Lajm aspak i mirë për Isa Mustafën dhe Bujar Bukoshin: Fillon hetimi për Fondin e 3%!

Politika

Lajm aspak i mirë për Isa Mustafën dhe Bujar Bukoshin: Fillon hetimi për Fondin e 3%!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 26 dhjetor 2022 Në ora: 15:04
Isa Mustafa dhe Bujar Bukoshi

Profesori Fahri Mahalla, veprimtar kombëtar në diasporë, i cili jeton dhe vepron në Zvicër ka marrë përgjigje nga Prokuroria Speciale për fondin e 3%.

Ai po kërkon hetim, për keqpërdorimet e mundshme në këtë fond.

Gazeta “Bota sot”, ka siguruar përgjigjen e Prokurorisë Speciale e cila ia ka kthyer Mahallës, teksa ky i fundit thotë se, tashmë lënda është dërguar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

“Njoftoj veprimtarët dhe kontribuesit e fondit të 3% në Diasporë dhe ne Kosovë, se prokuroria speciale e Republikës së Kosovë, me ka njoftuar me shkrim, se e ka shqyrtuar raportin financiar: Të periudhës tetor 1991 - shtator 1999 të Qeverisë në ekzil të Kosovës, me kryeministër Bujar Bukoshi dhe ministër të financave Isa Mustafa. Lëndën e kanë shqyrtuar dhe e kanë deleguar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, si Prokurori kompetente për trajtimin e rastit”, shprehet Mahalla.

Ai tregon arsyen pse e ka dërguar Raportin Financiar në Prokurorinë Speciale të Kosovë.

Image
Përgjigja e Prokurorisë

“Veprimtarë dhe donatorë të fondit te 3%, arsyeja që e dërgova Raportin financiar në (PSRK), raporti financiar është i papranueshëm. Ky raport financiar, është i pakompletuar, i mungojnë elementet bazë. Shifrat e raportit financiar, duhet të përputhen me raportin e bankave, e pastaj të vazhdohej më tutje. Ju veprimtarët dhe kontribuesit e fondit të 3%, që kontribuat në fondin shtetëror për Republikën e Kosovës, ju që dhatë ndihma për Drenicën, ju që ju përgjigjet aksionit gjithçka për pavarësinë e Kosovës, ju jeni kombëtarisht të ngritur, ju jeni të ndergjegjeshëm. Obligim ishte që të paguhej 3%. Në realitet mbetej në ndërgjegjeje e secilit për të paguar 3%. Sepse në shtetet perëndimore dhe kudo në botë, ne nuk kemi pas të drejt, të marrim masa kundër atyre që nuk e kanë paguar 3%. Të tillë që nuk e kane paguar 3% dhe qe nuk ju kanë përgjigjur aksioneve ka shumë”, thotë Mahlla.

Profesori tregon për raportin e ish-ministrit të Financave Isa Mustafës.

“Veprimtarë dhe Kontribues të fondit te 3%, më herët ju kam njoftuar, përmes një shkrimi në Gazetën “Bota sot”, se Raportin financiar, të ish ministrit të financave Isa Mustafa, të periudhës  tetor 1991 -  shtator 1999, ku janë të përfshira të gjitha shtetet, aty ku është paguar 3%, nëpër banka. Raportin financiar e kam dorëzuar në Prokurorin Speciale të Republikës së Kosovës në Prishtinë. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me ka njoftuar me shkrim: Raportin financiar bashkë me dokumentet tjera, e kanë shqyrtuar dhe e kane dërgu në Prokurorin Themelore të  Republikës së Kosovës në Prishtinë. Si dëshmi po ju paraqes njoftimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në Prishtine, për çdo risi do të ju njoftoj”, pohon ai.

Ai thotë se, veprimtarët dhe kontribuesit e fondit, të 3% mbesin me shpresë, se Prokuroria Themelore e Republikës së Kosovës në Prishtinë, bashkë me Gjykatën shtetërore, të Republikës së Kosovës, raportin financiar do ta shqyrtojnë, dhe do ta kontrollojnë, me ekspertë të financave dhe do ta nxjerrin në shesh të vërtetën.

“Ne veprimtarët dhe donatorët e fondit të 3%, duam fakte, duam ta dimë se ku janë shpenzuar parat e 3%. Paratë - ndihma për Drenicën, paratë e aksionit gjithçka për Pavarësinë e Kosovës, për UÇK-në, ne duam ta dimë se kush i ka dhanë paratë nga Ministria e Financave, me emër dhe mbiemër. Kush i ka pranuar paratë me emër dhe mbiemër, për çfarë nevoja i kanë shpenzuar paratë...”, pohon ai.

Sipas tij, raporti financiar të ish ministri të financave Isa Mustafa, para se me dorëzuar në Prokurorin Speciale të Republikës së Kosovës në Prishtinë, e ka konsultuar me një ekspert të financave në Zvicër.

“Eksperti i financave me tha ky Raport financiar nuk është, ky është një njoftim sipërfaqësor, pa kurrfarë baze. Këtij raporti i mungon baza e dokumentacionit, i mungojnë raportet vjetor të bankave. Shifrat e dhëna nga ish Ministri i financave Isa Mustafa duhet të përputhen me raportin e bankave, pastaj të vazhdohet më tutje. Raporti financiar i dorëzuar nga Ministri Isa Mustafa, është i bërë lamë, pa kurrfarë radhitje. Këtë e ka bërë me qëllim Isa Mustafa. Pse e ka bërë kështu ai vet e di. Raporti financiar kur të shqyrtohet dhe të kontrollohet nga ekspertët e financave, bashkë me prokurorin, dhe gjykatësit, çdo gjë do të ndriçohet”, shton ai.

Image
Profesori Fahri Mahalla

Ai thotë se kanë besim në drejtësinë e Kosovës.

“Ne Veprimtarët dhe Kontribuesit e fondit të 3%, nuk do të ndalemi së kërkuari të vërtetën. Ne duam ta dimë se ku janë shpenzuar paratë që i kemi dhanë për Republikën e Kosovës, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ne do të kërkojmë drejtësi, nëse është nevoja edhe në Gjykatën  Ndërkombëtare. Besoj se nuk do të ketë nevojë të shkojmë më tutje. Të gjitha do të ndriçohen me DREJTESINË e Republikës së Kosovës. Ne Veprimtarët dhe Donatorët e fondit të 3%, dëshirojmë që gjatë shqyrtimit dhe kontrollimit të Raportit financiar, si ekspert i financave te merr pjesë edhe profesor Dr. Musa Limani”, përfundon profesor Fahri Mahalla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat