Kush janë “orkestruesit” e luftës për pengimin e punës së Gjykatës Speciale?! Zbardhet qëllimi i tyre, përmenden vrasjet politike

Politika

Kush janë “orkestruesit” e luftës për pengimin e punës së Gjykatës Speciale?! Zbardhet qëllimi i tyre, përmenden vrasjet politike

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 26 dhjetor 2022 Në ora: 08:30
Gjykata Speciale dhe te vrarit politike

Gjykata Speciale u krijua nga Kuvendi i Kosovës, për t’i hetuar dyshimet për krime lufte në Kosovë nga ish-luftëtarët e UÇK-së.

Në këtë gjykatë po mbahen aktualisht në paraburgim, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Hasnim Haradinaj, Hysni Gucati, Salih Mustafa.

Ky i fundit është dënuar me 26 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Për këtë rast, të shtunën që kaloi Partia Socialdemokrate, (PSD) organizoi protestë me monton “Jo në emrin tim”, për të kundërshtuar këtë vendim dhe në përgjithësi gjykatën dhe punën e saj.

Pjesë e asaj proteste ishin edhe dy deputete nga PDK, Ganimete Musliu dhe Ariana Mulisu, e po ashtu u.d i organizatave të dala nga lufta Faton Klinaku, i cili fuqishëm kundërshton këtë gjykatë.

Tahiraj: Disa drejtues të LPK me tërë fuqinë e tyre punuan të formohet Gjykata Speciale me të vetmin qëllim që ta shpëtojnë lëkurën e tyre

Njohësii rrethanave politike dhe ish pjesëtari i grupeve të para ushtarake në Kosovë, Saim Tahiraj, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se shtabi i LPK-së i maskuar prapa të ashtuquajturit shtab i UÇK-së, nuk lënë gurë pa e lëvizur për ta penguar formimin e Gjykatës.

“Që nga fillimet e formimi të Gjykatës Speciale, shtabi i LPK i maskuar prapa të ashtuquajturit shtab i UÇK-së, nuk lënë gurë pa e lëvizur për ta penguar formimin e saj. Disa drejtues të atij shtabi me tërë fuqinë e tyre punuan të formohet Gjykata Speciale me të vetmin qëllim që ta shpëtojnë lëkurën e tyre, si të dyshuar që ishin për shumë veprime kriminale gjatë dhe pas lufte. Edhe pse dhanë kaq mund të madh nuk i shpëtuan dot arrestimeve dhe sot po gjykohen në Hagë. Priten edhe arrestime të reja me të njëjtat dyshime”, thotë ai.

tij, atyre të cilëve iu shuan shpresat, u aktivizuan për pengimin dhe zhbërjen e kësaj gjykate.

“Kur panë se shpresat e tyre u shuan përfundimisht, atëherë aktivizuan tërë arsenalin e tyre në pengimin dhe zhbërjen e Gjykatës Speciale. Edhe paralajmërimet për protesta kundër kësaj Gjykate, janë veprime nga i njëjti brum që për qëllim kanë pengimin e punës së saj”, thotë Tahiraj.

Sa i përket dënimit të Mustafës dhe protestave, ai thotë se burojnë nga i njëjti shtab, duke u munduar që ta pengojnë punën e gjykatës, për zbulimin e vrasjeve politike, urdhërdhënësit dhe autorët e krimit të lirohen ndërsa ata që janë në liri mos të arrestohen.

“Zhurma e madhe kundër dënimit të z. Mustafa, vizitat e mëparshme në Hagë, protestat dhe shumë forma tjera të veprimit, burojnë nga i njëjti shtab dhe shpërndahen në parti politike, shoqata jo qeveritare, mjete të informimit, të shkruara apo elektronike dhe kontaminojnë opinionin mbarë shqiptarë. Këto forma të luftës speciale kanë për qëllim pengimin e punës së Gjykatës Speciale, mos zbulimin e vrasjeve politike, urdhërdhënësit dhe autorët e krimit të lirohen ndërsa ata që janë në liri mos të arrestohen! Si ka mundësi që shoqëria jonë shqiptare të jetë kaq e kontaminuar kundër drejtësisë dhe pro krimit dhe kriminelëve? Pa u liruar nga barra e krimit të vrasjeve politike nuk ka drejtësi! Pa drejtësi nuk ka shtet! Pa shtet nuk ka liri. Atëherë nëse ne jemi kundër këtyre tri komponenteve që na formojnë si komb, kush jemi dhe çfarë jemi ne?”, përfundon

Image
Saim Tahiraj

Zogaj: Gjykata duhet ta bëjë punën e saj, të zbardhen krimet dhe të dënohen ata që kanë bërë krime, kjo është e duhura

Ndërkaq, analisti politik Skënder Zogaj shprehet se po të kishte funksionuar drejtësia në Kosovë, ne nuk do të kishim nevojë për këtë gjykatë fare, dhe se atje nuk do të ishte askush, por ne nuk e kemi ndjekur këtë rrugë, andaj drejtësinë na e bëjnë të tjerët.

“Çështja e Gjykatës Speciale është rezultat i mosfunksionimit të drejtësisë në Kosovë, sepse po të kishte funksionuar shteti ligjor drejtësia do t'i kishte hetuar seriozisht të gjitha krimet e ndodhura dhe do t'i kishte dënuar kriminelët! Kjo ka qenë mënyra e duhur dhe po të kishte ndodhur kjo, tash askush nuk do të ishte në Hagë, ndërsa Kosova kahera do të ishte integruar në BE dhe në NATO, duke gëzuar funksionim të plotë të lirisë dhe pavarësisë dhe një mirëqenie tepër-tepër më të lartë! Nuk e kemi ndjekur këtë udhë prandaj tash, drejtësinë na e bëjnë të tjerët. Na e bën Gjykata Speciale të cilën e ka miratu Parlamenti i Kosovës me votën e deputetëve tanë! Pra, gjithçka është bë me vendime të rregullta dhe nuk kemi të drejtë morale që të ankohemi, edhe nëse tash përballemi me gjëra nuk na pëlqejnë! Dihet se dora e huaj nuk të kruan si e jotja, mirëpo, vrasjet duhet të zbardhen dhe vrasësit, kushdo qofshin, duhet të marrin dënimin e merituar! Ata që mendojnë ndryshe nuk kanë të drejtë, bile-bile bëhen argatë të krimit dhe cenojnë rendin dhe funksionimin e drejtësisë, që nënkupton se janë kundër vendit dhe popullit të tyre”, deklaron Zogaj.

Image
Skender Zogaj

Sipas tij, disa zhurmues, protesta e britmat nëpër portale vetëm sa e rëndojnë punën e kësaj gjykate.

Ai shton, se gjykatën duhet ta lëmë që ta bëjnë punën e vet, duke zbardhur vrasjet dhe të dënohen ata që kanë bërë krime.

“Brengën dhe shqetësimet e miqve dhe të familjarëve të të akuzuarve që ndodhen në Hagë e mirëkuptoj, por, jo disa deklarime dhe veprime linçuese dhe përbuzjesh primitive, sepse të këtillët me ose pa dashje u bëjnë keq pikërisht personave që janë duke u hetuar nga Specialja dhe që nuk kanë nevojë për protesta e britma nëpër portale, por kanë nevojë për t'i lënë të qetë dhe t'iu uruar të gëzojnë hetim të drejtë dhe vendime të drejta! Kush nuk do të dëshironte që katër komandantët e UÇK-së të shpallen të pafajshëm!

Disa zhurmues nuk janë të sinqertë, po shtihen si dashamirës, por në fakt po u bëjnë dëm sepse, Specialen merr masa për të penguar ndikim e reagimeve jashtë institucionale. Gjykata duhet ta bëjë punën e saj ndërsa ne të lutemi për drejtësi, të zbardhen krimet dhe të dënohen ata që kanë bërë krime, kjo është e duhura”, përmbyll Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat