“Dëmet mund të jenë marramendëse”- Kërkohet përfshirje direkte e SHBA-së në dialog, njëanshmëria e BE-së rrezikon veriun

Politika

“Dëmet mund të jenë marramendëse”- Kërkohet përfshirje direkte e SHBA-së në dialog, njëanshmëria e BE-së rrezikon veriun

M.Lakna Nga M.Lakna Më 25 dhjetor 2022 Në ora: 16:12
Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti gjatë takimit me Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken në SHBA

Publicisti dhe veprimtari i çështjes kombëtare, Hafiz Shala, e konsideron si jetike përfshirjen e drejtpërdrejt të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në dialogun Kosovë-Serbi.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Shala i ka komentuar zhvillimet e fundit politike sa i përket çështjes së dialogut me Serbinë, e cila në vazhdimësi po përdor një diskurs kërcënues ndaj shtetit të Kosovës.

Image
Hafiz Shala

Kështu sipas tij, lidhja e fortë e Serbisë me Rusinë, e cila po sjell destabilizim në Kosovë, duhet ta nxis shtetin e Kosovës që të bashkohen me SHBA-në.

“Strategjia politike e zgjerimit të Rusisë përmes aneksimit me forcë të disa shteteve hap pas hapi, na bën të kuptojmë se diplomacia evropiane “heshturazi” pajtohet me të.

Prandaj, mos reagimet evropiane në mënyrë të prerë dhe të vendosur për largimin e barrikadave në veriun e vendit, disi, të çon në dyshimin, se disa shtete evropiane bile edhe te fuqishme janë ne hamendje se diçka e tillë nuk është e pa mundur”, ka theksuar Shala.

Ai rikujtoi me këtë rast largimin e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja, duke thënë se ky shtet u përcaktua për Brexit-in, pasi nuk e duroi nënçmimin, poshtërimin nga BE-ja.

“Në përgjithësi politikat e tyre diskriminuese e raciste ndaj shqiptarëve, na shtyjnë të hamendemi se, ne, sikur “po iu imponohemi me zor” atyre që, jo vetëm që je i padëshirueshëm, por edhe në një mënyrë, të urryer pa dhënë asnjëherë shpjegime për arsyen e vërtetë.

Jemi izoluar totalisht duke na mbajtur varur sipas tekeve dhe disponimit të byrokratëve të mentaliteteve të vjetra, njëherit edhe përfaqësues zyrtar te BE-së, të cilët vijnë nga shtetet të cilat, jo vetëm që nuk e njohin dhe japin shpresë për ndryshimin e diskursit tyre politik e diplomatik ndaj Kosovës por, haptazi, radhitën në anën e grupeve terroriste kriminale të sponzoruara nga shteti kriminal serb nën udhëheqjen e vazhduesit të politikës gjenocidale, Millosheviqiane, njëherit bashkëpunëtor i tij i ngushtë, Aleksander Vuqiqi”, shton Shala.

Kur analizohen me kujdes veprimet e Serbisë në momentet aktuale, sipas Shalës tregojnë se ajo e do bashkimin me Rusinë, sikur që bëri më 1999.

“Sipas ish diplomatit Shaban Murati, me 12 prill 1999 parlamenti i Serbisë mori vendim që Serbia të bashkohet me Rusinë. Ky ishte një akt legal me vlefshmëri të ligjshme juridike, sepse organi me i lartë legjislativ serb vendoste të krijonte bazën legale të bashkimit të Serbisë me Rusinë.

Brenda ditës ne 16 prill 1999, katër ditë pas vendimit te parlamentit të Serbisë, Duma Ruse miratoi rezolutën e bashkimit të Serbisë me Rusinë…”( Shaban Murati, ish diplomat shqiptar).

Kur analizohen me kujdes veprimet e Serbisë në momentet aktuale, thjeshtë është një përgatitje e përbashkët ashtu sikur u shpjeguan rreth miratimit të rezolutave rreth bashkimit të këtyre dy vendeve, duket iluzore tentativa e BE-së por edhe SHBA-ve që Serbinë ta kthejnë ne gjirin e Evropës, përpos nëse Rusia shumë shpejt kapitullon në luftën me Ukrainën, e cila megjithatë edhe pritet të ndodh.

Por, deri atëherë, dëmet mund të jenë marramendëse kryesisht për shqiptarët dhe shtetin e Kosovës si qellim kryesor, destabilizimin e saj, me inkorporonim e një zgjidhjeje të kontrolluar nga Serbia përmes Zajednicës brenda shtetit me qellim të defunksionalizimit dhe pengimit e shtrirjes së sovranitetit në tërë territorin duke e nxitur urrejtje dhe angazhuar veprime destabilizuese përmes organizatave terroriste dhe grupeve kriminale të sjella nga Serbia dhe Rusia, gjoja në mbrojtje të drejtave të serbëve të veriut. Pra, të gjitha këto janë vetëm pretekste dhe se qëllimi kryesor i Serbisë është veriu”, thotë ai për “Bota sot”.

Prandaj, veprimtari i çështjes kombëtare që jeton në SHBA, thotë se duke e parë rëndësinë dhe rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kuadër të gjeopolitikës botërore, fuqinë e saj politike, diplomatike, ekonomike dhe ushtarake, fuqinë e sajë vendimmarrëse në kuadër të globit, shteti i Kosovës duhet të fillojë nisma zyrtare rreth inkuadrimit të SHBA-ve në vendimmarrjet e Bashkimit Evropian.

“Lidhur me këtë, propozoj që, Parlamenti i Kosovës të mbajë një seancë të veçantë me kërkesë që, Shtetet e Bashkuara të Amerikës të jenë të kyçur drejtpërdrejtë në bisedimet Kosovë-Serbi, pasi Evropa dhe organet e saj, jo vetëm që treguan paaftësi por edhe njëanshmëri me pasoja të destabilizimit të Ballkanit, rajonit dhe më gjerë.

“Pra, Shtetet e Bashkuara të Amerikës te jenë anëtar i organit ndërmjetësues në bisedimet në zhvillim dhe atë menjëherë.

Ky, edhe duhet të jetë kusht nga ana e organeve shtetërore të Kosovës për vazhdimin e bisedimeve që ato të përfundojnë me marrëveshje gjithëpërfshirëse, me njohje reciproke ne qendër.

Kjo kërkesë zyrtare e dalë nga vendimi i Parlamentit, duhet të iu adresohet SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian në të njëjtën kohë”, shprehet ai.

Kështu, sipas Shalës, edhe Rusisë duhet t’i pamundësohet pjesëmarrja e saj si shtet agresor, i cili ushtron gjenocid ndaj një shteti sovran.

“SHBA, shpresojë se kërkesës sonë do t’i përgjigjet pozitivisht sepse, jemi fëmijë i saj, e cila e ka shprehur gatishmërinë dhe vendosmërinë që ta përfundoj ciklin e shtetndërtimit, shtet funksionimit dhe mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial me shpalljen e pavarësisë me 17 shkurt 2008, vullnet i shprehur unanim nga populli i Republikës së Kosovës”, përfundoi Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat