Takimi ‘sekret’ në Zvicër që bëri bashkë pozitë e opozitë – analistët tregojnë prapaskenat!

Politika

Takimi ‘sekret’ në Zvicër që bëri bashkë pozitë e opozitë – analistët tregojnë prapaskenat!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 21 dhjetor 2022 Në ora: 14:17
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Mediumi zviceranë NZZ zbuloi për opinionin se janë mbajtur takime sekrete ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë.

Në raportin e publikuar nga Këshilli për Qeverisje Gjithëpërfshirëse thuhet se pjesëmarrësit trajtuan tensionet e fundit dhe perspektivat për një marrëveshje gjithëpërfshirëse bazuar në një kornizë të fundit të BE-së.

Për këtë reagoi edhe shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se takimet nuk janë sekrete dhe janë negociata. Sipas saj në këto takime marrin pjesë pozitë dhe opozitë.

Ndërkaq, shihet se pjesëmarrës në këto takime ishin edhe nga partia në pushtet, e madje edhe nga vetë Qeveria, si dhe nënkryetarët e partive të opozitës si dhe përfaqësues nga Serbia.

Ardian Gjini, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës; Lutfi Haziri, Lidhja Demokratike e Kosovës; Mimoza Kusari Lila, Lëvizja Vetëvendosje; Bernard Nikaj, Partia Demokratike e Kosovës; Gresa Baftiu, Këshilli për Qeverisje Gjithëpërfshirëse; Shpëtim Gashi, Këshilli për Qeverisje Gjithëpërfshirëse; Ndërsa nga pala serbe Gjorgje Paviçeviq, nga “Mos e lini Beogradin D(r) të zotërojë/Na duhet koalicion”; Sanda Rashkoviç Iviç, Partia Popullore; Alex Roinishvili Grigorev, Këshilli për Qeverisje Gjithëpërfshirëse; Branko Ruzhiç, Partia Socialiste e Serbisë; Nemanja Staroviç, Partia Përparimtare Serbe. Ndërsa nga nikoqirët ishte Roland Salvisberg, Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës;

Nga takimi sipas informacioneve të dhëna nga pjesëmarrësit ka dalur një ‘non paper’ dhe disa rekomandime.

Qeveria e Kosovës duhet ta formojë asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe duhet të nis të merret me hartimin e statutit. Ky është njëri nga rekomandimet që doli nga ai takim i zhvilluar nga 10-12 nëntor në Zvicër. Nga aty doli edhe sugjerimi për nevojën që brenda tre muajsh të gjendet një zgjidhje për zgjedhjet në veri. Atmosfera që mbizotëroi në këtë takim përshkruhet si racionale dhe konstruktive. Palët në fund e kanë miratuar një ‘non-paper’ ku ndër tjerash thuhet se marrëveshja gjithëpërfshirëse po bëhet urgjente.

Zbulimi i këtyre takimeve ngjalli reagime të shumta në opinionin publik.

Analistët politikë për “Bota sot” komentuan këto takime ‘sekrete’ dhe folën për prapaskenat e tij.

Mehazi: Takimet kosovare-serbe në Zvicër e kanë kuptimin e një mbrëmje politike

Image
Sulejman Mehazi

E lidhur me këtë temë në një prononcim për “Bota sot” foli njohësi i çështjeve politike dhe profesori Sulejman Mehazi.

Fillimisht, ai u shpreh se këtë takim nuk mund ta cilësoj si ‘sekret’ pasi aty thuhet se kanë marrë pjesë pozitë e opozitë, jo vetëm persona të autoritetshëm.

“Nuk do të thoshim se ka pasur ndonjë takim "sekret" në Zvicër në mes përfaqësuesve të partive kryesore shqiptare të Kosovës me përfaqësuesit e partive politike serbe, themi kështu pasi takimet sekrete bëhen vetëm me individ të autoritetshëm, individualisht, në mes dy të palëve kosovare-serbe e kurrsesi me të gjitha partitë parlamentare, pozitë e opozitë, tog, në një takim në Zvicër”, deklaroi ai

Madje, Mehazi përmendi edhe deklaratën e zëdhënëses së ministrisë së Jashtme të Zvicrës, sa i përket këtij takimi.

Më tej, ai tha se këto takime e kanë kuptimin e një mbrëmje politike në formën e takimeve ndërkombëtare poetike e kulturore e asgjë më shumë.

“Raportimi ‘spektakular’ në lidhje me takimin "sekret" është plasuar edhe në Kosovë duke raportuar gënjeshtra me do farë nonpapera dhe rekomandime famoze e jo të vërteta. Takimet kosovare-serbe në Zvicër e kanë kuptimin e një mbrëmje politike në formën e takimeve ndërkombëtare poetike e kulturore e asgjë më shumë”, vlerësoi Mehazi.

Ndër të tjera, profesori u shpreh i bindur se takimet e partive parlamentare të Kosovës me ato të Serbisë në Zvicër kanë qenë të hapura e jo të "fshehta", pasi sekretet politike nuk durojnë kallaballëk deputetësh.

“Sesa takimi në Zvicër ka qenë “sekret” i rrejshëm argumenton edhe Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari- Lila, e cila ka reaguar lidhur me raportimet e mediumit zviceran NZZ se janë mbajtur takime "sekrete" ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë.

Ajo ka thënë se takimet nuk janë sekrete dhe nuk janë negociata.

Pra, takimet e partive parlamentare të Kosovës me ato të Serbisë në Zvicër kanë qenë të hapura e jo të "fshehta", fshehtësitë apo sekretet politike nuk durojnë kallaballëk deputetësh pozitë e opozitë tog, kosovare-serbe”, përmbylli Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Mulliqi: Ky takim duket se ka qenë i përshpejtuar nga ngjarjet në Ukrainë, dhe nga ngjarjet e fundit në veri të Kosovës

Ndërsa, analisti tjetër politik, Skënder Mulliqi në një bashkëbisedim me “Bota sot” rikujtoi të kaluarën politike dhe bisedimet sekrete që mbanin ish-pushtetarët.

Image
Skënder Mulliqi

Kësisoj, potencoi se shkaku i takimeve dhe bisedimeve sekrete, u nënshkruan dy marrëveshje shumë të dëmshme për Kosovën, siç ishin demarkacioni me Malin e Zi dhe asociacioni.

“Bisedime sekrete quhen më shumë ato bisedime, kur fshehurazi përfaqësuesit më të lartë të dy shteteve, takohen në ndonjë vend. Ne kemi një përvojë jo të mirë nga e kaluara, ku ka munguar transparenca e duhur, për tema të rëndësisë të madhe shtetërore dhe nacionale. Nuk janë bërë shumë të ditura përmbajtjet e marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë. Janë nënshkruar shumë marrëveshje, dhe po të bëhet ndonjë anketë në opinion se cilat ishin temat e këtyre marrëveshjeve, sigurisht se ka një njohuri të vogël ose kurrfarë, e lëre më për brendinë e këtyre marrëveshjeve me shtetin serb. Kjo mos transparencë e duhur nga regjimet e kaluara, i ka kushtuar Kosovës, me firmosje të marrëveshjeve, të cilat kanë cenuar edhe sovranitetin e Kosovës. Dihet tashmë se cilat ishin dy marrëveshjet më të dëmshme për Kosovën, Demarkacioni me Malin e Zi, dhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, dhe Fusnota”, shpjegoi ai.

Ai përmendi të kaluarën me qëllim të rikujtimit të qeverisë së sotme dhe paralajmërimit që të mos i bëj gabimet e njëjta, sa i përket transparencës.

“E bëra këtu një hyrje për të dalë te tema e shtjelluar, se kanë lidhshmëri njëra temë me tjetrën. Ky pushtet i tashëm nuk guxon t’i përsërisë gabimet nga e kaluara, edhe kur bëhet fjalë për transparencë. Këto janë bisedimet finale me Serbinë, dhe çdo hap i gabuar apo mos transparencë mund t’i kushtojë shumë Kosovës. Kjo që po flitet në opinion se ka pasur takim ndërmjet palës shqiptare dhe asaj serbe, fshehurazi me datën 11 dhe 12 nëntor, në Zvicër, rezulton se ka pasur takime të tilla, të cilat i ka lansuar në opinion magazina zvicerane “NZZ”, e që e ka konfirmuar edhe shefja e grupit parlamentar të LVV, Mimosa Kusari Lila. Këso lloj takimesh thuhet se organizohen që nga viti 2015 nga Këshilli Gjithëpërfshirës –CIG”, nënvizoi analisti.

Krahas kësaj, Mulliqi tha se sa i përket këtij takimi ka pasur mungesë të informacionit.

Ai tha se nuk duhet mbetur sekret se për çka është folur konkretisht në këtë takim në Zvicër.

“Ky takim nuk ka qenë sekret, por që tek ne ka munguar informacioni se si dhe ku është mbajtur. Takimi për mënyrën e mbajtjes së fshehtë të tij, e që nuk është, ka prodhuar një Non-Paper. Ky takim duket se ka qenë i përshpejtuar nga ngjarjet në Ukrainë, dhe nga ngjarjet e fundit në veri të Kosovës, ku pushteti i Beogradit më strukturat paralele kriminale dhe më mercenarët rusë, po e mbajnë të destablizuar këtë pjesë të Kosovës, me shpërthime me bomba, më plagosje të policëve tanë dhe me vendosjen e barrikadave, me të cilat barrikada të këtyre grupeve të caktuara kriminale u mësuam krejt pas luftën”, vlerësoi ai.

Në fund, analisti tha se gjithë procesin e bisedimeve Kosovë-Serbi po e vështirësojnë pikëpamjet ultranacionaliste serbe, të lidhura fortë me regjimin kriminal të diktatorit Vladimir Putin.

“Se sa takimet e tilla prodhojnë stabilitet politikë mbetet të shihet në vazhdim. Situata nuk është qetësuar, se duket që barrikadat janë bërë problem politik, që të përdoren për zhvillimin e dialogut, e që nuk ishte dashur. Situata aktuale nuk përmirësohet me njerëz si Vuçiqi, Vulini dhe Daçiqi, eksponentë politikë të regjimit të Millosheviçit. Do të jetë vështirë përpjekja me këto qëndrime ekspansioniste të pushtetit serb, të gjendet zgjidhje afatgjate në një Kornizë Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse. Procesin politikë po e vështirësojnë pikëpamjet ultranacionaliste serbe, të lidhura fortë me regjimin kriminal të diktatorit Vladimir Putin”, përfundoi Skënder Mulliqi për “Bota sot”.

Këto takime mbahen sipas rregullit të “Catham House”, ku pjesëmarrësit përdorin informacionin e marrë, por që nuk mund të zbulohet as identiteti, as përkatësia e folësit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat