“Koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar”, por Escobar i zbuloi pasardhësit e tyre

Politika

“Koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar”, por Escobar i zbuloi pasardhësit e tyre

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 20 dhjetor 2022 Në ora: 11:51
Hashim Thaçi dhe Vjosa Osmani

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar njëherë e përgjithmonë. Ajo këtë deklaratë që nxiti debat tek mbrojtësit e Hashim Thaçit dhe të ndarjes së Kosovës, e ka dhënë në adresimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës. Osmani ka thënë po ashtu se Kosova për herë të parë ka politikë të jashtme që i shërben vendit dhe jo individëve.

“Por, po ju tregoj çfarë nuk ka Kosova tani. Nuk ka lobim për ndryshim kufijsh, nuk ka pagesa lobistësh për të shtyrë përpara agjenda puro individuale, nuk ka intervista të paguara për të promovuar liderë të caktuar, nuk ka flirtime me Serbinë dhe Rusinë me qëllim të interesave individuale, nuk ka udhëheqës që e krahasojnë Kosovën me Nagorno-Karabakhun me Abkhazinë e Krimenë”, ka thënë ajo.

“Koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar njëherë e përgjithmonë. Sfidat natyrisht që janë të panumërta në politikën e jashtme, sepse gabimet kanë qenë të mëdha në të kaluarën. Natyrisht që kjo politikë e jashtme e fokusuar në interesin e Kosovës dhe jo të individëve, po ju pengon disave, jo vetëm në Serbi por edhe jashtë saj”, ka theksuar ditë më parë presidentja Osmani.

Ndaj deklarimit vjetor të Presidentes Osmani ka pasur shumë reagime, sidomos nga opozita. Madje deputetja opozitare, Ganimete Musliu ka reaguar duke e ofenduar rëndë Presidenten.

“Të gjykosh të tjerët për pamjen nuk është mirë, por meqenëse ti vet e paske bërë pamjen tënde pjesë të fjalimit vjetor, atëherë na thuaj: A nuk është zmbrapsje ikja dhe operimi i lukthit në Turqi? Dhe atë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Si presidente ti do të mbahesh në mend veç si inatçore, kompleksegjike, përçarëse dhe urrejtëse deri në palcë! Meqë paske hyrë te kilogramët, po ta them troç: Do të mbahesh në mend si një GRUA që hyri në Presidencë me 100 kg e do të dalë nga aty me 50 kg. Ti mund të jesh çka do përveç Presidente”, ka shkruar Musliu në “Facebook”.

Pajtimin me ndarjen e Kosovës më së miri e shprehin, ata që janë mësuar t’ia dalin në mbrojtje një ish-udhëheqësi, pavarësisht se nëse atdheu humb territor.

Këtë e ka shfaqur në një reagim për ‘tregtarët e kufijve’, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK), Faton Klinaku. Madje ai e ka cilësuar patriotizëm përpjekjen për ndarje të Kosovës, ku vendi do të humbte rreth 5% të territorit.

“Përpjekja shtetërore e presidentit Hashim Thaçi që shqiptarët e Kosovës Lindore t’i gëzojnë të drejtat e njëjta me serbët e veriut, e që synim kishte shpëtimin e atij territori të banuar me shumicë shqiptare e që vit pas viti po tkurret dhe do të mbetet pakicë, paçka nëse kjo përpjekje do të dërgonte edhe në korrigjim kufijsh në mes të Kosovës dhe Serbisë, të quhet tregti, përveç që është absurde, është budallaki, por dhe e dëmshme për Kosovën dhe shqiptarët”, ka thënë ai.

Qarri: “Njerëzit janë ata të cilët i bëjnë shtetet”, por në Kosovë janë njerëzit ata që e shkatërrojnë shtetin

Image
Gani Qarri

Lidhur me këto deklarata të Presidentes dhe më pas reagimet, ka folur publicisti dhe njohësi i ҫështjeve politike, Gani Qarri. Ai thotë se, ‘koha e tregtarëve të kufijve, siç e tha edhe presidentja e vendit, për momentin, duket se mund të ketë kaluar, por është shumë e sigurtë, se nuk kanë përfunduar edhe tregtarët perfid, të cilët po u erdhi mundësia, jo vetëm që do t’i rikthejnë ato kohë të rrezikshme për vendin, por edhe do ta ndajnë e ricopëtojnë sërish, si dhe shesin pa kurrfarë sikleti, përsëri tokat e Kosovës, njëjtë si paraardhësit e tyre partiak e ideologjik, kuislingu Thaçi e renegati Isa Mustafa’.

“Kurse krahas tyre, nuk mund të harrohet as Ramuash Haradinaj, i cili ende është kryetar partie, ani pse, ai me të ardhur në krye të Qeverisë së PAN-it, bashkë me Hashim Thaçin, Isa Mustafën e Kadri Veselin, ia falën mbi 8200 hektarë tokë autoktone të Kosovës, shtetit xhuxh - Malit të Zi! Ideja e ndarjes, faljes së veriut dhe ndryshimit të kufijve të Kosovës, vijon të jetë edhe sot, jo vetëm, fort prezentë, por edhe si kërkesë dominuese, sidomos nga udhëheqësit kryesor të PDK-së, që nga nënkryetarja aktuale Vlora Çitaku, Ramë Buja e herë herë edhe Enver Hoxhaj. Prandaj është e vërtetë, se siç shprehet presidentja e vendit Dr. Vjosa Osmani: “Njerëzit janë ata të cilët i bëjnë shtetet”, por fatkeqësisht, në rastin e Kosovës, është vërtetuar edhe fakti tjetër i dhembshëm, se “njerëzit” janë po ata, që edhe i shkatërrojnë shtetet e sapo ngritura me aq shumë gjakë e mund, mu në zanafillën e tyre, siç vepruan ish-udhëheqësit e shantazhuar të shtetit tonë të brishtë”, thekson Qarri.

Ai tutje thotë se, edhe pasardhësit e Thaҫit dhe Mustafës, duke u referuar tek Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku, janë të gatshëm ta formojnë Zajedincën.

“Madje siç shprehet populli ynë i shumëvuajtur, ata u dolën “Kapuç me maje” qytetarëve dhe shtetit të Kosovës, jo vetëm me shitjen e tokave tona, vendeve hegjemoniste fqinje, duke i humbur për “vitra”, vetëm brenda pak vitesh, më se 10 mijë hektar tokë të vlershme të Kosovës, (Mbi 2.500 sosh FYROM-it dhe 8230 tjera Malit të Zi), por veçanërisht me nënshkrimin dy herë, të marrëveshjes për krijimin e ngrehinës së pa qenë asnjëherë-serbe, në këto troje, si "zajednica" kundërkushtetuese dhe miratimi i saj në Kuvend me votat e shumicës dërmuese të deputetëve, të detyruar nga tandemi renegat Thaçi & Mustafa. Për aq më tepër, siç dëshmoi këto ditë, me rastin e vizitës në Kosovë, vet emisari i lartë amerikan për Ballkanin, Gabriel Eskobar, dhemb shumë fakti tjetër edhe më i rëndë, se edhe pasardhësit e Thaçit e të Isa Mustafës, aktualisht në krye të dy partive të inkriminuara PDK & LDK, janë zotuar para tij, se ata janë të gatshëm edhe ta formojnë "zajednicën" kundërkushtetuese një etnike serbe”, vlerëson ai.

Qarri thotë më tutje se, njëjtë si Thaçin e Isa Mustafën edhe Memli Krasniqin e Lumir Abdixhikun, nuk i zmbrapsin as kritikat e vazhdueshme nga populli dhe qytetarët e vendit, si dhe rreziku për shuarjen e shtetit të Kosovës, ani pse, që të dy, janë plotësisht të vetëdijshëm, se krijimi i “zajednicës”, është vetëm hapi pararendës për ndarjen dhe gllabërimin e veriut, përfshi minierat e Trepçës dhe Liqenin e Ujmanit nga Serbia, pa të cilat, Kosova e ka të pamundur të mbijetojë dhe me humbjen e këtyre dy aseteve kapitale dhe kaq jetike për vendin, do të shuhej përfundimisht edhe shtetësia e Kosovës, gjë që është edhe qëllimi kryesor i Serbisë hegjemoniste.

“Shto krejt kësaj reagimet me fjalorë aq të ulët, nga të dy këto parti, kundër presidentes së vendit, vetëm pse ajo në fjalimin e saj të fundvitit, shprehu një “gjendje”, më tepër të dëshirueshme e formë inkurajuese për qytetarët dhe atdhedashësit e njëmendtë të Kosovës, se sa të “vërtetë” të sigurt e përfundimisht të garantuar, shihet qartë se partitë e inkriminuara, nuk janë penduar aspak, për nënshkrimin e marrëveshjeve kaq të dëmshme në kurriz të Kosovës, nga ish udhëheqësit renegat. E për aq më keq, partitë e inkriminuara dhe kryesore opozitare PDK & LDK edhe nën drejtimin e kryetarëve të rinj, janë në gjendje që, ta çojnë deri në fund amanetin e paraardhësve të tyre partiak, për shitjen e tokave tona etnike dhe faljen e veriut të vendit tonë Serbisë hegjemoniste, vetëm që nesër të mund të "krenohen", se formimin e "zajednicës" të nënshkruar nga kuislingu Hashim Thaçi dhe renegati Isa Mustafa, nuk patën forcë ta ndalnin as Albin Kurti e Vjosa Osmani, pa çarë fare kokën, se ky akt i paprecedent tradhtie, çon në shuarjen e tërësishme të shtetit të Kosovës”, thotë analisti Qarri për “Bota sot”.

Mulliqi: Serbia për shumë vite ishte në ofensivë politike, duke na imponuar edhe agjendat e bisedimeve

Image
Skender Mulliqi

Ndërkaq analisti tjetër politik, Skender Mulliqi thotë se ka qenë koha e fundit e ndryshimeve pozitive në Kosovë. Këto ndryshime erdhën me zgjedhjet e fundit të jashtëzakonshme nacionale. Pas luftës na u shfaqën shumë dukuri negative, si krimi i organizuar, korrupsioni, klientelizmi, nepotizmi, të cilat dukuri e varfëruan skajshmërisht vendin, e dalë nga flakët e luftës çlirimtare.

“Këto zhvillime shumë prej tyre negative pak kush i kishte pritur, kur dihet se shumë gjatë ishim në robëri nga Serbia. Njerëzit që e drejtuan Kosovën e pas luftës, nuk u treguan sa duhet të dinjitetshëm dhe me moral të lartë politik, si komponente kryesore në politikëbërje. Jo që keq u punua në planin e brendshëm zhvillimor e politik, por edhe më keq u punua në planin e politikave të jashtme të vendit. Nuk kishim diplomaci dhe diplomatë të denjë, të cilët e përfaqësojnë Kosovën mirë, sidomos në bisedimet maratonike me Serbinë. Tregtisë me toka tona më duket mua ju kanë pri zhvillimi jo në nivel të duhur të bisedimeve me Serbinë, për normalizim të marrëdhënieve të ndërsjella. Serbia për shumë vite ishte në ofensivë politike, duke na imponuar edhe agjendat e bisedimeve”, thotë Mulliqi.

Ai thotë më tutje se, nga shumë marrëveshje të nënshkruara me shtetin serb, më së keqi Kosova pësoi me humbje të territorit. Së pari u humbën mbi 2000 hektarë tokë në kufirin me Maqedoninë e Veriut, pastaj për të vazhduar kjo tregti, të shprehem ashtu me tokat tona, me demarkacionin me Malin e Zi, ku u humbën mbi 8200 hektarë tokë, dhe kjo humbje që nuk u kthye kurrë më, u legjitimua me kauza të rreme, si justifikim, se gjoja kështu po thotë Amerika etj.

“Këto janë ato që ka menduar sigurisht edhe presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, kur ka thënë se “ka përfunduar koha e tregtarëve të kufijve”. Dhe, Osmani ka aluduar në Thaҫin dhe Ramën, të cilët koketuan me Vuҫiqin për shkëmbime territoriale, si diҫka e papranueshme për Kosovën dhe shqiptarët në rajon. Kur jemi tek kjo temë mos të harrojmë se një argat të madh që kjo mos të ndodhë e ka edhe ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel. Ardhja e forcave të reja në pushtet ishte, dhe duhet të jetë shpresë e re, së bashku më miqtë tanë në botë dhe Amerikën mike, se nuk do të lejohet ndarja mbi baza etnike e Kosovës, gjë që po pretendon edhe me dhunë ta realizojnë, Putini dhe Vuçiqi në veri të vendit”, vlerëson ai.

Mulliqi thotë se shtimi i forcave ushtarake dhe paramilitarëve të ndryshëm serbë, edhe mercenarëve rusë, ka ngrehë me arsye shqetësimet në mesin e shqiptarëve kudo që janë.

“Shpresojmë se nuk duhet lejuar të ndodhë, që të humbet pjesa më e pasur e Kosovës. Vendosja e barrikadave nga kriminelët serbë, janë përpjekje për ndarje etnike. Zhurma mediatike jo vetëm ndaj këtij deklarimi të Osmanit, dhe zhurma opozitare, që po bëhet prej se në krye të presidencës, ka ardhur zonja Osmani dhe në krye të ekzekutivit, ka ardhur Albin Kurti, kanë për qëllim që opozita, ta rrëzojë edhe këtë qeveri nga pushteti, sikur e kanë rrëzuar qeverinë Kurti 1. Nuk justifikohet ky kor i përbashkët, kur vendi po përballet në veri me krizën e madhe, e prodhuar nga strukturat kriminale serbe, të cilat po vënë barrikada, po gjuajnë me bomba duke plagosur shqiptarë, për ta bërë faktik, asociacionin me kompetenca ekzekutive, që do të thotë fillimisht autonomi e gjerë për minoritetin serb, duke u ngritur pa vonuar shumë, në një republikë serbe, sipas modelit të asaj në Bosnje. Edhe në këtë ka menduar më duket mua presidentja, Vjosa Osmani. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, dhe kjo duhet të mbrohet nga të gjithë, pozitë e opozitë, dhe nga të gjithë qytetarët e Kosovës. Vendit i ndihmohet me opozitarizëm konstruktiv, se mjaft gjatë kemi stagnuar në procese, e jo të kemi zënka të ndërsjella dhe akuza jo parimore, të cilat më së paku na duhen sot”, vlerëson analisti Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat