Ja pse KFOR-i do t’i heq barrikadat / 12 Ditë barrikadim ruso-serb

Politika

Ja pse KFOR-i do t’i heq barrikadat / 12 Ditë barrikadim ruso-serb

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 21 dhjetor 2022 Në ora: 08:21
Pamje nga veriu i vendit

Në orët e fundit janë shtuar sulmet me bomba shokuese, provokimet, barrikadat dhe mënyrat e provokimeve nga grupet kriminale në veri, të pandëshkuara për më shumë se dy dekada.

Tashmë është e qartë se Serbia po përpiqet që mbylljen e rrugëve ta përdorë si armë presioni ndaj Kosovës, dhe që perëndimi t’i pranojë kërkesat e saj. Por, mbylljen e rrugëve gjermanët po e quajnë një akt të papranueshëm, duke kërkuar që gjërat të zgjidhen në tryezën e Brukselit, ku palët i pret modeli i mbiquajtur franko-gjerman.

Nuk dihet edhe sa kohë do t’i përdorin barrikadat për t’i maskuar kërkesat e vërteta politike, pakica prej më se 35 mijë vetash, që ëndërron për një republikë të tretë serbe, pas asaj në Bosnje.

Serbët e dirigjuar direkt nga Aleksandër Vuçiqi kanë vendosur barrikada të reja, të cilat bllokojnë lirinë e lëvizjes në veri. Kjo situatë e rënduar po vazhdon tashmë 12 ditë.

Lufta hibride ruse, e paralajmëruar një vit më parë tashmë po ndodhë.

Madje, edhe gazeta e njohur britanike, “The Guardian”, ka raportuar për akuzën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ndaj Federatës Ruse, e cila, sipas tij, po i nxit tensionet mes vendit tonë dhe Serbisë për shkak të dështimit të luftës në Ukrainë.

Shqetësimi ynë është që largimi i këtyre barrikadave nuk mund t’i përjashtojë pasojat dhe, për këtë arsye, ne duam që të jemi sa më të kujdesshëm që është e mundshme për t’u siguruar që nuk do të ketë destabilizim dhe që paqja relative e siguria të jenë të vendosura. Megjithatë, ne nuk mund ta lejojmë këtë shkelje të ligjshmërisë e të kushtetutshmërisë përgjithmonë, prandaj, po, kjo duhet të marrë fund, herët a vonë”, ka thënë Kurti për median britanike.

Por, kush do t’i heqë barrikadat në veri, KFOR-i, polica apo FSK-ja apo si do të ndodhë?

Shala: KFOR-i ka marrë nën kontroll gjithë situatën në veri

Për heqjen e barrikadave në veri, eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një përgjigje për “Bota sot” thotë se FSK-ja nuk do të marrë pjesë, e që sipas tij, KFOR-i ka marrë përsipër situatën në veri sa i përket edhe mandatit të rezolutës 1244.

Image
Drizan Shala

FSK-ja nuk do të marr pjesë në asnjë veprim operacional ushtarak që ka karakter civil brenda territorit të vendit.

KFOR-i ka paralajmëruar një ushtrim të tij që kontribuon në stabilitetin dhe garantimin e operacionalitetit të tij, në rast të kërkesës që mund t’i vijë nga niveli politik i Kosovës apo nga Eulex-i.

KFOR-i ka marr nën kontrollë gjithë situatën në veri sa i përket mandatit të tij në bazë të rezolutës 1244, për të garantuar siguri dhe si plan i tij është që nëpërmjet negociatave situata të vijë në sferën që KFOR-i mos ta përdor fare aparaturën e tij në terren”, thotë Shala.

Mehmeti: KFOR-i është përgjegjës për sigurinë ushtarake atje

Duke komentuar se cili institucion duhet të merret me heqjen e barrikadave në veri, Faton Mehmeti thotë se KFOR-i është përgjegjës për sigurinë ushtarake atje, kështu që ata duhet t’i heqin barrikadat, madje sipas tij, ato as që duhej lejuar që të vendoseshin njëherë.

Image
Faton Mehmeti

“Besoj se po, KFOR-i është përgjegjës për sigurinë ushtarake në veri dhe i takon t’i heqë barrikadat. Nëse nuk e bën, nuk është në krye të detyrës, për çka është autorizuar. Kështu që, nuk është dashur të lejohet as të ndodhin barrikadat, të hiqen një minutë e më parë”, thotë ai.

Derisa për FSK-në, Mehmeti thotë se ajo duhet të jetë në veri, të sigurojë shqiptarët atje, dhe të konfirmojë shtrirjen e sigurisë në gjithë vendin.

E kam thënë edhe më parë se FSK-ja duhet të jetë në veri, jo vetëm për t'i hequr barrikadat, por edhe për t’i ofruar siguri për shqiptarët atje dhe për të konfirmuar shtrirjen e sigurisë në tërë territorin e vendit. Besoj se barrikadat do të hiqen shpejt, KFOR-i kurrë mos të lejojë më të ndodhë një gjë e tillë”, përfundon Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat