Ja çka thotë vëllai i Besim Dajakut për dënimin e komandant “Calit” – e quan të tmerrshëm veprimin e Albin Kurtit

Politika

Ja çka thotë vëllai i Besim Dajakut për dënimin e komandant “Calit” – e quan të tmerrshëm veprimin e Albin Kurtit

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 19 dhjetor 2022 Në ora: 20:43
Besim Dajaku truporja e Ibrahim Rugovës që u vra pas lufte në Kosovë

I njohur si komandant Cali, Salih Mustafa është dënuar me 26 vjet burgim nga Gjykata Speciale, ku sipas aktakuzës së Speciales, shumica e viktimave të komandant Calit, ishin shqiptarë, anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Cali është dënuar me 10 vjet burgim për ndalim arbitrar, 22 vjet burgim për torturë dhe 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme.

"Trupi gjykues ju dënon me vendim të njësuar me 26 vjet burgim, ku do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim", ka thënë kryegjykatësja Mappie Veldt-Foglia, e cila edhe njëherë ka bërë të ditur se krimet janë kryer ndaj shqiptarëve.

E dënimi i Mustafës nga Gjykata Speciale, është mirëpritur nga ish ushtari i UÇK-së, Xhevat Dajaku, vëllai u Besim Dajakut, i cili është njëri nga viktimat e vrasjeve politike, i cili u qëllua për vdekje në një atentat më tetor të vitit 2001.

Image
Xhevat Dajaku

“Kuptohet në shoqëritë e civilizuara, drejtësi kërkojnë të gjithë dhe nuk ndalen derisa ajo ta jap fjalën e saj. Edhe këtu në Kosovë, ne familjarët edhe shumë njerëz të tjerë kërkojmë vazhdimisht që dora e drejtësisë të veprojë pa kompromise. Për fat të keq këtu nuk u pjekën kushtet për të vepruar drejtësia, sidomos për vrasjet politike, dmth faktorët relevant nuk e bën të mundur një gjë të tillëm sepse me siguri dikush apo shumë kush nga skena politike ishte i përfshirë drejtperdrejtë në ato vrasje”, thotë Dajakut për “Bota sot”, sipas të cilit, dënimi i Salih Mustafës është një mesazh i fuqishëm e drejtësia po vie më në fund.

“Dënimi ndaj "Calit" është një mesazh i fuqishëm i drejtësisë e cila më në fund po e thotë fjalën e vet. Ne kemi pas besim te kjo gjykatë dhe vazhdojmë të kemi akoma më shumë dhe mund të thuash se është shpresa fundit për zbardhjen e të vërtetës së vrasjeve politike dhe të tjera në forma "misterioze"”, shprehet Dajaku.

Më tej, Dajaku kritikon të gjithë ata që dolën kundër vendimit të Gjykatës Speciale, duke përfshirë edhe kryeministrin, Albin Kurti.

“Ata të cilët po mundohen këto gjykime t'i paraqesin si gjykime kundër UÇK-së ose janë të porositur ose nuk janë duke ndegjuar të vërteten dhe qasja e tyre është më e dëmshme se vet gjykimi i të dyshuarve. Reagimi i Kryeministrit, ministrave dhe disa politikanëve e parti të ndryshme kundër gjykatës dhe prononcimet kundër drejtësisë janë të tmerrshme, ato e zbehin edhe më shumë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe perceptohet si një kërcenim serioz ndaj dëshmitarëve dhe të gjithë atyre që dëshirojnë dhe janë të gatshëm të bashkëpunojnë me drejtësinë”, deklaron Xhevat Dajaku, vëllai i Besim Dajakut.

Ai thotë se në Speciale nuk po akuzohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, por individët e dyshuar për krime.

Image
Ish ushtari i UÇK-së, Xhevat Dajaku

“Stejdepertameni e përshëndeti vendimin e gjykatës dhe tregoi qartë se aty nuk po gjykohet as Kosova as lufta e UÇK-së, por po gjykohen individë për vepra penale! Ne shpresojmë se shumë vrasje gjykata do t'i zbardh! Zoti e ndihmoftë drejtësinë dhe e shpëtoftë vendin tonë nga çdo e keqe!”, thekson Dajaku.

“Më e dhimbshme mbi të gjitha është se në masë të madhe duke filluar nga udhëheqës të institucioneve të Kosovës, qeveri, parlament, parti, njerëz të biznesit, të politikës, mediume të shumta, analistë, debate, prononcime, rrjete sociale.... etj, nuk flet askush thuaja për drejtësi por shtyhen e fajësojnë njeri-tjetrin për Gjykatën Speciale, jo e ka bërë ky, jo e ke votu ti, fajin e kanë ata që e kanë votu e kështu me radhë, pra gati të gjithë kundër drejtësisë”, përfundon për “Bota sot”, ish ushtari i UÇK-së, Xhevat Dajaku, vëllai i Besim Dajakut dhe ish truprojë e presidentit, Ibrahim Rugova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat