Heshtja e Shqipërisë rreth tensioneve në veri- Skenar i frikshëm për “ndarjen e Kosovës”, ky do të jetë roli i Ramës?

Politika

Heshtja e Shqipërisë rreth tensioneve në veri- Skenar i frikshëm për “ndarjen e Kosovës”, ky do të jetë roli i Ramës?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 26 dhjetor 2022 Në ora: 20:21
Ilustrim

Veriu i Kosovës ka hyrë në ditën e 17-të që nga vendosja e barrikadave nga serbët atje të cilët po kërkojnë lirimin e të arrestuarve, që sipas tyre mbahen ilegalisht në Polici, tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu dhe tërheqjen e “listave sekrete” për arrestimin e serbëve. 

Të dielën mbrëma ka pasur sulme në Zubin Potok pranë njërës prej patrullave të KFOR-it. 

Nga KFOR kanë konfirmuar të shtënat, duke thënë se nuk ka të lënduar apo dëme materiale. 

“Mund të konfirmojmë se para disa orësh patrulla e KFOR-it derisa ishte në detyrë në afërsi të Zubin Potokut ka dëgjuar dhe parë disa të shtëna armësh në afërsi të tij. Nuk ka të lënduar dhe nuk ka dëme materiale. Jemi duke i kontrolluar faktet nga në terren dhe më vonë do të publikojnë më shumë detaje”, kanë thënë nga KFOR. 

Gjersa, Kosova vazhdon të përballet me barrikada dhe pa përkrahje të mjaftueshme për largimin e tyre, Shqipëria e cila që nga viti 2009 është anëtare në Organizatën e  Traktatit të Atlantikut të Veriut, NATO dhe pjesë e KFOR-it po hesht. 

Analistët politikë thonë se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë dhe autoritetin shtetëror që t’i bëjë presion Serbisë të mos nxitë luftë, por se me “vëllain e Beogradit, nuk konfliktohet i Tiranës”. 

Sipas tyre, kryeministri Edi Rama nuk ka dashuri, e as dëshirë ta ndihmojë Kosovën. 

Bytyçi: “Me vëllain binjak të Beogradit nuk konfliktohet ky i Tiranës“! 

Image
Enver Bytyçi

Analisti politik dhe profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Bytyçi, ka thënë për “Bota sot”, se situata në veri është kërcënuese dhe konfliktuale. 

Qëllim i serbëve, sipas Bytyçit, është i njohur, të destabilizohet Kosova e rajoni. 

“Situata në veri të Kosovës është kërcënuese dhe konfliktuale. Prej 17 ditësh serbët, të detyruar nga Beogradi dhe bandat e banditët, mbajnë të bllokuara rrugët dhe kanë cenuar rëndë rendin kushtetues, ligjor dhe normal të kësaj zone. Qëllimi është tashmë i njohur. Të destabilizohet Kosova e rajoni. Të bëhet presion ndaj Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve, me qëllim ndarjen faktike të Kosovës dhe më pas diskutimin e këtij opsioni në dialog. Bllokimi i bisedimeve për të shqyrtuar projektin franko-gjerman. Ajo që është për t’u pikëlluar ka të bëjë me faktin se pjesë e kësaj skeme janë disa qarqe perëndimore, të cilat fajësojnë si qeverinë e Kosovës, e cila është në mbrojtje të integritetit territorial të shtetit, edhe banditët e Beogradit në veri të Mitrovicës. Madje duket se në veprime janë në favor të akteve të dhunshme e ekstremiste të bandave të trafikut, si dhe të politikave luftë-nxitëse të qeverisë dhe presidentit serb. Bashkimi Evropian ka paraqitur një projekt të konsideruar si plani franko-gjerman për zgjidhjen e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë. Por unë vë re se nuk është dakord me këtë plan edhe vetë Franca si autore e këtij projekti. Po ashtu shoh se segmente të caktuara politike e diplomatike në BE e në SHBA nuk janë entuziastë për këtë plan”, ka deklaruar Bytyçi. 

Të gjitha kundërshtitë e Beogradit, sipas Bytyçit, janë drejtuar kundër Gjermanisë. 

Sipas tij, në Beograd ekziston shpresa që vendet e tjera të tërhiqen nga pavarësia e Kosovës dhe integriteti i saj shtetëror. 

“Ndërkaq të gjitha kundërshtitë e Beogradit janë drejtuar kundër Gjermanisë. Asnjë vend tjetër nuk është vënë në shënjestër. Kjo do të thotë se në Beograd ekziston shpresa që vendet e tjera të tërhiqen nga pavarësia e Kosovës dhe integriteti i saj shtetëror territorial faktik. Të njëjtën gjë pret edhe qeveria shqiptare. Që në veri të Kosovës të zgjasë konflikti me Serbinë dhe ndarja e këtij territori të bëhet fakt i kryer në favor të Beogradit. Për këtë mos keni asnjë dyshim. Prandaj dhe e kam mbështetur dhe e mbështes memorandumin e ASHAK-së, pasi që ai memorandum shkruan të vërtetën. Ne shqiptarët kemi nevojë për ta njohur të vërtetën. Por fatkeqësisht nuk jemi përgatitur ende që ta pranojmë atë. Ndryshe debati do bëhej për vërtetësinë ose jo të atij memorandum”, ka theksuar Bytyçi. 

Shqipëria i ka të gjitha mundësitë dhe autoritet shtetëror që t’i bëjë presion Serbisë dhe Vuçiqit që të tërhiqet nga lufta-nxitëse, ka thënë Bytyçi, por sipas tij “me vëllain binjak të Beogradit nuk konfliktohet ky i Tiranës. 

Bytyçi: Pasi të shkohet në bisedime për ndarje, atëherë Edi Rama dhe një pjesë e opozitës së Kosovës do të fillojnë propagandën e “bashkimit kombëtar”! 

Sipas tij, qeveria shqiptare është kundër shqiptarëve dhe Kosovës e pro Serbisë e serbëve. 

“Shqipëria kishte dhe ka të gjitha mundësitë si dhe autoritetin shtetëror që të shfrytëzojë prezencën e saj në organizma ndërkombëtare për t’i bërë presion Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandër Vuçiq, që të tërhiqet nga diversioni luftë-nxitës e destabilizues në veri të Kosovës. Por nuk po e bën këtë. Arsyeja është e thjeshtë: “Me vëllain binjak të Beogradit nuk konfliktohet ky i Tiranës“! E ka më të lehtë të heshtë. Madje edhe në prapaskenë të nxitë opozitën në Kosovë që të mbrojë aktet diversioniste e ekstremiste të Aleksandër Vuçiq. Sesa të thotë të vërtetën dhe të mobilizoje diplomacinë shqiptare në mbrojtje të Kosovës. Kjo është e vërteta. E vërteta se Shqipëria, saktësisht qeveria shqiptare, është kundër shqiptarëve dhe Kosovës e pro Serbisë e serbëve, është një e vërtetë e hidhur. Aq e hidhur është, sa nuk duan ta besojnë kurrsesi një numër shumë i madh i bashkëkombësve të mi në Kosovë. Por të vërtetën e kemi për detyrë ta themi”, ka deklaruar Bytyçi. 

Ai ka kërkuar që të mos pritet që Shqipëria të bëhet palë me Kosovën në rastin e një konflikti të saj me Serbinë, pasi që kjo nuk do të ndodhë. 

Analisti ka treguar edhe “qëllimin” e Ramës që Kosova të dështojë në veri dhe të fajësohet Kurti dhe Osmani. 

 “Mos prisni që kryeministri i Shqipërisë të bëhet palë me Kosovën në rastin e një konflikti të saj me Serbinë. Kjo nuk do të ndodhë. Sigurisht që ai do ta justifikojë këtë me arsyetimin që “të mos i hidhet më shumë benzinë zjarrit”! Dhe me këtë skemë Edi Rama dëshiron ta shohë Kosovën të mundur në një ballafaqim me Serbinë. Se është kësisoj ka arsye. Të gjithë e dimë se si janë marrëdhëniet midis kryeministrit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës. E sidomos marrëdhëniet e tij me presidenten Osmani. Nëse Kosova dështon në veri të vendit dhe Serbia arrin ta zotërojë atë, atëherë të gjithë do të fajësojnë Kurtin dhe Osmanin e Kosova do të shkojë fillimisht në krizë qeverisjeje. Eliminimi i këtyre të dyve është objektivi i parë. Më pas, Rama të gjithë opozitarët i vendos në rresht dhe i urdhëron që të diskutojnë me Serbinë për ndarjen e vendit. Këtë aksion, nëse e arrin, ai do ta shoqërojë me një fushatë të ethshme për të fajësuar mbrojtësit e territorit të Kosovës dhe mbrojt projektin e mbrojtur nga vetë ai e Hashim Thaçi për ndarjen e vendit me kohë”, ka thënë Bytyçi. 

Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq punojnë bashkë, ka vazhduar Bytyçi, duke shtuar se shumë veta në Kosovë akoma nuk e besojnë. 

“Pasi të shkohet në bisedime për ndarje, atëherë Edi Rama dhe një pjesë e opozitës së Kosovës do të fillojnë propagandën e “bashkimit kombëtar”! Por pa pjesën më të pasur të Kosovës, veriun e saj. Edhe në Beograd në këtë rast do të thonë “Ok, ne nuk jemi kundër bashkimit të shqiptarëve”! Por ama pa Luginën, pa shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe pa ata të Malit të Zi. Shkurt Shqipërisë do t’i shtohen mbi 1.milion e gjysmë shqiptarë të Kosovës, por pa resurse për jetën e tyre. Që do të thotë se eksodi do të vazhdojë edhe më shumë se sot. Shkurt, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq punojnë bashkë dhe shumë veta në Kosovë akoma besojnë si gomari ëndërr, se nuk është kjo e vërteta! Është punë e tyre. Por nëse nuk do ta shohim të vërtetën në sy, atëherë do të vuajmë shumë më tepër sesa sot!”, ka theksuar Bytyçi. 

Kryeministri Edi Rama javë më parë kishte reaguar për situatën në veri, ai u shpreh se Qeveria e Shqipërisë e mbështetë plotësisht Qeverinë e Kosovës në lidhje me situatën e krijuar në veri. 

 Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka të gjithë solidaritetin, mirëkuptimin dhe mbështetjen e Shqipërisë. 

Shahu: Shqipëria nuk ka fuqi e as dashur ta ndihmojë Kosovën 

Image
Rexhep Shahu

E sipas, analistit politik Rexhep Shahu, Shqipëria nuk ka fuqi të ndihmojë Kosovën, e as dashuri. 

Sipas Shahut, Edi Rama është i zënë duke rregulluar imazhin e Serbisë dhe të presidentit Aleksandër Vuçiq. 

“Shqipëria e sotme politike me Ramën dhe çetën e tij, edhe pse në NATO ose dhe jashtë Natos, do të bënte një vrimë në ujë për ta ndihmuar Kosovën se Shqipëria nuk ka fuqi të ndihmojë, as dashuri të ndihmojë. Shqipëria nuk mund të imponojë as diktojë as propozojë as të thotë ndonjë fjalë diplomatikishit pro Kosovës se Edi Rama është i zënë duke rregulluar imazhin d Serbisë dhe të presidentit Vuçiq”, ka thënë Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat