“Shpërthime, bllokada dhe krisje armësh”/ Si u ‘trimërua’ Vuçiqi për trazirat në veri – publicisti jep emrat

Politika

“Shpërthime, bllokada dhe krisje armësh”/ Si u ‘trimërua’ Vuçiqi për trazirat në veri – publicisti jep emrat

Nga: A.Morina Më: 26 dhjetor 2022 Në ora: 22:18
Pjestarët e KFOR-it në veri

Për disa ditë me radhë, grupe qytetarësh serbë po mbajnë të bllokuara rrugët kryesore të cilat çojnë në vendkalimet kufitare veriore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pas këtyre, zhvillimeve janë realizuar disa vizita dhe takime mes përfaqësuesëve ndërkombëtar dhe kryeministrit Albin Kurti e presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

Publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj komentoi zhvillimet e fundit të veri vendit.

Ai në një prononcim për “Bota sot” tha se të gjitha këtyre tensioneve dhë sulmeve i ka paraprirë Josep Borell me një deklaratë tendencioze.

“Tensionimit të situatës në veri, i parapriu një deklaratë qëllim-keqe e përfaqësuesit politik të BE-së, Joseph Borrell. Dështimin e takimit Kurti-Vuçiq, ai ia faturoi, padrejtësisht, palës kosovare dhe kërcënoi se "do të informojë partnerët, për kundërshti dhe mungesë respekti, për përfaqësuesit e BE-së". Dhe, vërtet, në raportin e tij bëri një nxitje negative, duke dhënë porosinë për neutralitet të EULEX-it dhe KFOR-it, në rast të konfliktit serbo-shqiptar, sipas Rezolutës 1224, sepse "nuk keni as mandat dhe as forcë!" Dhe, kjo udhresë po zbatohet”, deklaroi publicisti.

Image
Publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj

Sipas Zeqirajt, me këtë rast president serb mori ‘trimëri’ dhe aktivizoi Radojiçiqin dhe Veselinoviq.

“Vuçiq u trimërua dhe aktivizoi eksponentët krimit në veri, Radojiçiq, Veselinoviq, të cilët e vunë në ballë të bandave Rakiq. Aksioni filloi me demolimin e lokalit të Komisionit Zgjedhor, nga grupi i ish-policit Dejan Pantiq, i cili u arrestua nga Policia e Kosovës. Dhe, në shenjë proteste, ngitën barrikada! Shpërthime gjithëfarëshe dhe krisma armësh dëgjohen anë e përtej qytetit, deri në plagosjen e efektivit të Policisë të Kosovës. E megjithatë, KFOR-i dhe EULEX-i heshtin, sikur nuk po ndodh asgjë”, theksoi ai.

Krahas vizitave dhe qëndrimeve të përfaqësuesëve ndërkombatër karshi situatës në veri, publicisti hedh dyshime se kryeministri Kurti ka gjasa të anashkalohet.

“Vizita e zëvendës-sekretarit Escobar, takimi me kryeministrin Kurti, opozitën dhe shoqërinë civile, kishte një mesazh kërcënues, për kreun e Qeverisë! Opozita po premton se "ne do ta bënim asociacionin brenda javës!" Escobar ka deklaruar se "do të gjejmë partnerë, për ta bërë asociacionin edhe pa Kurtin!"

Si duket, ka gjasa të anashkalohet Kurti, siç bëri Grenell, në takimin e Mynihut. "Me Thaçin e Haradinaj, merreshim vesh, me Kurtin jo", thonë krerët e bandave në veri dhe Vuçiq e Benabiq në Beograd. Ndërkohë, Grenell bënë thirrjen e përsëritur: "Ktheni Thaçin nga Haga", edhe pse akuzohet, për të paktën, 100 vepra penale, përfshi edhe vrasje”, nënvizoi Zeqiraj.

Më tej, ai i cilësoi si skena të turpshme, barrikadat në veri.

Sipas tij, KFOR-i dhe EULEX do duhej t’ia kishin bërë të qartë serbëve se çdo makinë në bllokadë, do të konfiskohet, pa të dejtë ankese.

“Kur ndërkombëtarët thonë se "barrikadat hiqen vetëm me marrëveshje politike, dhe se, serbët kanë arsye dhe është normale vendosja e barrikadave", është përkrahje e hapur për bandat! KFOR-i ka thënë e përsëritur se "ne sigurojmë lëvizjen e lirë të qytetarëve, si e drejtë elementare njerëzore". Por, ky premtim, tashmë, u harrua. Madje edhe vetë pjesëtarët e KFOR-it dhe Policia e EULEX-it, po lëvizin me helikopter, ose në rrugë malore e mushkatore", sepse barrikadimi është i hekurt.

Ndonëse barrikadat janë të dhunshme dhe shkelje flagrante e të drejtave elementare të komunitetit në veri dhe më gjerë në Kosovë, menaxhuesit e sigurisë, KFOR-i dhe EULEX-i, duhej ta kishin bërë të qartë se çdo makinë në bllokadë, do të konfiskohet, pa të dejtë ankese. Ose, nëse është vjeturinë, bullduzheri do ta kthejë në hekurishte, duke e përplasur në greminë. Dhe, kurrë më nuk do të ishin përsëritur skenat e turpshme e kriminale të barrikadimit”, shpjegoi publicisti.

Në fund, shtoi se fajtorë kryesor për gjendjen në veri janë ndërkombëtarët, te cilët me tolerancën e tyre po i ‘japin’ krahë Serbisë.

“Pra, fajtorë të parë janë ndërkombëtarët, me tolerancën e tepëruar dhe të pajustfikueshme. Të dytët, janë Beogradi me bandat e tj të armatosura në veriun e Kosovës.

Nëse demonstrimet dhe protestat paqësore janë organizime të ligjshme e demokratike, barrikadimi i rrugëve penalizohet dhe asnjë shtet në botë nuk i toleron, jo me ditë e javë, por as me orë”, përmbylli Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat