Si u tentua ndarja e Kosovës në këmbim të shuarjes së Speciales: Paralajmërohen prova dhe fakte të tjera për “tradhtinë kombëtare”

Politika

Si u tentua ndarja e Kosovës në këmbim të shuarjes së Speciales: Paralajmërohen prova dhe fakte të tjera për “tradhtinë kombëtare”

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 27 dhjetor 2022 Në ora: 08:04
Richard Genell dhe Hashim Thaçi

Ish ambasadori i ShBA-ve në Gjermani dhe ish i dërguari special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka zbuluar së fundi se ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po akuzohet nga Gjykata Speciale për vrasje të anëtarëve të LDK-së, ishte i gatshëm që t’i jepte fund Gjykatës Speciale në këmbim të një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

“Jack Smithi e paditi Hashim Thaçin pasi i thashë Bruce Schëartzit të Departamentit të Drejtësisë se palët ishin pajtuar t’i jepnin fund Gjykatës Speciale dhe Jack Smithi do ta humbte vendin e tij të punës (si kryeprokuror i Speciales). Thaçi po vinte në Shtëpinë e Bardhë për ta përfunduar marrëveshjen finale”, ka deklaruar Richard Grenell.

Kjo deklaratë e Grenellit nxiti reagim të shumta, dhe dyshime të mëdha sa i përket planeve për ndarjen e Kosovës dhe shkëmbimit të territoreve.

Dihet se një nga temat më të ndjeshme është ajo e ndarjes së Kosovës, ku në vazhdimës është kundërshtuar fuqishëm.

Kësisoj, deklaratat e Grenellit nxitën shqetësime sa i përket kësaj çështjeje.

Analistët për gazetën “Bota sot” komentuan deklaratën e fuqishme të Grenellit që ngriti debate të shumta.

Ndër të tjera, ata kërkuan të bëhen hetime dhe të ngritet një komision i veçantë për rolin e Hashim Thaçit në dëm të territorit, pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës, përfshirë edhe Isa Mustafën.

Bytyçi: Presidenti që është betuar në mbrojtje të Kosovës, ia fal Serbisë territorin e vendit të tij!

Image
Enver Bytyçi

 

Profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi në prononcimin e tij për gazetën “Bota sot” komentoi planin e Thaçit dhe Grenellit për nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Uashington.

Fillimisht, profesori përmendi edhe përfshirjen e Baton Haxhiut në këtë plan, derisa citoi tri pikat që sipas tij, do të përmbante marrëveshja finale Kosovë-Serbi.

“Atë qershor të vitit 2020 presidenti Thaçi u nis drejt Uashingtonit për t’u takuar me presidentin amerikan, Dolad Trump. Në fakt ishte thënë se dy presidentët, Thaçi dhe Vuçiq, po shkonin për bisedime në Shtëpinë e Bardhë dhe se aty papritmas mund të shfaqet edhe presidenti Trump. Ndërmjetës i atyre bisedimeve ishte ish-ambsadori amerikan në Berlin, Richard Grenell. Ai kishte bërë gjithçka gati. Ishte personi më i interesuar që ta çonte dialogun në firmosjen e një dokumenti përfundimtar për zgjidhjen e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë. Ndaj dhe kishte marrë të gjitha masat që kjo të përfundojë, sepse vetëm në këtë rast do ishte i pranishëm presidenti amerikan.

Asokohe kishim thënë se Thaçi po shkonte në Uashington për të firmosur një marrëveshje për ndarjen e Kosovës. Baton Haxhiu pati paralajmëruar se në këmbim të ndarjes së Kosovës do të shuhej Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë. “Nuk ka kuptim, tha Batoni, që tash pas 20 vitesh të flitet për krime lufte dhe gjykatën special. Duhet bërë marrëveshje me tri pika: Të shkëmbehen territore midis Kosovës dhe Serbisë, të shuhet Gjykata dhe të harrohen krimet e Serbisë kundër shqiptarëve”! Batoni ishte në dijeni të këtij projekti. Ndërsa Grenell ishte autori i tij. Thaçi dhe Vuçiq kësisoj u nisën për të firmosur një marrëveshje pro-Serbisë dhe fatit të Hashim Thaçit, të paralajmëruar nga Baton Haxhiu dhe të hartuar nga Riçard Grenell”, shpejgoi Bytyçi.

Pavarësisht kësaj, ai e cilësoi vendimin e prokurorit Smith si politik, por që në ato momente kishte për qëllim të parandalonte një marrëveshje si ajo që kishte planifikuar Thaçi, por që rruga e tij iu ndërpre nga shpallja e atij vendimi.

“Por në krye të Prokurorisë së Posaçme qëlloi një prokuror “kokëshkretë”, si Xhek Smith, dhe ndërsa Thaçi po kalonte tranzitin në Frankfurt të Gjermanisë, prokurori Smith shpalli vendimin e tij për të marrë në ndjekje penale presidentin e Kosovës të akuzuar për krime lufte. Një presidenti i akuzuar për krime të tilla nuk mund të formoste tashmë asnjë lloj marrëveshjeje me Serbinë, aq më pak në zyrën ovale të presidentit amerikan. Ky vendim ishte politik për kohën në të cilën u bë publik. Shpallja në këtë moment kishte për qëllim të parandalonte një marrëveshje si ajo. Por akt-akuza ishte hartuar shumë kohë më parë”, deklaroi ai.

Ndërsa, sa i përket deklarimeve të Grenellit, profesori tha se qëllimi kryesor i tij është denigrimi i prokurorit Smith, pasi dihet se tani është i ngarkuar për hetimin në rastin e ish-presidentit Trump.

“Tani ambasadori Grenell ka publikuar disa fakte, të cilat e zbulojnë qartë rolin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për tjetërsimin e territorit të Kosovës. Kjo ndodhi për shkak se Smith është ngarkuar për hetimin e presidentit Trump. D.m.th pohimet po bëhen për të denigruar kësaj radhe prokurorin Xhek Smith e për të fajësuar Shtëpinë e Bardhë. Natyrisht edhe për ta mbrojtur ish-presidentin Trump. Dhe në këtë rast po përdoret sërishmi Hashim Thaçi në luftën e brendshme politike të Uashingtonit. Por ky përdorim ka një të mirë të madhe: - Zbuloi hapur e publikisht misionin anti-kosovar të atij që do të duhej ta mbronte Kosovën. Zbulon edhe njëherë atë që kemi thënë që atëherë se presidenti i vendit, i ngarkuar me kushtetutë të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial, ishte në rrugë për ta cënuar atë dhe pjesën më të pasur të territorit të vendit t’ia jepte armikut shekullor të Kosovës, pra Serbisë”, tha ndër të tjera profesori.

Bytyçi paralajmëroi se në vazhdim do të dalin edhe prova dhe fakte të tjera, me të cilat do të provohet siç thotë ai, tradhtia kombëtare e Hashim Thaçit për t’i shpëtuar Hagës.

Madje, përmendi edhe tradhtinë e Ramës kundër Kosovës.

“Imagjinojeni! Presidenti që është betuar në mbrojtje të Kosovës, ia fal Serbisë territorin e vendit të tij! Ku dhe kur ka ndodhur kjo në historinë e botës?! Po ndodhte në Kosovën e pavarur e të papranishme në OKB. Po bëhej nga kreu i shtetit për ta shpërblyer Serbinë për 13.500 viktimat e pafajshme që shkaktoi në Kosovë, për 1600 të zhdukurit qëllimisht, për 20 mijë viktimat e përdhunuara, për 120 mijë banesave dhe objekteve të djegura dhe rrënuara po në Kosovë. Po i thoshte Hashim Thaçit, faleminderit që na i bëre të gjitha këto poshtërsi, mizori e akte genocidi dhe për këtë do jua shpërblejmë me territoret tona më të pasura.

Edhe Akademia e shkencave dhe Arteve të Kosovës e elaboron këtë fakt, kur shkruan se “Thaçi e futi në agjendë opsionin e ndarjes së Kosovës, si mjet kryesor për të shpëtuar veten nga Gjykata Speciale”. Prandaj dhe janë ngritur hava disa fanatikë të ish-presidentit dhe po bëjnë akuza të shumta kundër akademisë së vendit të tyre. Madje kanë filluar të analizojnë edhe etimologjitë e fjalëve që përdoren në dokumentin e ASHAK. Por, dielli me shoshë nuk mbulohet. Do të dalin edhe prova dhe fakte të tjera, me të cilat do të provohet tradhtia kombëtare e Hashim Thaçit për t’i shpëtuar Hagës. Edhe tradhtia e Edi Ramës kundër i Kosovës”, vlerësoi ai.

Në fund, profesori kërkoi që dikush në Kuvendin e Kosovës të propozojë themelimin e një komisioni që do hetonte rolin e Hashim Thaçit në dëm të territorit, pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës.

“Unë besoj se dikush në parlamentin e Kosovës do të kujdesit që të propozojë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për rolin e Hashim Thaçit në dëm të territorit, pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës! Ai që mburret me aktin e leximit të aktit të pavarësisë duhet të njihet së paku nga publiku i Kosovës edhe si burri që e grisi vetë atë akt pavarësie dhe tentoi ta zhbëjë atë, bashkë me tërritorin dhe institucionet e Kosovës. Le t’ia njohim Hashim Thaçit të dy këto merita: - Meritën se lexoi një deklaratë pavarësie, madje dhunshëm, pa pyetur presidentin e kryetarin e parlamentit. Dhe meritën e tradhtisë së atdheut, të parashikuar në nenin 2, pika 2 të Kushtetutës së Kosovës”, përfundoi Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Qarri: "Tanimë po zbardhen publikisht pazaret e ndyta të kuislingut Hashim Thaçi"

Image
Gani Qarri

 

Kurse, analisti politik, Gani Qarri tha se marrëveshjet politike që nënshkruan Thaçi e mustaga po e rrezikojnë shumë rëndë tërësinë territoriale dhe vazhdimësinë e shtetësisë së Kosovës

“Ish sunduesit e dyshimtë absolut, të shtetit të brishtë të Kosovës, të shantazhuar pafundësisht nga Serbia, si kuislingu Hashim Thaçi e renegati Isa Mustafa, po vërtetohet nga vet ish dora e parë e ish ndërmjetsimit të lart amerikan,si Richard Grenell, se kanë nënshkruar edhe marrëveshje të dëmshme shumëngjyrshe të llojit "lgbt", të cilat, sot po e rrezikojnë shumë rëndë dhe më seriozisht,se kurdoherë më parë, tërësinë territoriale dhe vazhdimësinë e shtetësisë së Kosovës.

Marrëveshjet tradhtare në kurriz të Kosovës, që kohët e fundit, i ri-vërtetoi edhe njëherë më tepër, vet ish ambasadori i ShBA-ve në Gjermani dhe ish i dërguari Special i ish presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i cili ka bërë një varg postimesh në lidhje me artikullin e publikuar në «The Daily Beast» ku ka rrëfyer në vetë të parë, edhe disa prapaskena meskine, të panjohura deri më tani, për opinionin publik, të kuislingut Thaçi, në vitet kur fatkeqësisht, ai dhe renegati Isa Mustafa, ishin akterët kryesor, të shtetit në Kosovë”, deklaroi ai në një prononcim për “Bota sot”.

Sipas tij, vetë deklarata e Grenellit po i shpërfaq hapur pazaret e ndyta të Thaçi, per t'i shpëtuar Speciales.

“Grenell përveç tjerash, ka rrëfyer edhe njërën nga prapaskenat më të rrezikshme që vinte në pikëpyetje vet ekzistencën e shtetit të Kosovës, si dakordimi i kuislingut Thaçit me krimindelin Vuçiq për ndarjen e Kosovës dhe faljen e veriut të vendit tonë Serbisë fashiste, për dhënien fund Gjykatës Speciale, që konsiderohet si akti më i rëndë i tradhtisë në periudhën e pasçlirimit të Kosovës.

Vet kjo e dhënë autentike,e publikuar nga dora e parë e ndërmjetsimit të atëhershëm të Donald Trump-it, si Richard Grenell, dëshmon se tanimë po zbardhen publikisht pazaret e ndyta të kuislingut Hashim Thaçi, per t'i shpëtuar Gjykates Speciale, në këmbim të shitjes së pjesëve më vitale të tokave të Republikës së Kosovës”, u shpreh analisti.

Gjithashtu, Qarri beson se prokurori Smith, ishte ai i cili e shpetoi edhe Kosovën nga ndarja dhe ricopëtimi që Thaçi

“Madje, kjo duket të jetë edhe sot, njëra nga arsyet kryesore, pse Gjykata Speciale në vazhdimesi vijon t’i refuzojë dhe hedhë poshtë, njërën pas tjetrës, të gjitha kërkesat, për lirimin me kusht të Thaçit, i cili me kolaboracionistët shqipfolës të Vuçiqit në Kosovë, sërish mund ta jetësoj planin për ricopëtimin e vendit dhe faljen e veriut të Kosovës, Serbisë hegjemoniste!

Madje informatat më të reja të publikuara nga Richard Grenell dëshmojnë katërçipërisht, se me burgosjen e Thaçit, prokurori Smith, ishte ai i cili e shpetoi edhe Kosovën nga ndarja dhe ricopëtimi që Thaçi & Co kishin planifikuar ta jetësonin me Serbinë dhe bandat kriminale serbe në veri, të udhëhequra nga tandemi i terroristëve të llojit Milan Radojçiq e Zvonko Veselinoviq dhe kriminel të tjerë, që tash e dy dekada terrorizojnë të papenguar, gjithë veriun e Kosovës”, theksoi ai.

Në fund, analisti kërkoi nga organet përkatëse të prokurorisë së shtetit dhe sistemit të drejtësisë, duhet të fillojne urgjentisht hetimet per tradhti të lartë kombëtare nga Thaçi dhe Mustafa.

Kështu që pas daljes në dritë të dëshmive më të reja, lemeritëse që së fundi, i zbuloi ish dora e parë e ndërmjetsimit amerikan, Richard Grenell dhe argumenteve të publikuara nga Akademia e Shkencave të Kosovës mbi veprimet tradhtare të Hashim Thaçit e Isa Mustafës, organet përkatëse të prokurorisë së shtetit dhe sistemit të drejtësisë, duhet të fillojne urgjentisht hetimet për tradhti të lartë kombëtare nga Thaçi, Mustafa & Co, ndaj popullit dhe Republikës së Kosovës.

Hetime të thella dhe sa më të detajuara, nga sistemi i drejtësisë së vendit, duhet të zhvillohen jo vetëm kundër kuislingut Hashim Thaçi, por edhe kundër renegatit Isa Mustafa, si dhe ish anëtarëve të dyshimtë të kryesisë së LDK-së, si Skender Hyseni etj, të involvuar në afera të tradhtisë kundër popullit dhe shtetit tonë të pavarur, për të plotësuar orekset e sëmura territoriale të Serbisë fashiste në dëm të tokave autoktone të Republikës së Kosovës, përndryshe populli dhe shteti ynë i ri, kurrë nuk do të gjejnë paqe as qetësi, nga pasojat e marrëveshjeve tradhtare të kuislingve e reaksionarëve modern të cilët të frikësuar nga ndëshkimi i ligjit, që i pret për tradhti, edhe sot reagojnë të parët dhe janë shumë aktiv”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat