Mefail Bajqinovci: Vuçiq është në panik, barrikadat s’do të mund të qëndrojnë gjatë!

Politika

Mefail Bajqinovci: Vuçiq është në panik, barrikadat s’do të mund të qëndrojnë gjatë!

Nga: A.Morina Më: 29 dhjetor 2022 Në ora: 09:23
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci

Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, tha të hënën se numri i pjesëtarëve të njësive speciale të Forcave të Armatosura Serbe do të rritet nga 1.500 në 5.000 deri në fund të vitit 2023. Një vendim i tillë erdhi, tha ai, “me urdhër” të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ky vendim vjen një ditë pasi shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Milan Mojsiloviç, tha se në mbrëmjen e 25 dhjetorit ka pasur një takim me presidentin e Serbisë dhe udhëheqjen ushtarake lidhur me ngjarjet në Kosovë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi këtë vendim të presidentit dhe ministrit serb.

Fillimisht, ai u shpreh se presidenti serb është në panik, pasi nuk e ka mbështetjen as të ndërkombëtarëve e madje as të qytetarëve serbë në Mitrovicë.

Sipas tij, Vuçiqit i kanë mbetur disa mercenarë të bandave kriminale.

“Vuçiqi është në panik sepse po e sheh dështimin në këtë mision. Prandaj po krijon barrikada të reja, mirëpo këto janë tendenca të kota për ta përshkallëzuar situatën edhe më tej.

Vuçiqi nuk e ka mbështetjen as të ndërkombëtarëve e madje as të qytetarëve serbë në Mitrovicë. Krejt çfarë i kanë mbetur janë disa qindra serbë mercenarë të strukturave ilegale e bandave kriminale.

Forcat tona të sigurisë dhe mbrojtjes janë të afta dhe të përgatitura që t’a mbrojnë vendin nga çdo agresion i mundshëm”, deklaroi deputeti i LVV-së.

Krahas kësaj, Bajqinovci tha se qeveria është e vendosur për ta përmbushur detyrën për respektim të integritetit territorial në të gjithë territorin e Kosovës.

“Sa i përket largimit të barrikadave, siç dihet institucionet tona janë në ndërveprim të ngushtë me KFOR-in. Ka një komunikim të vazhdueshëm për ta gjetur zgjidhjen më të mire dhe e cila nuk shkakton probleme për askënd. Në këtë drejtim, është e qartë se barrikadat s'do të mund të qëndrojnë gjatë dhe Qeveria jonë është e vendosur për ta përmbushur detyrën për respektim të integritetit territorial në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim edhe me miqtë dhe aleatët tanë”, theksoi Mefail Bajqinovci për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat