‘Traumat’ nga marrëveshjet e mëparshme të Brukselit – Çfarë do të ndodhë me Asociacionin, a duhet ta dëgjojë Kurti Amerikën!?

Politika

‘Traumat’ nga marrëveshjet e mëparshme të Brukselit – Çfarë do të ndodhë me Asociacionin, a duhet ta dëgjojë Kurti Amerikën!?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 18 dhjetor 2022 Në ora: 18:33
Foto ilustrim

Skenari serb në veri po shkon drejt krijimit të vështirësive dhe provokimeve të reja. Dje u shtua edhe një barrikadë, ndërsa të dielën u protestua nga serbët e dërguar direkt nga Beogradi, matanë kufirit në Jarinë.

Si kundërpërgjigje ka reaguar KFOR-i reaguar duke u vendosur në kufi me Serbinë, ndërkohë po zhvillon stërvitje me gjithë arsenalin e tij, automjetet e rënda dhe helikopterët.

Aktualisht nga institucionet e Kosovës nuk ka vendime të reja, as reagime nga njësitë speciale apo FSK-ja.

Serbët nga kundërshtimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat, braktisjes së institucioneve, kaluan në barrikadime rrugësh, dhe sulmuan me armë zjarri policinë e Kosovës, duke e plagosur një polic.

Por, tashmë duket se serbët po synojnë rritjen e kërkesave politike.

Ditë më parë, i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe është paraparë me marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa u shpreh se njëra palë nuk duhet të heqë dorë nga ajo.

Nëse qeveria nuk fillon ta bëjë këtë, ne do ta bëjmë. Unë do të punoj me ata njerëz për ta bërë atë realitet”, tha Escobar.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe, Serbia duhet ta bëjë pjesë të dialogut.

Kurti ka thënë se marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë nuk janë normale dhe ato normalizohen vetëm me njohje reciproke në kuadër të dialogut në Bruksel.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe është një marrëveshje, e cila është bërë në vitin 2013, pastaj, kur është konkretizuar në vitin 2015, nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Merreni me mend, 33 marrëveshja janë bërë në Bruksel, Serbia këmbëngul në atë marrëveshje që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Unë nuk e mohoj që, në kuadër të dialogut, Serbia do ta ngrejë si çështje asociacionin si model për të zgjidhur çështjet e të drejtave të pakicave kombëtare. Le ta bëjë në kuadër të dialogut që duhet ta zhvillojmë në Bruksel”, ka thënë Kurti në një intervistë për A2CNN.

Kësisoj, ende është e paqartë për opinionin publik, në rast se do të formohet asociacioni i nënshkruar nga Thaçi dhe Mustafa, e që ishte në kundërshtim me Kushtetutën, apo do të zbatohet asociacioni në përputhje me Kushtetutën apo shkohet drejt një modeli të ri, si po përmendet nga diplomat perëndimor.

Zogaj: Dialogu duhet të vazhdohet atje ku ka mbetur, te zgjidhja përfundimtare e jo rikthim te gjërat teknike

Opinionisti, Skënder Zogaj në një prononcim për “Bota sot” komentoi presionin që po i bëhet qeverisë Kurti për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Image
Skënder Zogaj

Fillimisht, ai u shpreh se shteti serb historikisht ka tentuar ndër vite që të pushtojë toka të huaja, kryesisht shqiptare.

Sipas tij, nuk duhet lejuar Serbinë ta realizojë ëndrrën e saj, dhe kjo mund të bëhet duke ndjekur rrugën e Presidentit Historik, Ibrahim Rugova.

Serbia jo vetëm që synon territor, por në fakt e synon gjithë Kosovën, madje edhe një pjesë të Shqipërisë deri në Durrës. Kjo nuk është e re, dhe nuk duhet të habisë askënd, sepse pushtimi i territoreve të huaja është ëndrra e përhershme e serbosllavëve. Çështja është se, këtë ëndërr shqiptarët me ndihmën e botës demokratike ia kanë prishur dhe duhet të mos ia lejojnë ta realizojnë. Por si? Vetëm, vetëm dhe vetëm duke ndjekur udhën e Presidentit Historik dr. Ibrahim Rugova, i cili me pak fjalë por të mençme dhe në kohën e në vendin e duhur, e ka shpartalluar Serbinë dhe e ka bë Kosovën shtet të lirë dhe të pavarur”, deklaroi ai

Krahas kësaj, Zogaj tha se Asociacioni duhet të realizohet vetëm në bazë të vlerësimeve të Gjykatës Kushtetuese, pa shkelur nenet dhe ligjet e saj.

Pra, klasa jonë politike duhet të jetë e vetëdijshme për forcën e vet reale dhe brenda kaçikut të vet, me fol e mos me marrë vendime që nuk mundet me i realizuar. Asociacioni duhet të realizohet menjëherë sipas vlerësimeve të Gjykatës Kushtetuese sepse, është punë e kryer dhe çdo diskutim i mëtutjeshëm është në dëm të Kosovës”, theksoi opinionisti.

Ndër të tjera, ai shtoi se dialogu duhet të vazhdojë, pasi situata e brendshme politike është shumë e tensionuar.

Mirëpo, kjo kërkoi të bëhet vetëm duke përfshirë njohjen përmes marrëveshjes përfundimtare.

Dialogu duhet të vazhdohet atje ku ka mbetur, te zgjidhja përfundimtare e jo rikthim te gjërat teknike si targat, e të ngjashme që janë çështje koti! Serbëve u janë garantuar të drejtat me Kushtetutë dhe, është punë e tyre duan apo jo që t'i konsumojnë! Udhëheqja kosovare duhet të merret me synimet e Kosovës e jo me synimet e Serbisë.

Situata e brendshme politike nuk është e mirë, madje është shumë e tendosur dhe, kjo është me rrezik të madh. Qeveria duhet të jetë shumë e vëmendshme, sepse, eskalimi më i thjeshtë, do t'ishte me pasoja tepër të mëdha”, përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Burjani: Problemi më i madh mbetet emërtimi etnik i asociacionit që është në kundërshtim me Kushtetutën

Ndërsa, juristi Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se zgjidhja më e pranueshme për çështjen e Asociacionit është që ajo të bëhet në pajtim me Konventën për Vetëadministrim Lokal të Këshillit të Evropës, vetëm në suaza të pranueshmërisë kushtetuese dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Image
Blerim Burjani

Çështja e asociacionit duhet të zgjidhet përmes ligjit dhe bashkëpunimit ndërkomunal, kjo forma më e lehtë, më e pranueshme dhe më normale në aspektin ligjor dhe kushtetues, duhet të jetë një zgjidhje në pajtim me Konventën për Vetëadministrim Lokal të Këshillit të Evropës, vetëm në suaza të pranueshmërisë kushtetuese dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi ai

Gjithashtu, tha se problemi më i madh sa i përket kësaj çështje është emërtimi njëetnik, që njëherësh bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe standardet evropiane.

Problemi më i madh mbetet emërtimi etnik i asociacionit që është në kundërshtim me Kushtetutën, ku nuk mund të ketë komuna me emërtim etnik serb, shqiptar dhe emërtime tjera etnike. Pra, komunat nuk mund të kenë emërtim etnik, pasi bie ndesh me standardet evropiane dhe ndërkombëtare dhe me Kushtetutën”, nënvizoi Burjani.

Në fund, juristi përmendi edhe një model evropian që thuhet se në bazë të tij po tentohet të formohet asociacioni.

Një model evropian për asociacionin thuhet se ekziston, mirëpo deri më tash është vështirë të mendohet një model evropian i tillë sepse Evropa nuk ka komuna gjermane, franceze, italiane, etj

Gjetja e një solucioni është hulumtuar, Serbia nuk pranon asnjë model pa kompetenca ekzekutive, që i bie një pushteti të tretë, përderisa perëndimi nuk pranon asociacion në kundërshtim me rendin kushtetues të Kosovës”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat