Barrikada të reja e sulme të përditshme: Kosovës i kërkohet të ndërpres çdolloj bashkëpunimi me Serbinë

Politika

Barrikada të reja e sulme të përditshme: Kosovës i kërkohet të ndërpres çdolloj bashkëpunimi me Serbinë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 27 dhjetor 2022 Në ora: 22:15
Barrikadat në veri

“Liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit të zhvilluar të hënën me komandantin e Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Angelo Michele Ristuccia, dhe Shefin e EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark.

Por, ende pa kaluar 24 orë nga deklarata e kryeministrit të Kosovës, serbët e veriut kanë vendosur edhe dy barrikada të reja.

Barrikadat janë vendosur në rrugën magjistrale “Mitrovicë- Zveçan”, pak përtej vendit të quajtur “Kërshi i Dudës”.

Përpos barrikadave në veri, serbët nuk i ndalin as sulmet. Të hënën u raportua sulm ndaj gazetares dhe shoferit të një mediumi nga Kosova, e të martën gjersa po raportonte live u sulmua gazetarja nga mediumi i Shqipërisë “Top channel”.

Analistët politikë thonë se Serbia është përgjegjëse për të gjitha që po ndodhin dhe ajo i shfrytëzon barrikadat dhe bënë përpjekje që ta bind botën se shqiptarët dhe serbët nuk mund të bashkëjetojnë.

Zogaj: Serbia po e provokon Bashkësisë ndërkombëtare, barrikadat janë problem i KFOR-it, e jo i Kosovës

Image
Skender Zogaj

Analisti politik, Skender Zogaj, thotë se Kosova po bënë gabime trashanike dhe Serbia po e shfrytëzon këtë.

Ai i quan serbët “frikacakë të mjerë, që për ta fshehur frikën bëjnë gjeste marrëzirash”.

“Çështja e veriut po shkon andej ka më së paku është dashur të shkojë dhe kjo po ndodh, në mënyrë absolute për fajin e Kosovës, e cila, për fat të keq, po bën gabime trashanike konceptuale, të cilat Serbia po i shfrytëzon dhe po prodhon gjendje krize, që është në gjenetikën e saj shekullore, sepse nëpërmjet krizave, sikurse edhe Rusia, është mësuar të fitojë. Serbët janë frikacakë të mjerë, që për ta fshehur frikën bëjnë gjeste marrëzirash, e gjuajnë gurin dhe e fshehin dorën, siç kanë vepruar me sulmin në ekipin e gazetarëve nga Prishtina dhe rrugaçëritë e tjera të këtyre ditëve në afërsi të patrullave të KFOR-it! E gjithë kjo gjendje është shqetësuese, por jo dramatike, sepse, veprimet në veri janë të deshifruara: Serbia po e provokon Bashkësisë ndërkombëtare, e cila e ka mandatin e plotë të mbrojtjes dhe sigurisë në atë pjesë të Kosovës, prandaj, barrikadat janë problem i KFOR-it, e jo i Kosovës”, ka pohuar Zogaj.

Përgjegjësia e gjithë veprimeve i bie Serbisë, sipas Zogajt, gjersa ka këshilluar që Kosova të mos bie pre e provokimeve.

“Përgjegjësia i bie Serbisë dhe vetëm Serbisë, e cila ka zgjedhur mënyrën e saj të veprimit provokativ, ku Kosova nuk guxon të bie, sepse nuk e ka asnjë arsye! Serbia e din ku është vija kufitare e shtetit të Kosovës që është pranuar ndërkombëtarisht, prandaj, nuk ka pse brengoset që ca huliganë serb qëndrojnë pas barrikadave! Le të rrinë sa të duan! Dhe meqë po duan barrikada, unë mendoj se Kosova duhet t'ua bëj qejfin dhe të merr vendim që të ndërpres tërësisht, çdo lloj bashkëpunimi, sidomos të ndalojë plotësisht importin nga Serbia! As ajrin që vjen nga Serbia të mos e pranojmë. Këtë mund ta bëjmë dhe duhet ta bëjnë!”, ka theksuar Zogaj.

Barrikadat janë ngritur që nga 10 dhjetori, pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq. Ai akuzohet nga autoritetet e Kosovës se organizoi “sulmin terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se kanë kapacitete për largimin e barrikadave të ngritura në veri, por se i kanë dhënë kohë misionit të NATO-s, KFOR, që ta bindë komunitetin lokal që t’i largojë vetë ato.

Duhanaj: Tanimë dëmi është bërë dhe kapacitetet tona për ta riparuar, janë të limituara

Image
Leon Duhanaj

Analisti politik, Leon Duhanaj, ka thënë se përgjegjësia për të këqijat e Kosovës bien mbi mekanizmat ruse.

Sipas Duhanaj, kur Serbia nuk ka politikan normal, që aktron njeriun dhe sillet si hyena, bota perëndimore kërkon durim nga Kosova.

“Për mendimin tim, përgjegjësia kryesore për të gjithë të këqijat në Kosovë dhe rajon bie mbi mekanizmat ruse të cilat në masë të madhe kontrollohen përmes kishës ruse e cila elementin kishtar serb e ka totalisht nën kontroll. Ky ndikim i madh është pengesë e madhe për shkëputjen e Serbisë nga ndikimi rus. Madje edhe nëse Serbia do të kishte politikan normal, vështirë do ta kishte mbizotërimin ndaj tyre. Shto kësaj që në Serbi e kemi një President i vili aktron njeriun përderisa sillet si hiena. Duke pasur parasysh ketë bota perëndimore ka kërkuar nga Kosova që të jetë konstruktive dhe e durueshme në mënyrë që hap pas hapi të shkojmë drejtë zgjidhjes përfundimtare të problemit. Në ketë kontekst, në të gjitha zhvillimet në raport me ta duke filluar nga Rambuje e këndej, Kosova ka luajtur rol konstruktiv dhe ka dalë fitimtare”.

“Për fat të keq, Kryeministri Kurti, duke u munduar t'u balancojë pritshmërive militanteske dhe premtimeve të tija të parealizueshme, në vend që të bëj politika të mençura, bëri të kundërtën. Kryeministri Kurti e refuzoi kërkesën amerikane për ta shtyrë çështjen e targave duke ndikuar kështu që serbët ta përdorin si alibi për eskalim të situatës. Nuk e di si ta shpjegojë, por mënyra si Qeveria e Kosovës ka vepruar në ketë situatë është në kundërshtim të plotë me interesat e Kosovës dhe si pasojë e kësaj Kosova është dëmtuar rëndë”, ka pohuar Duhanaj.

Sipas tij, Serbia po i shfrytëzon barrikadat për dezintegrim të plotë dhe do të bëjë përpjekje ta bind botën se bashkëjetesa me shqiptarët është e pamundur.

Këtë do ta dëshmojë koha, pasi që Serbia sot, po i shfrytëzon këto barrikada për dezintegrimit të plotë dhe do të bëjë çdo përpjekje që ta bind botën se bashkëjetesa me shqiptarët është e pamundur. Njëherësh do të shfrytëzojë çdo hapësirë për dezintegrim me bindjet se një ditë bota do të bindet për t'i dhënë Serbisë me shumë. Qeveria Kurti, erdhi në pushtet duke manipuluar me termin "jo zajednica" e tash e ka çuar vërtetë punën aty sa që Serbia të kërkojë më shumë se aq dhe se një ditë "zajednica" po të bëhet, madje edhe me fuçi me të madhe apo autonomi. Pleqtë kanë thënë një fjalë: Qeni i keq, ta sjellë ujkun në torishtë". Për fat të keq, edhe Qeveria, edhe Presidenca, me apo pa vetëdije, janë duke mbrojtur interesat serbe në rajon dhe kjo nëse vazhdon me ketë ritëm, do na kushtojë shumë. Tani zgjidhje tjetër s’mund të bëjmë, pos të jemi bashkëpunues dhe kërkues ndaj KFOR-it, përkatësisht NATO-s, edhe pse nuk e di a na beson me kush. Tanimë dëmi është bërë dhe kapacitetet tona për ta riparuar, janë të limituara. Duhet të konsiderohemi me fat që e kemi KFOR-in, për ndryshe punët do t'i kishim shumë me keq”, ka përfunduar Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat