Kur do të marrë fund skenari serbo-rus në veri / Për çfarë paralajmërohet Kosova?

Politika

Kur do të marrë fund skenari serbo-rus në veri / Për çfarë paralajmërohet Kosova?

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 20 dhjetor 2022 Në ora: 08:03
Pamje nga veriu i vendit

Barrikadat e vendosura në veriun e Kosovës nga bandat kriminale serbe vazhdojnë të qëndrojnë në disa nga rrugët kryesore që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë dhe me rrugët që e lidhin veriun me jugun e Kosovës.

Gjithçka që dihet deri në këto momente është se ka një thirrje të vazhdueshme nga SHBA-të dhe vende të tjera që barrikadat duhet të largohen me urgjencë, por që deri tani nuk ka asnjë lëvizje në këtë drejtim.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në një nga paraqitjet e tij publike duke folur për situatën në veri ka thënë se po presin nga KFOR-i që të reagojë duke aluduar kështu largimin e barrikadave nga kjo forcë.

Deri në këto momente nuk ka asnjë lëvizje.

KFOR-i, por edhe NATO-ja disa herë kanë thënë se do të ketë zbatim të mandatit të tyre që nënkupton se barrikadat mund të largohen nga rrugët që çojnë në drejtim të dy pikave kufitare.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se janë të gatshme, të afta dhe vigjilente, dhe se NATO-ja është duke e monitoruar situatën me kujdes.

Por kërkojnë nga të dy palët, Kosova dhe Serbia që t’i shmangin tensionet që nxisin përshkallëzim.

Mirëpo edhe sa do të zgjasë kjo situatë në veri të vendit?

Tërnava: KFOR-i në përgjithësi e kanë situatën nën kontroll

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, flet eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava.

Image
Hajrullah Tërnava

Ai u shpreh se që grupet paramilitare janë duke i zhvilluar aktivitetet e tyre për ta destabilizuar veriun e vendit.

Situata e krijuar në ato pjesë të veriut, po na e dëshmon situatën e vërtetë që grupet paramilitare janë duke i zhvilluar aktivitetet e tyre, të mbikëqyrura nga të mëdhenjtë e shtetit serb, të cilët i marrin ato detyra të tilla nga ata, që ato detyra ata i kryejnë në përpikëri për t’i arritur ato qëllime që ua kanë dhënë shefat e tyre, prandaj krejt këto veprime të atyre paramilitarëve janë veprime që i kanë planifikuar të mëdhenjtë e Serbisë, e që duan me i realizuar qëllimet e tyre politike”, u shpreh ai.

Më tej, Tërnava thotë që KFOR-i në përgjithësi e kanë situatën nën kontroll dhe i kanë të gjitha të dhënat se çfarë po ndodhë në ato pjesë të veriut.

KFOR-i i cili i menaxhon ato pjesë të veriut, në menaxhimin e saj në këto kohëra nuk hasë në veprime-rezistencë të dhunshme të atyre paramilitarëve. Është fjala që ata paramilitarë nuk e kundërshtojnë drejtpërsëdrejti KFOR-in. Prandaj KFOR-i, në këtë rast nuk ndërmerr ndaj tyre ndonjë veprim luftarak sepse veprimet e tyre janë të koordinuara me pushtetarët e Serbisë, por nuk krijojnë pengesa ndaj përfaqësuesve të KFOR-it, edhe sjelljet e tyre ndaj tyre janë në mënyrë të qetë, edhe që KFOR-i në përgjithësi e kanë situatën nën kontroll dhe i kanë të gjitha të dhënat se çfarë po ndodhë në ato pjesë të veriut”, shpjegon eksperti i sigurisë.

Ndër të tjera, ai shton se çështje është aq e ndjeshme, e cila me një gabim të vogël mund të komplikohet dhe të krijohet konflikt, që kishte me eskalue deri në konflikt luftarak.

Deri në zgjedhjen e kësaj çështje përfundimtare me Serbinë, dhe kjo çështje e barrikadave që po e krijojnë paramilitarët është në ligjshmërinë e shtetit të Kosovës me qeverinë në pushtet, e cila duhet si kompetencë ligjore ta zgjedh këtë çështje dhe në ato pjesë të Kosovës t’i jetësoj ato ligje të Kosovës si në të gjitha pjesët e saja që jetësohen në Kosovë. Meqenëse tani çështja e Kosovës është temë aktuale e zgjedhjes së saj, në të cilën po marrin pjesë ndërkombëtarët prandaj kjo çështje është aq e ndjeshme, e cila me një gabim të vogël mundet situata me u kompliku dhe me u kriju konflikte që kishte me eskalue deri në konflikt luftarak. Prandaj, për tani duhet një mençuri diplomatike ku këto mosmarrëveshje të zgjidhen në mënyra të qeta dhe njëherë e përgjithmonë të vie deri te pajtimi dhe njohjeve reciproke mes këtyre shteteve”, përfundon Tërnava për “Bota sot”.

Duhanaj: Gjendja e jashtëzakonshme, e barrikaduar në veri, nuk e ndihmon pozicionin e Kosovës në dialog por atë të Serbisë

Ndërsa analisti politik, Leon Duhanaj, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh se skenaristët gjenden në Beograd e Moskë, por ajo çfarë z. Kurti dështoi dhe po dështon vazhdimisht ta bëjë, është qasja konstruktive në proces.

Image
Leon Duhanaj

E gjithë kjo katrahurë në veri, ka filluar si rezultat i qasjes destruktive të Serbisë dhe strukturave paralele të udhëhequra nga Lista Serbe dhe kryeneçësisë së kryeministrit Kurti, i cili pothuajse në çdo vendim që ka marrë në raport me veriun, është detyruar të tërhiqet. Kjo nuk do të thotë se Kryeministri i ka fajet ekskluzive për situatën, sepse skenaristët gjenden në Beograd e Moskë, por ajo çfarë z. Kurti dështoi dhe po dështon vazhdimisht ta bëjë, është qasja konstruktive në proces. Qeveria dhe institucionet tjera përfshirë edhe Presidencën, të ndikuara nga Kryeministri Kurti, njëzërit po dështojnë të nxjerrin imazhin e Kosovës si bashkëpunuese në proces. Kjo qasje është vërtetë për keqardhje, sepse në të gjitha proceset kemi qenë fitues vetëm falë konstruktivitetit në dialog”, thekson ai.

Nga ana tjetër analisti shton që agjenda e jashtëzakonshme, e barrikaduar në veri, nuk e ndihmon pozicionin e Kosovës në dialog, por atë të Serbisë.

Tani më Kosova po akuzohet hapur për qasje destruktive dhe kjo është tejet e dëmshme për proceset që na presin. Gjendja e jashtëzakonshme, e barrikaduar në veri, nuk e ndihmon pozicionin e Kosovës në dialog, por atë të Serbisë. Agjenturat ruso-serbe po e shfrytëzojnë këtë situatë për tensione të reja dhe po të mos ishin forcat e KFOR-it në Kosovë, nuk dua as ta mendoj në çfarë situate kishim me qenë. Pra, Kosova është e sigurtë vetëm falë garancive ndërkombëtare”, nënvizon analisti.

Në fund, ai thekson që sot nuk është koha të nxisim luftë e as të diskutojmë me fjalor lufte, por të sillemi në nivel të detyrës duke koordinuar hapat me miqtë tanë, sidomos ata amerikan.

“Koha e trimërisë ishte dhe kush pat guxim dhe dëshirë e dha kontributin e vetë. Të tjerët duhet ta respektojnë të kaluarën dhe të sillen konform nevojave të kohës. Sot nuk është koha të nxisim luftë e as të diskutojmë me fjalor lufte, por të sillemi në nivel të detyrës duke koordinuar hapat me miqtë tanë, sidomos ata amerikan, sepse përndryshe dëmet do të jenë të pariparueshme”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat