykata speciale ishte përfshirë në pazare politike, dhe në këmbim të shuarjes së saj, Kosova duhej t’i jepte tokë Serbisë.

Deklarimet e Grenellit janë bazë e mjaftueshme për hetimin e përpjekjeve antikushtetuese apo edhe të tradhtisë kombëtare.

Por, a duhet të nisin këto hetime?

Kelmendi: Çfarë duhet bërë Kosova?

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, flet juristi Muhamet Kelmendi.

Image
Muhamet Kelmendi

Ai u shpreh se Kosova është duke u ballafaquar me një kohë të vështirë që po e prek stabilitetin e vendit.

E para çështje që Kosova po ndikohet varet nga vet Republika, ndërsa e dyta nga faktorët e tjerë.

“Kosova është duke kaluar një kohë të vështirë, jo vetëm me fajin e vet, por edhe të faktorëve tjerë, në ndërtimin e shtetit. Veç kësaj, po ballafaqohet me gjykatën speciale dhe me pretendime agresive e neoshoviniste serbe ndaj Republikës. Janë këto dy çështje tejet të rënda.

E para varet nga vet Republika dhe nga faktorët e tjerë që ndikojnë në ndërtimin juridik dhe në zhvillimin e vendit tonë.

E dyta, nuk varet vetëm nga Kosova, por edhe nga faktorët tjerë, të cilët në fakt edhe kanë rëndësi themelore. Këtu ka shumë çështje, por janë dy më themeloret që po ndikojnë në jetën e shtetit”, thotë ai.

Juristi thekson që çështja parë është votimi i Gjykatës Speciale që po vë në akuzë UÇK-në dhe çështja e dytë janë raportet me Serbinë.

“Çështja e parë rrjedhë nga gabimi shumë i madh i qeverive të kaluara, të cilat me presion nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, në Kuvend i detyruan deputetët të votojnë këtë gjykatë. Juridikisht është gjykatë një nacionale, tendencioze dhe tipike antiligjore, që nuk ka rast tjetër në botë. Po vihet nën akuzë UÇK-ja që luftoi kundër pushtuesit serbomadh, duke i akuzuar disa veta. Ndërsa, kriminelët gjenocidal serbe, që bënë masakra mbi shqiptarët, u amnistuan.

Çështja e dytë është shumë e madhe, sepse janë raportet me shtetin serb. Me Serbinë është shumë afër shpërthimit të një lufte të përgjakshme. Serbia po tregon çdo ditë dhëmbët neofashist ndaj Kosovës. Është armatosur shumë dhe botërisht po pretendon pushtimin e Republikës ose ndarjen e një pjese të saj dhe bashkimin me shtetin serb. Këto janë pretendime të qarta”, shpjegon Kelmendi.

Dy rrugë janë në këtë anë sipas juristit.

“Në këtë anë, dy rrugë janë:

- Shkëmbimi i territoreve dhe

- Asociacion serb që dërgon te ndarja e veriut nga Kosova.

Kjo nuk pranohet. Shkëmbimi është gjë që mund të zgjidhë çështjen e raporteve midis shqiptarëve dhe serbëve. Këtu lypset qartësi. Ujmani, Mitrovica dhe Trepça duhet të jenë për Kosovën të paprekshme, pavarësisht nga pretendimet dhe rreziqet”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.

Burjani: Fakte pa pasoja nuk ka, si të mungojnë pasojat nuk mund të ndërtohet ndonjë proces gjyqësore

Image
Blerim Burjani

Ndërsa juristi tjetër Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që kjo çështje ka mbetur në nivel spekulimesh nuk ka pasur pasoja juridike përveç pazareve pa ndonjë pasojë.

“Kjo çështje ka mbetë nivel spekulimesh, nuk ka pasur pasoja juridike përveç pazareve pa ndonjë pasojë. Pra faktet dhe dëshmitë mund të qëndrojnë por kjo quhet drejtësi e shurdhër”, thotë ai.

Në fund, juristi shton që fakte pa pasoja nuk ka, si të mungojnë pasojat nuk mund të ndërtohet ndonjë proces gjyqësore.

“Pra fakte pa pasoja nuk ka, si të mungojnë pasojat nuk mund të ndërtohet ndonjë proces gjyqësore, pra ose ka fakte të plota juridike dhe dëshmi me pasoja, pra nuk ka ndonjë drejtësi që mund të ketë”, përfundoi Burjani për “Bota sot”.

Por, pavarësisht këtij argumentimi shumica e analizave dhe pohimeve të krerëve të shtetit thonë, se pozicioni ndërkombëtar i Kosovës është dëmtuar qartësisht rëndë nga përpjekjet e tilla antikushtetuese për ndarjen e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat