A po përhapet një ‘front lufte’ në veri?/ Publicisti zbulon skenarin e Vuçiqit – përshëndet këtë vendim të Kurtit!

Politika

A po përhapet një ‘front lufte’ në veri?/ Publicisti zbulon skenarin e Vuçiqit – përshëndet këtë vendim të Kurtit!

Nga: A.Morina Më: 27 dhjetor 2022 Në ora: 17:05
Foto ilustrim

Situata në veri të vendit me sulme më bomba, armë zjarri, me bllokim rrugësh, me barrikada, tensione, e gjitha është rezultat i udhëheqjes së një politike antikushtetuese nga Lista serbe.

Serbët duket se nuk e kanë ndërmend të zmbrapsen, ata veçse po shtojnë pothuajse çdo ditë barrikada të reja dhe mënyra të kundërshtimit të shtetit ligjor, me shpresë për ta shkatërruar shtetin tonë.

Për këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” foli publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj.

Ai tha se ndërkombëtarët me qasjen e tyre të butë, po e ‘ndihmojnë’ Serbinë të ‘ha me dy lugë’, edhe me Rusinë edhe me Perëndimin.

“Janë, pikërisht, ndërkombëtarët, të cilët e kanë përkdhelur, në vite e dekada, Serbinë, në përpjekje për ta shkëputur nga tutela ruse. Duke e ditur këtë, Serbia kalkulon me palët, por, zemra sllave rrahë nga Lindja. Ajo përfiton, më saktë, zhvatë edhe nga Perëndimi. Pra, "hanë me dy lugë".

Sigurisht, gjuha e BE-së dhe SHBA-së, ndaj Serbisë, duhej ashpërsuar me kohë, në raport me provokimet që bënë ajo, në vijimësi, kundër Kosovës dhe fqinjëve të saj, Bosnjës dhe Malit të Zi. Dhe, po të ishte bërë kjo me kohë, as që do të guxonin të bënin vetëgjyqësi, duke e sfiduar shtetin e vetë, shtetin e Kosovës dhe duke ndëshkuar komunitetin në atë pjesë të Kosovës dhe të tjerët, me një masë ekstreme, siç është ndalimi i lëvizjes së lirë”, deklaroi ai.

Sipas Zeqirajt, skenari i Vuçiqit me Listën Serbe dihet tanimë, dhe është jo e drejt që të ‘hidhet’ topi te Qeveria e Kosovës.

Ai kritoi qeveritë e mëparshme për gjithë gjendjen e krijuar në veri, ku tha se nuk kanë bërë asgjë për inkuadrimin e veriut dhe nuk kishin asnjë pushtet faktik.

Image
Publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj.

“Tashmë dihet skenari ogurëzi i Vuçiqit, me bandën e tij, Listën Serbe, në veriun e Kosovës. Mjerisht, kësaj radhe palë u bënë edhe ndërkombëtarët. Dhe, këta kanë përgjegjësinë, ekskluzive, për qetësimin apo eskalimin e situatës.

Ndërsa përpjekja "për ta hedhur topin" ke Qeveria e Kosovës, është hipokrizi dhe provokim - njëherësh. Ta akuzosh Qeverinë Kurti, se "e bëri hallakamë e katrahurë veriun e Kosovës", siç dalldisën në kritika, disa dada beqare në Parlament dhe "Kurti lë ta zgjidhë vet", është sa e padrejtë, aq edhe cinike. Realiteti është i kundërt.

Qeveritë e shkuara, realisht, nuk kishin bërë asfarë inkuadrimi të veriut dhe nuk kishin asnjë pushtet faktik. Qetësinë fallso e mbante makro-kontrabanda e komandantëve pushtetarë të Kosovës, me krerët e bandave serbe në veri. Edhe pse kjo ishte - një e fshehtë publike -, askush nuk reagonte. Sepse, siç thotë DASH i Amerikës, në motivacionin e shpalljes "non grata" të krerëve serbë të bandave në veri, "komprometimi dhe krimi kishte shtrirë rrjetin e kontrabandës në tërë Kosovën””, shpjegoi publicisti.

Më tej, ai vlerësoi përpjekjet e qeverisë Kurti për të vënë rregull dhe ligj në veri.

Krahas kësaj, shtoi se Qeverisë Kurti, ka prishur pazarët e banditërve kontrabandistë në veri, me komandantët kontrabandistë e kriminelë në Kosovë.

“Qeveria Kurti, në përpjekje për të vënë rregull e ligj, provoi zbatimin e ligjit edhe në veri, njësoj si në jug, qoftë me ndalimin e zgjedhjeve të Serbisë, brenda territorit të Kosovës; me pajisjen me dokumentet e identitetit të Kosovës; me heqjen e targave ilegale të Serbisë dhe regjistrimin me ato të Kosovës, (RKS); pra me zbatimin e mirëfilltë të reciprocitetit. Rrjedhimisht, edhe me kontrollimin ligjor doganor, edhe pse me një marrëveshje sekrete, Hashim Thaçi ishte dakorduar që FSK-ja të mos kishte qasje në veri.

Kjo ndërhyrje legjitime e Qeverisë Kurti, ka prishur pazarët e banditërve kontrabandistë në veri, me komandantët kontrabandistë e kriminelë në Kosovë. Prandaj, pavarësisht llafeve boshe e hipokrite të opozitarëve PAN-istë, ata janë bërë njësh me bandat në veri, dhe me Vuçiqin në Beograd, për ta rrëzuar Qeverinë Kurti. "Këtu flenë lepuri",- thotë populli! Standardi i ri, i vendosur nga Kurti, për të vendosur rend e ligj në veri, ua prishi qetësinë edhe përfaqësuesëve burokratë të BE-së, të ngarkuar me ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi”, nënvizoi Zeqiraj.

Ndër të tjera, publicisti tha se qëllimet e Vuçiqit janë politike, për të përfituar dhunshëm, jo në frontin e luftës, por në rehatinë e bisedimeve në Bruksel.

“Rrjedhimisht, situata implikohet krejt artificialisht, me qëllime politike, për të ndikuar në rrjedhën e dialogut, sa të stërzgjatur, aq edhe të panevojshëm. Nëse Kosova është shpallur shtet i pavarur, e konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në kufinjtë e saj klasik, pse u dashka të kthehet para vitit 1913, përkatësisht, korrigjimin e Konferencës së Londrës, edhe pse, edhe ashtu veproi padrejtësisht, në dëm të shqiptarëve, duke favorizuar fqinjët e Shqipërisë, pra, edhe Serbinë, me territoret shqiptare.

Edhe nëse, vërtet, eskalon situata në veriun e Kosovës, ajo nuk ka asnjë motiv serioz për eskalim. Oreksi i shtuar i Serbisë, përkatësisht, i Vuçiqit, me nxitjen edhe nga Rusia, për një konflikt në Ballkanin Perëndimor, kjo gjendje ne veriun e Kosovës, është sa artificiale, aq edhe qesharake, në dukje. Por, qëllimet janë politike, për të përfituar dhunshëm, jo në frontin e luftës, por në rehatinë e bisedimeve në tavolinë”, përfundoi Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat