LDK-ja erdhi si uragan, u zhyt si “titanik” – 33 vjet pas themelimit, nga Rugova tek Abdixhiku!

Politika

LDK-ja erdhi si uragan, u zhyt si “titanik” – 33 vjet pas themelimit, nga Rugova tek Abdixhiku!

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 23 dhjetor 2022 Në ora: 10:06
LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës sot e shënon 33 vjetorin e themelimit të saj. Ndërsa, po mbushen 17 vjet pa themeluesin dhe liderin e saj të parë, Presidentin historik, Ibrahim Rugova, liderin shpirtëror të shqiptarëve.

Në këto 16 vite, LDK-ja ka pësuar shumë ndryshime, qoftë në udhëheqjen dhe kryesinë e saj, po ashtu edhe nga rezultatet zgjedhore e bashkëpunimet me partitë tjera politike.

LDK-së i janë larguar disa nga njerëzit e kryesisë, e i janë bashkuar njerëz të tjerë të rinj. Njëri ndër ta është aktualisht edhe lider i kësaj partie, Lumir Abdixhiku.

Mirëpo, cila është LDK-ja sot, ҫfarë ka humbur apo ka fituar nga LDK-ja e dikurshme? Sa janë të krahasueshëm liderët e saj me figurën e Presidentit Rugova?

Rugova dhe Skënderbeu, dy figurat madhështore të kombit

Lidhur me këtë ҫështje ka folur edhe njëri ndër njerëzit e parë të kësaj partie, bashkëpunëtori i Presidentit Rugova, Skender Zogaj. Ai në një prononcim për ‘Bota sot’, thotë se, koha që po kalon po e vërteton madhështinë e para 33 viteve kur doli në skenë LDK-ja, e cila në krye me liderin historik të sajë Dr. Ibrahim Rugova, ‘më i madhi i të gjitha kohëve dhe i vetmi që mund të krahasohet me Skënderbeun, sepse, atë që Skënderbeu e bëri me shpatë, Ibrahim Rugova e beri me laps’.

Image
Skender Zogaj

“Dhe të dytë ishin për gjithë jetën e tyre fitimtarë të pamposhtur që qëndruan ballëhapur e krenar në vijën e parë të çlirimit të vendit dhe udhëheqjes dinjitoze të popullit shqiptar në raport me popujt e tjerë! Nuk ka më të këtillë, prandaj, Kosova dhe Shqipëria nuk po mund ta realizojnë në masën e mundshme dhe të duhur të shtetndërtimit dhe të realizimit të lirisë dhe pavarësisë në nivelin e merituar”, theksoi ai.

Zogaj thotë më tutje se, mungesa e Presidentit historik në 17 vitet e kaluara është jo vetëm e hetueshme, por kruciale në të gjitha segmentet e jetës shtetërore si në planin e brendshëm ashtu edhe atë ndërkombëtar, ku mungesa e burrështetasit me autoritet intelektual, politik e diplomatik të Rugovës mungon, dhe kjo po reflekton krizë të frikshme.

Kjo frikë është edhe më e madhe kur kemi parasysh hutimin masiv të shqiptarëve të Kosovës që nuk dinë se çfarë duan dhe veprojnë instinktivisht, në turmë, e cila vrapon pa e ditur qëllimin dhe vendin ku do të shkojë! Këtu qëndron mungesa e liderit, roli i të cilit është jetik për popullin dhe vendin”, vlerëson ai.

Tutje, bashkëpunëtori i Presidentit Rugova thotë se LDK-ja në 33 vjetorin e saj është shumë e brishtë, sepse autoriteti partiak nuk mjafton nëse partia nuk i ka njerëzit e duhur dhe strukturat e mirëfillta partiake të organizuara mirë dhe funksionale vertikalisht dhe horizontalisht.

Duhet thënë hapur, aktualisht LDK-së nuk i funksionojnë strukturat, sidomos ato bazike, degët dhe aktivet e LDK-së që kryesisht janë të improvizuara, me zgjedhje të kurdisura dhe udhëheqje të padenja, endacakë interesash personale që, nuk u intereson LDK-ja por përfitimi! Ka në udhëheqjet e degëve të LDK-së anëtare kryesie që aty janë me direktiva të partive të tjera, e që Kryesia Qendrore i ka bashkëpunëtor të nderuar, dhe punon sipas porosive të tyre. Të këtillët janë ata që irritojnë anëtarët e devotshëm të LDK-së, të cilët janë larguar dhe të trishtuar kundrojnë partinë së cilës ia kanë dhënë vetveten. Se ku është LDK-ja, mund të shihet edhe në këtë jubile të rëndësishëm, të 33-tin që po kalon si të ishte jubile i ndonjë shoqate të gjuetarëve! Dikur dhjetori ishte muaji i demokracisë në Kosovë, dhe LDK-ja e shënonte jo si parti, por si lëvizje gjithëpopullore! Një reformë e thellë rrënjësore nga baza është e domosdoshme dhe e menjëhershme për LDK-në”, vlerëson Zogaj për ‘Bota sot’.

E para parti antikomuniste në Europën komuniste Lindore

Po ashtu lidhur me gjendjen aktuale të kësaj partie, ka folur edhe profesori universitar, Enver Bytyҫi. Ai thotë se LDK-ja është partia e parë opozitare në Kosovë, në ish-Jugosllavi dhe në Europën komuniste Lindore, nëse kemi parasysh se më 23 dhjetor 1989 Solidarnosti ende nuk ishte shndërruar në parti politike.

Image
Enver Bytyҫi

“Kur u krijua LDK-ja Kosova përjetonte dhunën e egër të Serbisë pas heqjes së autonomisë në mars të atij viti. Kjo parti erdhi në jetë si një uragan, si një lëvizje e fuqishme jo vetëm anti-komuniste, por edhe patriotike e atdhetare në shërbim të Kosovës. Pak javë pas krijimit Lidhja Demokratike e Kosovës u bë partia më e madhe në ish-Jugosllavi, më e madhe edhe se vetë Lidhja Komuniste Jugosllave e Josip Broz Titos, me 700 mijë anëtarë”, vlerëson ai.

Profesor Bytyҫi thotë se, historia e Lidhjes Demokratike është historia më e lavdishme jo vetëm ndër partitë shqiptare, por edhe ndër partitë e Europës Juglindore. Dhe lavdinë e kësaj partie e ngjizi, e zhvilloi dhe e mbarti lideri i saj historik, Ibrahim Rugova, i cili u shndërrua shumë shpejt edhe në liderin historik të Kosovës dhe popullit të saj.

LDK-ja dhe Rugova janë sinonime të njëra-tjetrës. Është nder, lavdi, krenari për LDK-në që pati themelues dhe udhëheqës të saj Ibrahim Rugovën. Nuk ka mundur ndonjë lider politik i ndonjë partie tjetër në Europën Lindore që t’i japë aq shumë emër dhe prestigj partisë së tij, sa i dha LDK-së Ibrahim Rugova. Rugova dhe Lidhja Demokratike e udhëhoqën Kosovën drejt lirisë dhe pavarësisë. I kursyen asaj lumenj gjaku për të ardhur pikërisht te finishi i këtij synimi. Sepse vepruan me maturi dhe menҫuri të jashtëzakonshme, për të ruajtur substancën e popullit e të kombit dhe njëkohësisht për t’iu qasur sa më afër lirisë dhe pavarësisë së vendit. Nëse Kosova dhe LDK-ja do të kishin në krye ndonjë aventurier, ҫka po i shohim përditë në tregun politik ballkanik e besa edhe shqiptar, lufta do të fillonte në vitin 1993. Dhe duhet menduar fundi i saj: - Një Kosovë pa shqiptarë! Ky do të ishte fati tragjik i Kosovës. Ishte Rugova dhe LDK-ja, ata që ruajtën substancën e kombit me idenë gjeniale të Rugovës që “shqiptarët duhet të mbahen në Kosovë, sepse një Kosovë pa shqiptarë do të ishte territor i Serbisë”, vlerëson ai.

Bytyҫi: Abdixhiku po mundohet ta ruajë ekuilibrin në mes të LDK-së së Rugovës dhe asaj të Mustafës

Ai më tutje pyet se a mbeti Lidhja Demokratike gjithnjë në rolin dhe përgjegjësinë e saj historike të zhvillimit të Kosovës e të popullit të saj?! Ai thotë se historia do të shkruajë të vërtetat që kanë ndodhur edhe pas shkuarjes në amshim të presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova.

Fatkeqësisht edhe sa kohë ishte në jetë ai, brenda LDK-së gjalluan persona dhe ndoshta grupe të vogla, të cilët iu kundërvunë projektit dhe programit të LDK-së e të presidentit Rugova. Ishte e natyrshme të ndodhte kjo, po të kemi parasysh se në vitin 1989-1990 në LDK erdhën të gjitha rrymat e besimit politik, deri te enveristët dhe titistët. LDK-ja ishte një parti e hapur e demokratike. Ajo nuk i mbajti dyert e mbyllura për këdo që donte të kontribuonte për zbatimin e programit të saj. Por, brenda saj kishte edhe arrivistë, njerëz materialist, anëtarë dhe drejtues që besuan te pragmatizmi, si mjet për plotësimin e interesave të tyre. Kjo kategori filloi sidomos pas Dayton-it të distancohej nga LDK-ja dhe nga Rugova. E shihnin të ardhmen e tyre në pozicione tjera politike. Megjithatë Ibrahim Rugova asnjëherë nuk u dobësua. Sepse ishin të fuqishme ideja, vizioni dhe besimi i tij në fitore. Por, pas tij ishin jo pak aventurierë e materialist që e uzurpuan Lidhjen Demokratike”, thekson profesori.

Ai thotë se, shkatërrimi i kësaj force ishte interes i Serbisë e njëkohësisht i partive opozitare, por për qëllime krejt të ndryshme. Diversioni i këtyre aktorëve bëri që LDK-në ta marrin pas një periudhe të shkurtër, me largimin e presidentit Sejdiu, disa anti-Rugovistë të njohur.

E kam thënë dhe e them edhe sot! Ata që erdhën pas Fatmir Sejdiut e përdorën Ibrahim Rugovën, ndërkohë që në subkoshiencën e tyre nuk donin as t’ia dëgjonin emrin. Prandaj dhe bashkëpunuan me kundërshtarët politikë të përfaqësuar nga Hashim Thaҫi dhe e degraduan jo vetëm LDK-në, por edhe Kosovën! Isa Mustafa dhe bashkëpunëtorët e tjerë të tij janë thirrur e thirren vazhdimisht në emër të Ibrahim Rugovës. Sepse kjo është mënyra më e mirë për ta denigruar veprën dhe lavdinë e tij, duke e injoruar filozofinë e ish-presidentit historik. Askush në Kosovë nuk e ka denigruar Rugovën më shumë se Isa dhe njerëzit më të afërt të tij në kryesinë e LDK-së, sa kohë ai e drejtoi këtë parti. Ata që janë ulur qoftë edhe njëherë në tavolinë me Isën dhe ata që ai kishte pranë e kanë ndjerë nga afër “armiqësinë” e këtyre ndaj Rugovës. Fatkeqësisht kësaj fryme i ka kontribuar me naivitetin e tij edhe Ukë Rugova. Por ama askush nuk ka mundur ta zbehë madhështinë e themeluesit të LDK-së, Ibrahim Rugovës. As Edi Rama, kur nuk pranoi në vitin 2014 t’ia përmend emrin në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës”, vlerëson Bytyҫi.

Sipas tij, lideri aktual, Lumir Abdixhiku po përpiqet të ruajë një ekuilibër në mes të LDK-së së Presidentit Rugova dhe asaj të Isa Mustafës.

Tani në krye të LDK-së është zoti Abdixhiku. Kam përshtypjen se ai po përpiqet të ruajë një ekuilibër midis LDK-së historike të Ibrahim Rugovës dhe LDK-së së Isa Mustafës. Sepse ka frikë se mos përҫahet partia dhe kjo do t’i kushtojë në elektorat. Por, edhe pse është i justifikueshëm një veprim e një politikë e tillë, kryetari i sotëm i LDK-së duhet të japë mesazhe të qarta të rikthimit të tij në filozofinë e Rugovës. Kësisoj ai vetëm do të shtojë votuesit e tij”, thotë Bytyҫi për ‘Bota sot’.

LDK-ja sot është në kërkim të shpirtit të saj

Po ashtu edhe publicisti Rexhep Shahu në një bashkëbisedë me ‘Bota sot’ thotë se LDK-ja sot është në kërkim të LDK-së, në kërkim të shpirtit të saj, të modelit dhe organizimit të saj kapilar, të asaj LDK-së që nën okupim, mbajti shtetin paralel, mbajti një dekadë një popull dhe fitoi.

Image
Rexhep Shahu

LDK-ja sot ka dukje, i kushton vëmendje dukjes, ka më shumë fjalë se sa duhet, ka më pak përulësi se sa duhet, nuk i shkon qytetarit të thjeshtë t’i ulet rrafsh në shtëpi, por kujton se flet nga televizioni me qytetarin”, vlerëson ai.

Ndërkaq sa i përket krahasimit të Presidentit Rugova me liderët e mëpastajmë të kësaj partie, Shahu thotë se nuk ka vend për krahasime.

Nëse flitet për krahasime, nuk ka vend, pasi të gjithë e me çdo gjë krahasohen, por Rugova nuk hyn në krahasim me askënd e nga askush. Rugova pa faj i bën të duken jo aq të pranueshëm të gjithë pasardhësit e tij”, vlerëson ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat