Kriza e barrikadave mund të zgjidhet pa asociacion - Vuçiqin e pret fati i Millosheviçit

Politika

Kriza e barrikadave mund të zgjidhet pa asociacion - Vuçiqin e pret fati i Millosheviçit

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 22 dhjetor 2022 Në ora: 08:04
Barrikadat në veri

Situata në veri të Kosovës vazhdon të mbetet e njëjtë edhe në ditën e njëmbëdhjetë të bllokimit të rrugëve kufitare.

Serbët të dielën kanë shtuar edhe një barrikadë të re, ndërsa një grup tjetër mbajtën protestë në mbështetje të tyre.

Misioni i EULEX-it ka bërë të ditur se gjendja e sigurisë në veri të Kosovës është shqetësuese dhe e tensionuar.

“Gjatë patrullimeve tona në terren, jemi dëshmitarë të një pranie shqetësuese të të armatosurve, shpesh nga individë dhe grupe të maskuara, në veri të Kosovës. Kjo është e papranueshme. Jemi dëshmitarë të vendosjes së barrikadave shtesë, të cilat duhet të hiqen menjëherë. Ato janë të paligjshme dhe pengojnë lirinë e lëvizjes. Krahas këtyre shqetësimeve, edhe kriminaliteti në veri të Kosovës është shqetësues. Vakumi i sigurisë i krijuar pas dorëheqjes së policëve serbë të Kosovës mund të shfrytëzohet nga grupet kriminale. I takon agjencive të zbatimit të ligjit ta parandalojnë këtë”, thekson EULEX-i.

Zgjodhën gjuhën dhe rrugën e konfliktit

Analistët politikë thonë se situata në veri është produkt i agjenturave serbo-ruse të kontrolluara nga Lista Serbe, por situata në veri mund të zgjidhet edhe pa krijimin e asociacionit, vetëm duhet një qasje tjetër.

Analisti politik, Leon Duhanaj, thotë se Serbia si çdoherë edhe në këtë rast, provon çdo mjet për ta destabilizuar situatën.

Sipas tij, ajo çfarë ndodh në veri është produkt i agjenturave serbo-ruse të kontrolluara nga Lista serbe, por edhe përgjegjësi e kryeministrit Kurti dhe institucioneve tjera përgjegjëse.

Image
Analisti politik, Leon Duhanaj

“Situata në veri filloi së degraduari me insistimin e kryeministrit Kurti për zbatimin e marrëveshjes për targat. Natyrisht që Serbia si çdoherë edhe në këtë rast, provon çdo mjet për ta destabilizuar situatën, por ka qenë qasje konstruktive e Kosovës ajo që e ka penguar eskalimin duke e parandaluar çdo përpjekje për destabilizim. Ne e dimë se në veri situata ka qenë e brishtë, megjithatë kanë ndodhur edhe të arritura. Ajo çfarë ndodhi tani, përpos që është produkt i agjenturave serbo-ruse të kontrolluara nga Lista Serbe, është edhe përgjegjësi e kryeministrit Kurti dhe institucioneve tjera përgjegjëse në Kosovë, të cilat në vend se të ruajnë gjakftohtësinë dhe të jenë kooperues me miqtë ndërkombëtarë, zgjodhën gjuhën dhe rrugën e konfliktit, e cila çoi në këtë situatë e që i shkon fort për shtati Serbisë”, deklaron Duhanaj.

Duke folur rreth asaj se sa do të jetë Kosova e aftë t’i shpëtojë këtyre tensioneve pa humbje politike (asociacion jo kushtetues), Duhanaj shprehet se Kosova është dashur të thirret në marrëveshjen e Asociacionit dhe Kushtetutës.

“Marrëveshja për asociacionin, është derivat i marrëveshjes së Vjenës, e që po ashtu erdhi si pasojë e trazirave të marsit të vitit 2004. Kjo marrëveshje e nënshkruar në 2013 përkatësisht 2015 solli një risi, ku pala serbe u pajtua që statuti i organizimit të këtij asociacioni të jetë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës. Kjo për mendimin tim ishte e arritur e madhe, sepse Serbia e njihte autoritetin kushtetues dhe me nënshkrimin e presidentit serb Vuçiq i nënshtrohej atij. Kjo edhe ndodhi më pastaj me korrigjimin që iu bë nga Gjykata Kushtetuese. Pra, ne si Kosovë ishte dashtë vetëm të thirremi në këto marrëveshje dhe në Kushtetutën tonë. Por, ne e bëmë të kundërtën. Së pari u akuzua ish-kryeministri Mustafa deri edhe për tradhti edhe pse e kishte arritur ta vendos pasusin që çdo gjë duhet kontrolluar nga Gjykata Kushtetuese. VV-në krye me Kurtin bënë propagandë opozitare për ta shfrytëzuar politikisht për të marrë pushtetin dhe ketë e arritën. Por, ajo çfarë bëjnë tani në pushtet, është pikërisht e kundërta e asaj që do të duhej ta bënin”, pohon Duhanaj.

Serbia ka shtuar apetitet dhe synon më shumë, sipas Duhanajt dhe këtë situatë e ka shfrytëzuar me rastin e targave.

“Së pari, duhet theksuar se që të gjithë janë dakorduar për asociacion edhe Qeveria aktuale. Ajo çfarë nuk është duke funksionuar, është se pala serbe ka rritur apetitet dhe synon më shumë. Për ta arritur një ndryshim në këtë pikë në favor të sajë, Serbia bën përpjekje për ta nxjerrë situatën jashtë kontrolli, në mënyrë që të thotë, e shihni, s’ka mundësi bashkëjetese! Këtë situatë e shfrytëzoi me rastin e targave. Edhe pse SHBA-ja, duke njohur qasjen serbe i sugjeruan kryeministrit Kurti që mos ta tensionojë situatën, ta shtyjë vendimin për targa për dhjetë muaj. Kryeministri Kurti, në vend që ta pranojë sugjerimin amerikan, zgjodhi ta luaj patriotin dhe të thirret në sovranitet duke refuzuar kërkesën dhe duke ndërmarrë masat tashmë të njohura”, thekson Duhanaj.

Barrikadat të hiqen para festave

Për largim të barrikadave, më eksplicit ka qenë në reagim ambasadori gjerman Rohde, i cili bëri thirrje që ato të largohen para festave, ndërsa kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se kushtet e tyre për t’i hequr barrikadat janë që të tërhiqet Policia nga Veriu i Kosovës, dhe ka renditur një numër gënjeshtrash e propagandimesh.

Analisti Duhanaj, thotë se qasja e targave i shkoi për shtat Serbisë dhe për çdo aksion të pakontrolluar do të përfitojë Serbia.

“Për fat të keq, kjo qasje i shkoi për shtati Serbisë dhe për çdo aksion të pakontrolluar do të përfitoj Serbia. Z. Kurti pasi i kontribuoi destabilizimit, megjithatë e shtyri vendimin për targat, por se tashmë situata kishte dalë jashtë kontrollit. Ai po ashtu me kryeneçësi shpalli zgjedhjet duke e ditur se pa bashkëpunimin e komunitetit serb mbajtja e zgjedhjeve është e pamundur. Prapë injorojë thirrjet dhe sugjerimet e miqve ndërkombëtarë, prapë u detyrua t'i anuloj zgjedhjet e shpallura, e që për mendimin tim është shkelje Kushtetuese. Serbisë i konvenon destabilizimi i gjendjes dhe konfrontimi i Kosovës e miqtë ndërkombëtarë. Për fat të keq, këtë dëshirë të Serbisë me zell të madh po e zbaton Qeveria Kurti, bashkë me Kuvendin dhe Presidenten Osmani. Se ku do na çojë kjo lojë nuk e di saktë, veç se Kosova për herë të parë është në defensivë të plotë diplomatike e akuzuar për destruktivitet kjo i faturohet kësaj kaste”, shtoi Duhanaj.

Kryeministri Albin Kurti, të hënën ka thënë se barrikadat në veri nuk do të qëndrojnë edhe gjatë, por ka theksuar se për këtë janë në koordinim me KFOR-in, të cilët kanë kërkuar kohë.

Në anën tjetër, ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka thënë të martën se barrikadat hiqen kur të hiqen shkaqet për to.

Daçiq vendosjen e barrikadave në veri, i quajti “formë e protestës politike” kundër veprimeve ligjore të Kosovës.

Analisti politik, Blerim Burjani, thotë se përpjekjet e Serbisë që t’mos i ndalë protestat dhe rrezikun e tensionimit janë të pandashme.

Fati i Vuçiqit sipas Burjanit, do të jetë i ngjashëm me Millosheviçin.

Image
Analisti politik, Blerim Burjani

“Politika serbe vazhdon të udhëheqë procese politike me barrikada,. Deri më tash politika serbe për 23 vjet nuk ka ndryshuar. Ideja është status quo-ja dhe statusi, përderisa dialogu është dhe duhet të mbetet teknik dhe çdo dialog tjetër është katastrofal. Përpjekjet serbe për t’mos i ndalë protestat dhe rrezikun e tensionimit janë të pandashme të kësaj politike. Fati i Vuçiqit mund të jetë i ngjashëm me Millosheviçin, pra s’ka dallim fare, do të përfundojë te Millosheviçi herët a vonë ky mban rrugën e njëjtë politike dhe fatin e njëjtë do ta ketë”, deklaron Burjani.

Kurse, sipas tij, asociacioni mund të ndalet vetëm duhet qasja tjetër.

“Kosova mund ta ndalë asociacionin multietnik që është dhe mund të jetë vetëm kundër sovranitetit dhe integritetit territorial, kjo mund të ndodhë ndryshe plotësisht, pra të zgjidhen përmes ligjit për bashkëpunim ndërkomunal. Pra, duhet qasje tjetër për këtë temë dhe duke respektuar standardet e Këshillit të Evropës për vetadministrim lokal”, përfundon Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat