Gjykata Speciale godet autorët e vrasjeve politike! Mesazhi i fuqishëm që jep dënimi i komandant “Calit”

Politika

Gjykata Speciale godet autorët e vrasjeve politike! Mesazhi i fuqishëm që jep dënimi i komandant “Calit”

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 20 dhjetor 2022 Në ora: 16:26
Salih Mustafa

Gjykata Speciale e ka dhënë dënimin e parë për vrasjet që kanë ndodhur në Kosovë. Është Salih Mustafa, i njohur si komandant Cali, ai i cili është dënuar me 26 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara, të njohura si gjykata speciale, ku sipas aktakuzës, nga shumica e viktimave të komandant Calit, ishin shqiptarë dhe anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

"Trupi gjykues ju dënon me vendim të njësuar me 26 vjet burgim, ku do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim", ka thënë në shpalljen e vendimit kryegjykatësja Mappie Veldt-Foglia, e cila edhe njëherë ka bërë të ditur se krimet janë kryer ndaj shqiptarëve, dhe se nuk po dënohet për vrasjen e asnjë serbi.

E ky vendim i Speciales ka ngjallur shpresën e familjarëve të viktimave të vrasjeve politike që kanë ndodhur në Kosovë, se drejtësia më në fund po e thotë fjalën e vet.

Kështu së paku pret edhe Xhevat Dajaku, vëllai i Besim Dajakut, i cili ishte njëri nga viktimat e vrasjeve politike, i cili u qëllua për vdekje në një atentat në tetor të vitit 2001, ku mbet i vrarë edhe gazetari i “Bota sot”, Bekim Kastrati.

Mesazh i fuqishëm i Speciales

“Kuptohet në shoqëritë e civilizuara, drejtësi kërkojnë të gjithë, dhe nuk ndalemi derisa ajo ta jap fjalën e saj. Edhe këtu në Kosovë, ne familjarët edhe shumë njerëz të tjerë kërkojmë vazhdimisht që dora e drejtësisë të veprojë pa kompromise. Për fat të keq këtu nuk u pjekën kushtet për të vepruar drejtësia, sidomos për vrasjet politike, d.m.th. faktorët relevant nuk e bën të mundur një gjë të tillë, sepse me siguri dikush apo shumëkush nga skena politike ishte i përfshirë drejtpërdrejtë në ato vrasje”, thotë Dajakut për “Bota sot”, sipas të cilit, dënimi i Salih Mustafës është një mesazh i fuqishëm e drejtësia po vie më në fund.

Image
Xhevat Dajaku

Ai e konsideron vendimin e speciales, si një mesazh të fuqishëm.

“Dënimi ndaj "Calit" është një mesazh i fuqishëm i drejtësisë e cila më në fund po e thotë fjalën e vet. Ne kemi pas besim te kjo gjykatë dhe vazhdojmë të kemi akoma më shumë dhe mund të thuash se është shpresa e fundit për zbardhjen e të vërtetës së vrasjeve politike dhe të tjera në forma "misterioze"”, shprehet Dajaku.

Më tej, Dajaku kritikon të gjithë ata që dolën kundër vendimit të gjykatës speciale, duke përfshirë edhe kryeministrin, Albin Kurti.

“Ata të cilët po mundohen këto gjykime t'i paraqesin si gjykime kundër UÇK-së ose janë të porositur ose nuk janë duke e dëgjuar të vërteten dhe qasja e tyre është më e dëmshme se vet gjykimi i të dyshuarve. Reagimi i Kryeministrit, ministrave dhe disa politikanëve e partive të ndryshme kundër gjykatës dhe prononcimet kundër drejtësisë janë të tmerrshme, ato e zbehin edhe më shumë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe perceptohet si një kërcenim serioz ndaj dëshmitarëve dhe të gjithë atyre që dëshirojnë dhe janë të gatshëm të bashkëpunojnë me drejtësinë”, deklaron Xhevat Dajaku, vëllai i Besim Dajakut.

Ai thotë se në speciale nuk po akuzohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, por individët e dyshuar për krime.

“Stejt Depertamenti Amerikan e përshëndeti vendimin e gjykatës dhe tregoi qartë se aty nuk po gjykohet as Kosova as lufta e UÇK-së, por po gjykohen individë për vepra penale! Ne shpresojmë se shumë vrasje gjykata do t'i zbardhë! Zoti e ndihmoftë drejtësinë dhe e shpëtoftë vendin tonë nga çdo e keqe!”, thekson Dajaku.

Ai thotë se është e habitshme se si ka kaq shumë figura publike në institucione, në parti, në media, që janë kundër vendosjes së drejtësisë.

“Më e dhimbshme mbi të gjitha është se në masë të madhe duke filluar nga udhëheqës të institucioneve të Kosovës, qeveria, parlament, parti, njerëz të biznesit, të politikës, mediume të shumta, shumë analistë, debate, prononcime, rrjete sociale.... etj, nuk flet askush thuaja për drejtësi, por shtyhen e fajësojnë njëri-tjetrin për gjykatën speciale, jo e ka bërë ky, jo e ke votu ti, fajin e kanë ata që e kanë votu e kështu me radhë, pra gati të gjithë kundër drejtësisë”, nënvizon për “Bota sot”, Xhevat Dajaku, vëllai i Besim Dajakut dhe ish truprojë e presidentit, Ibrahim Rugova.

Shpresat te gjykata speciale

E Shpëtim Hajdaraj, djali i ish deputetit të LDK-së, Smajl Hajdaraj, i vrarë më 17 janar të vitit 2002, thotë se gjykata speciale ka vërtetuar pretendimet e prokurorisë për krimet që kishte kryer komandant “Cali”.

“Ne e pamë se Gjykata i vërtetoi pretendimet e Prokurorisë. Tepër e dhimbshme që në ato rrethana lufte dhe terrori nga shteti serb, janë vra e maltretu shqiptarë edhe nga këta individë. Ne si shoqëri duhet me qenë në anën e viktimave, edhe pse fatkeqësisht realiteti është ndryshe. Drejtësia për ato viktima është drejtësi për të gjithë ne, ndërsa duhet të qëndrojmë larg mendimeve shabllonizuese dhe euforike në kor dhe të çastit, e që e dëmtojnë shoqërinë dhe shtetin tonë të ri për nga mosha, por me ideale të mëdha. Ideale të cilat nuk duhet t’i dëmtojmë me mendime kuturu, shabllonizuese, uniforme dhe të paqëndrueshme”, deklaron Hajdaraj.

Image
Shpetim Hajdaraj

Sipas tij, gjykata speciale është shpresa për zbardhjen e vrasjeve politike që kanë ndodhur në Kosovë.

“Që nga fillimi i krijimit të gjykatës speciale kam shpresuar se një ditë edhe vrasjet me motive politike do të ndriçohen, dhe ende vazhdoj të shpresojë! Sa do të vonojë –nuk e di. Kemi vuajtur shumë këto 20 e sa vite. Është çështje universale, dhe universi do ta ‘gjejë mënyrën’ për të na e sjellë drejtësinë edhe neve. Uroj dhe shpresoj!”, shprehet Hajdaraj.

Drejtësia po triumfon

Kurse sipas ish-bashkëluftëtarit të heroit Sali Çekaj, Saim Tahirajt vendimi i gjykatës speciale në Hagë, është një fije drite që ngjallë shpresën se më në fund drejtësia po fillon të vihet në vend për vrasjet që kanë ndodhur ndaj anëtarëve të LDK-së.

“Shumë vrasje me motive politike që ndodhën në Kosovë dhe në territorin e Shqipërisë kundër veprimtarëve dhe funksionarëve të LDK-së, kundër ushtarakëve dhe komandantëve të FARK-ut, asnjëherë nuk u trajtuan dhe kurrë nuk morën epilogun përfundimtarë. Nuk u trajtuan asnjëherë nga gjykatat vendore sepse ato ishin të kapura nga bandat kriminale që ishin në maja të pushtetit në Kosovë, edhe ata pak gjykatës dhe prokurorë që kishin vullnetin për të vënë drejtësi, nuk e kishin guximin sepse ishin të kërcënuar me jetë!”, thotë Tahiraj për “Bota sot”.

Image
Saim Tahiraj

Disa raste që u hetuan nga drejtësia ndërkombëtare në Kosovë, si UNMIK-u e EULEX-i, nuk dhanë rezultate, përkundrazi çuan në mbylljen e dosjeve.

“Disa raste që i hetuan prokurorët dhe trajtuan gjykatat ndërkombëtare kurrë nuk morën epilog përfundimtar, por mbetën në arkiva për historianët e rijnë dhe të guximshëm sepse këta të sotmit nuk e kanë guximin të merren me to, me ndonjë përjashtim të vogël si historiani Buxhovi. Të gjitha këto zhvillime dramatike e shuan shpresën te familjarët e të vrarëve se do të ketë drejtësi për ta”, shprehet Tahiraj.

Siç thotë Tahiraj, vendimi nga gjykata speciale për Salih Mustafën, riktheu shpresat e humbura se drejtësia do të triumfojë.

“Vendimi që mori gjykata speciale për të akuzuarin Mustafa, me dënim 26 vite burg, ishte një lajm që hapi një horizont të ri, i cili ktheu shpresat e humbura, se më në fund drejtësia filloi të vihet në vendin që i takon. Me këtë vendim gjykata speciale tregoi se nuk ka më ndikime politike, kapje të gjykatës dhe prokurorisë nga bandat kriminale, korrupsion apo forma tjera të shantazhit. Ky vendim mbushi me optimizëm të gjitha familjet e viktimave, popullin shumicë në Kosovë dhe ringjalli shpresën se drejtësia do të vendoset në vend për secilën viktimë që u viktimizua nga bandat kriminale”, deklaron Saim Tahiraj për “Bota sot”.

Më tej, ai thekson se vetëm me zbardhjen e vrasjeve politike dhe dënimin e të akuzuarve, atëherë liria e Kosovës do të jetë e plotë.

“Urojmë dhe lutemi që ky fillim i mbarë të vazhdoj pa u lakuar, por drejt, dhe të gjithë kriminelët të marrin dënimin e merituar. Vetëm atëherë liria në Kosovë do ta ketë kuptimin e plotë, viktimat do të prehen të qetë dhe familjarët e tyre do të vendosin lule mbi varret e tyre, të liruara nga ankthi i padrejtësisë dhe linçimit. Me sa dëshirë do e shihja fytyrën e buzëqeshur dhe plot lumturi të mikut tim Fetah Rudit kur kriminelët që e lanë në karrocën e invalidit do e marrin dënimin e merituar”, nënvizon Tahiraj.

Për fund, Tahiraj kritikon edhe vizitat që po u bëhen të akuzuarve të speciales, të cilët akuzohen për vrasjet e anëtarëve të LDK-së.

“Themelimi i gjykatës speciale nga Parlamenti i Kosovës, si Gjykatë e Kosovës por me seli në Hagë, sadopak e ngjalli një grimë shpresë për këto familje. Arrestimi i të dyshuarve të parë, të cilët mbanin pozita të larta shtetërore, filloi ta ngjallë këtë shpresë të venitur. Për dy vite pati zhvillime të zbehta për opinionin, por pa vendime përfundimtare, familjarët e viktimave pritnin në ankthe, me shpresë të thyer se më në fund do të ndodhi diçka konkrete dhe bindëse. Shumë vizita iu bënë të dyshuarve në Hagë si nga ish presidentët nga Shqipëria dhe Kosova, përfaqësues të institucioneve të larta shtetërore nga këto dy vende, alamet intelektual, profesorë, prijësit e klerit fetarë të tri feve kryesore nga Kosova, lider të partive politike, madje çuditërisht edhe nga LDK-ja ku të gjitha viktimat ishin pikërisht nga kjo parti! Të gjitha këto vizita ishin mbështetje dhe përkrahje morale për të dyshuarit pa pasur fare mëshirë për viktimat dhe familjet e tyre, të cilat pësuan edhe një thyerje tjetër morale. A thua vallë çfarë shoqërie e pa moral njerëzorë jemi? Në vend që të rreshtohemi në anën e viktimave dhe t’i përkrahim ato, ne bëjmë të kundërtën, turpi i shekullit!”, shprehet për “Bota sot”, ish-bashkëluftëtari i heroit Sali Çekaj, Saim Tahiraj.

Obligimi i Speciales për vrasjet politike

Se dënimi i Salih Mustafës është drejtësi për viktimat, e thotë edhe analisti politik, Nexhat Haziri.

“Vendimi i gjykatës speciale të Kosovës për dënimin e Sali Mustafës, të ashtuquajturit komandant Cali, ka sjellë drejtësi për viktimat dhe ky pranim i vendimit të kësaj gjykata nga ana e shoqërisë kosovare, konfirmon fuqishëm pozicionin dhe orientimin tonë si shoqëri që respekton vendimet e institucioneve të drejtësisë për të garantuar sundim të ligjit. Natyrisht se vendimi i gjykatës speciale ndaj Sali Mustafës- Calit, ka ngjallur shpresë te familjet e viktimave të vrasjeve politike, se më në fund drejtësia po e gjen vendin e vet, dhe fajtorët do ta marrin dënimin e merituar”, deklaron Haziri.

Image
Nexhat Haziri

Më tej, ai thotë se është obligim i speciales zbardhja e vrasjeve politike që kanë ndodhur në Kosovë.

“Unë shpresoj se edhe vrasjet politike do të zbardhën nga kjo gjykatë, pasi është obligim dhe një nga kushtet që Kosova të lirohet nga kjo barrë e rëndë, familjet e të vrarëve, ta gjejnë qetësinë e tyre shpirtërore, dhe drejtësi për viktimat. Nuk mund të pretendojmë për shtet ligjor dhe demokratik pa zbardhjen e vrasjeve politike në Kosovë, pasi për dy dekada institucionet e drejtësisë në Kosovë edhe në kohën e UNMIK-ut, por edhe pas pavarësimit të vendit, dështuan apo nuk u morën fare me vrasjet politike në Kosovë gjatë dhe pas periudhës së luftës”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat