“Gjendja në veriun e Kosovës asnjëherë nuk ka qenë më e rëndë, as atëherë kur Hashim Thaҫi dhe Kadri Veseli…”

Politika

“Gjendja në veriun e Kosovës asnjëherë nuk ka qenë më e rëndë, as atëherë kur Hashim Thaҫi dhe Kadri Veseli…”

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 23 dhjetor 2022 Në ora: 17:07
Gjendja ne veri

Duke analizuar gjendjen aktuale në veri të vendit, njohësi i ҫështjeve politike dhe publicisti Idriz Zeqiraj, thotë se deri tani, të paktën, zyrtarisht e botërisht, nuk ishte proklamuar deri në këtë përmasë neutraliteti i Policisë të EULEX-it dhe KFOR-it. Dhe, së paku, misionet e cituara deklaronin se "kufinjtë e Kosovës mbrohen dhe janë të garantuar nga këto dy forca, pra, KFOR-i dhe Policia e EULEX-it".

“Tashmë, rezulton se këto kanë qenë fjalë boshe, sa për ta ruajtur statusquonë në veriun e Kosovës, nën pushtimin faktik të bandave serbe, pa afatizuar zgjidhjen faktike, qoftë edhe pas njohjes zyrtare, nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, të Kosovës shtet të pavarur e sovran. Përpjekja e Serbisë, për ta imituar kundërshtinë e Ibrahim Rugovës, me institucionet paralele dhe bojkotimin e tërësishëm të administratës shtetërore të Serbisë të Millosheviçit, është pakrahasimisht jo racionale dhe skajmërisht alogjike. Komuniteti serb në Kosovë është i privilegjuar dhe përtej dy dekadave radhazi, gëzojnë të mirat materiale e politike, më shumë se sa asnjë minoritet në botë”, vlerëson ai.

Image
Idriz Zeqiraj

Zeqiraj thotë se, qëllimi është dukshem i qartë, Serbia, përmes bojkotit, të shoqëruar me barrikadimet e rrugëve dhe krismat e armëve, shpërthimeve eksplozive dhe deri ke shënjestrimi me plumba, ndaj Policisë së Kosovës, së fundi, edhe ndaj Policisë Ndërkombëtare, kërkon dhunshëm përfitimin në tavolinën dialoguese, konkretisht, ngulmon të grabisë territor nga Kosova, edhe  ashtu të cunguar dhe copëtuar që nga Kongresi i Berlinit 1878, për të ardhur te Konferenca e Londrës 1913, si dhe ndërhyrjet tjera grabitëse, brenda Jugosllavisë komuniste.

“Realisht, gjendja aktuale në veriun e Kosovës, është më e rëndë, sa asnjëherë tjetër. Në vitin 2000, ndoshta, ishte edhe më e rëndë për shqiptarët, shpërngulja masive, në prezencë të Hashim Thaçit dhe të Kadri Veselit, si dhe premtimi i tyre i rrejshëm se "shpejt do t`u kthejmë në shtëpitë tuaja"! Por, që nuk ndodhi kurrë! Madje, administrata komunale, nuk u dha leje shqiptarëve, të ndërtonin shtëpitë e rrënuara, nga bandat zyrtare serbe. Gjendjen e vështirëson edhe më shumë qendrimi i BE-së, SHBA-së dhe Gjermanisë, përkatësisht, të përfaqësuesëve zyrtarë të tyre, të cilët përsërisin kërkesat absurde: Krijimin e asociacionit për komunat me shumicër serbe; dhe  Zbatimin e vendimit për "pronat" e Manastirit të Deçanit”, thekson ai.

Ai thekson më tutje për ‘Bota sot’ se, ‘ruajtja e gjendjes së ngrirë, as luftë, as paqe, në veriun e Kosovës, përtej dy dekadave, janë interesa edhe të Qendrave të Vendosjes Ndërkombëtare, si "mollë sherri" dhe interesi, në perspektivë, të pasurive të Trepçës. Sikur po përsëritet presioni enorme, për kalimin e Demarkacionit, ratifikimin e kufirit me Malin e Zi, sepse ky shtet ishte i rëndësishëm për Bllokun Perëndimor dhe duhej shpërblyer me 8.200 hektarë tokë - denbabaden - të Kosovës.

“Tani, "dajakoset" Kosova dhe përkëdhelet Serbia, sepse edhe ajo duhet shpërblyer me territore dhe pasuri të Kosovës, për ta larguar atë nga ndikimi rus, duke e futur në orbitën e Evropës. Po përsëritet historia e shekullit 19-të dhe 20-të, kur Fuqitë e Mëdha përdornin territoret etnike të Shqipërisë, të banuara, kryesisht, me shqiptarë, si "kusuritje" të Fuqive të Mëdha, për të kënaqur fqinjët grabitçarë, gjegjësisht, Serbinë, Malin e Zi dhe Greqinë, gjithnjë, nën presionin e Rusisë cariste, fituese e luftës ruso-turke. Fatlumërisht, ishte ndërhyrja vendimtare e Presidentit amerikan, Ëoodroë Ëilson, më 1915 që e shpëtoi Shqipërinë londineze si shtet”, vlerëson analisti Zeqiraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat