Tërnava: KFOR-i në përgjithësi e kanë situatën nën kontroll

Politika

Tërnava: KFOR-i në përgjithësi e kanë situatën nën kontroll

Nga: M.H. Më: 20 dhjetor 2022 Në ora: 18:33
Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava.

Situata në veri të vendit po vazhdon të ketë tensione dhe pa përmisim.

Ani pse kryeministri Kurti po pret ndërhyrjen e KFOR-t të njejtit nuk kanë ndërmarr ende asgjë.

Sot kanë kaluar njëmbëdhjetë ditë që nga barrikadat dhe situata vazhdon të jetë njësoj si në fillim.

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava.

Ai u shpreh se që grupet paramilitare janë duke i zhvilluar aktivitetet e tyre për ta destabilizuar veriun e vendit.

“Situata e krijuar në ato pjesë të veriut, po na e dëshmon situatën e vërtetë që grupet paramilitare janë duke i zhvilluar aktivitetet e tyre, të mbikëqyrura nga të mëdhenjtë e shtetit serb, të cilët i marrin ato detyra të tilla nga ata, që ato detyra ata i kryejnë në përpikëri për t’i arritur ato qëllime që ua kanë dhënë shefat e tyre, prandaj krejt këto veprime të atyre paramilitarëve janë veprime që i kanë planifikuar të mëdhenjtë e Serbisë, e që duan me i realizuar qëllimet e tyre politike”, u shpreh ai.

Më tej, Tërnava thotë që KFOR-i në përgjithësi e kanë situatën nën kontroll dhe i kanë të gjitha të dhënat se çfarë po ndodhë në ato pjesë të veriut.

“KFOR-i i cili i menaxhon ato pjesë të veriut, në menaxhimin e saj në këto kohëra nuk hasë në veprime-rezistencë të dhunshme të atyre paramilitarëve. Është fjala që ata paramilitarë nuk e kundërshtojnë drejtpërsëdrejti KFOR-in. Prandaj KFOR-i, në këtë rast nuk ndërmerr ndaj tyre ndonjë veprim luftarak sepse veprimet e tyre janë të koordinuara me pushtetarët e Serbisë, por nuk krijojnë pengesa ndaj përfaqësuesve të KFOR-it, edhe sjelljet e tyre ndaj tyre janë në mënyrë të qetë, edhe që KFOR-i në përgjithësi e kanë situatën nën kontroll dhe i kanë të gjitha të dhënat se çfarë po ndodhë në ato pjesë të veriut”, shpjegon eksperti i sigurisë.

Ndër të tjera, ai shton se çështje është aq e ndjeshme, e cila me një gabim të vogël mund të komplikohet dhe të krijohet konflikt, që kishte me eskalue deri në konflikt luftarak.

“Deri në zgjedhjen e kësaj çështje përfundimtare me Serbinë, dhe kjo çështje e barrikadave që po e krijojnë paramilitarët është në ligjshmërinë e shtetit të Kosovës me qeverinë në pushtet, e cila duhet si kompetencë ligjore ta zgjedh këtë çështje dhe në ato pjesë të Kosovës t’i jetësoj ato ligje të Kosovës si në të gjitha pjesët e saja që jetësohen në Kosovë. Meqenëse tani çështja e Kosovës është temë aktuale e zgjedhjes së saj, në të cilën po marrin pjesë ndërkombëtarët prandaj kjo çështje është aq e ndjeshme, e cila me një gabim të vogël mundet situata me u kompliku dhe me u kriju konflikte që kishte me eskalue deri në konflikt luftarak. Prandaj, për tani duhet një mençuri diplomatike ku këto mosmarrëveshje të zgjidhen në mënyra të qeta dhe njëherë e përgjithmonë të vie deri te pajtimi dhe njohjeve reciproke mes këtyre shteteve”, përfundon Tërnava për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat