“Hashim Thaçi ka vepruar sipas dëshirës politike të Vuçiqit për ndarje të Kosovës, në interes të Serbisë”

Politika

“Hashim Thaçi ka vepruar sipas dëshirës politike të Vuçiqit për ndarje të Kosovës, në interes të Serbisë”

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 22 dhjetor 2022 Në ora: 15:55
Richard Grenell, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq

Grupet kriminale serbe të udhëhequra drejtpërdrejt nga Serbia, po mundohen ta tërheqin vëmendjen e botës, duke e bllokuar lirinë e lëvizjes në pjesën më të madhe të veriut të Kosovës.

Tensionet nuk janë duke u ulur, me gjithë përpjekjet nga ndërkombëtarët. Rrugët vazhdojnë të mbesin të bllokuara, por opsionet e serbëve pas situatës së krijuar bë veri, duan të shkojnë kah ideja e shpallur e vdekur e ndarjes së Kosovës apo të tregtimit të territorit.

Serbët të dirigjuar direkt nga presidenti Aleksandër Vuçiq, kanë vendosur barrikada duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve atje, me qëllim të arritjes së një statusi të veçantë, që nëse jo sot, në të ardhmen të shkojë drejt ndarjes.

Derisa, presidenti serb, tha se barrikadat në veri të Kosovës do të largohen kur Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Një tjetër ide doli në pah, e cila që nga fundi i vitit 2020 deri tani është deklaruar ‘e vdekur’, ajo është ndarja e veriut të Kosovës.

Deri në arrestimin e Hashim Thaçit, ajo ide dukej ende e realizueshme. Sekretet e atyre bisedimeve i ka zbuluar ish-emisari amerikan i presidentit Tramp për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Ai sikur për t’i hedhur “benzinë zjarrit” ka zbuluar se sa ishte president Hashim Thaçi, i cili tani është në paraburgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë, i akuzuar për vrasje politike dhe të tjera, po negocionte “një marrëveshje të madhe” me Serbinë.

Por, është fakt publik se Thaçi po negocionte marrëveshje për ndarje të Kosovës, ku Kosova do të humbte territor.

Përmes një postimi në Tvitter, Grenelli deklaroi: “Veprimet e Jack Smith, për të paditur dhe burgosur me një akuzë 20-vjeçare, thjesht sepse Presidenti Thaçi po negocionte një marrëveshje të madhe që do t’i jepte fund punës së qetë të Jack-it është një skandal. Ju nuk mund ta quani veten gazetar dhe të injoroni sjelljen imorale të Jack për përfitime personale”.

Mehazi: Nga gjithë funksionarët amerikanë më antipatiku për qytetarët e Kosovës ka qenë Grenelli

Image
Sulejman Mehazi

 

Profesori Sulejman Mehazi thotë se deklaratës së Grenellit për ndarjen e Kosovës duhet besuar sepse Hashim Thaçi ka shkuar sipas dëshirës politike të Vuçiqit për një marrëveshje ndarjesh apo shkëmbimesh territoresh sipas qejfit të Serbisë e jo të Kosovës.

“Nga gjithë funksionarët amerikanë më antipatiku për qytetarët e Kosovës ka qenë Grenelli, i cili si delegues i dialogut Kosovë-Serbi më shumë e ka përkrahur Serbinë sesa Kosovën, kështu që deklaratës së Grenellit në lidhje me ndarjen e Kosovës duhet besuar. Është e vërtetë deklarata e Grenellit, se Hashim Thaçi ka shkuar sipas dëshirës politike të Vuçiqit për një marrëveshje ndarjesh apo shkëmbimesh territoresh sipas qejfit të Serbisë e jo të Kosovës. Nuk është e rastësishme deklarata e ish-misionarit amerikan Grenellit që këto mistere tinëzare i shpalli, pikërisht pas shkuarjes së Krasniqit të PDK-së dhe Abdixhikut të LDK-së në SHBA”, deklaroi profesori.

Sipas tij, përveç Thaçit, bisedime në fshehtësi kanë pasur edhe liderët e dy partive opozitare të Kosovës me Grenellin dhe administratën e ish-presidentit të SHBA-ve, Tramp.

“Sikurse ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që ka pasur bisedime të fshehta me Vuçiqin për shkëmbime territoresh, të njëjtën gjë në SHBA e kanë bërë edhe liderët e dy partive opozitare të Kosovës me Grenellin dhe administratën e ish-presidentit të SHBA-ve, Trampit, po dhe me administratën e Bidenit dhe Eskobarit”, nënvizon Mehazi për “Bota sot”.

Kelmendi: Kosova pa Mitrovicë, Trepçë dhe Ujman nuk mund të jetojë

Image
Muhamet Kelmendi

 

Profesori Muhamet Kelmendi për “Bota sot” ka deklaruar se nuk ka asgjë konkrete nga ato deklarata, zyrtarisht nuk ka asnjë marrëveshje.

“Nuk dihet fare se ka patur ndonjëherë marrëveshje për ndarje dhe shkëmbim të territoreve me shtetin serb. Zyrtarisht nuk ka ndonjë marrëveshje të deklaruar. Mendime ka të ndryshme. Janë qarkulluar në vitet 2019/20 marrëveshje të ndryshme nëpër mjete informative. Ato ishin sa kontradiktore, edhe të pakuptimta. Megjithatë, nuk kemi diçka të shkruar zyrtarisht në mes Kosovës dhe Serbisë”, thotë ai.

Sipas tij, edhe pas deklarimeve të Thaçi nuk ka asgjë, edhe pse zgjidhja është te shkëmbimi i territorit me shtetin serb.

“Në vitin 2020 e kemi deklaratën e z Thaçi për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Z. Thaçi nuk e pranonte as dhënien e Leposaviçit me rrethin e Serbisë për Luginën e Preshevës. Pra, nuk kemi diçka të shkruar. Megjithatë, zgjidhja është te shkëmbimi i territorit me shtetin serb”, thekson profesori.

Në fund, Kelmendi shton për Kosovën se janë të veçanta Liqeni i Ujmanit, miniera e Trepçës sepse kanë një rol historik në ndërtimin e Republikës.

Për Kosovën ka domethënie të madhe liqeni i Ujmanit, që është ndërtuar me mjete të Kosovës, në vitet 1970/80. Tërë të punësuarit në atë kohë kanë paguar përqindje për ndërtimin e liqenit. Po kështu, nuk mund të kuptohet Kosova pa një Mitrovicë unike, e cila historikisht ishte djepi i lëvizjeve kombëtare shqiptare. Ndërsa, jeta në Kosovë, pa Kombinatin e Trepçës, si minierë historike e Kosovës, nuk mund të zhvillohet. Trepça ka rol historik me ndërtimin e Republikës. Këto janë vende dhe objekte të rëndësisë së veçantë kombëtare dhe shtetërore. Pjesa tjetër, përkatësisht Leposaviçi me fshatrat serbe, mund dhe duhet të shkëmbehet me Luginën e Preshevës. Kjo është një zgjidhje historike. Gjeneratat do të analizojnë”, përfundon Muhamet Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat