Skenari i fundit për veriun/ Bytyçi: “Serbët thanë disa herë në ditë se do derdhej gjak...”

Politika

Skenari i fundit për veriun/ Bytyçi: “Serbët thanë disa herë në ditë se do derdhej gjak...”

Nga: Nehat Shaqiri Më: 29 dhjetor 2022 Në ora: 16:34
Policia e Kosovës

Në veriun e Kosovës kanë filluar grupet kriminale serbe që t’i largojnë barrikadat.

Rreth 3 javë po bëhen që veriu ishte i bllokuar nga barrikadat, ndërsa Kosova e Serbia dukeshin si në luftë me njëra-tjetrën.

Kështu shprehet profesori dhe analisti politik Enver Bytyçi, i cili shton se pamë një ushtrim force nga ana e presidentit serb, Aleksandër Vucciq.

Sipas tij, atje pamë barrikada, demonstrim të ushtrisë në Rashkë e afër Jarinjës.

Bytyçi shprehet se e pamë një shef shtabi të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë që udhëtonte në mesnatë drejt Rashkës, vetëm dhjetë km larg kufirit me Kosovën.

Siaps tij, kishte urdhëra për gatishmëri numri një i ushtrisë nga ana e presidentit të Serbisë.

“Ndërkaq serbët e veriut u betuan dhjetë herë në ditë se “do derdhej gjak, nëse qeveria e Kosovës do të ndërhynte të hiqte barrikadat”! Ndërkaq bashkësia ndërkombëtare, KFOR-i, NATO, EULEX-i, Lajçak, Borrell, Escobar dhe të tjetë ndërmjetës ndërkombëtarë dhanë ultimatum, pa e ditur mandatin që kanë në Kosovën e pas luftës së vitit 1999. P.sh KFOR-i ka mandate nga Këshilli i Sigurimit që të garantojë paqen, sigurinë dhe lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve, si dhe rendin e rregullin në veri të Mitrovicës e në të gjithë Kosovën. Këtë mision ia ngarkon Rezoluta 1244. Por nuk e kreu këtë mision, me pretendimin se “duhet zgjidhje politike”, kur problemi ishte ligjor dhe kushtetues”, thotë Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se Qeveria e Kosovës u ndje e izoluar në përpjekjet e saj për të rivendosur rendin dhe rregullin.

Image
Profesori Enver Bytyçi

“E izoluar jo vetëm nga faktorë të jashtëm, por edhe nga reagimet e opozitës në Kosovë dhe indiferenca e Shqipërisë. Prandaj dhe reagimet e kryeministrit, ministrit të brendshëm e të tjerëve shprehnin një lloj frustrimi. Mesa duket bënin përpjekje që te publiku të dukeshin të vendosur, por ndërkohë ndjehej njëfarë mërzie dhe frike për dështim. Natyrisht që nuk ishte dhe nuk është e lehtë të menaxhosh kriza si kjo”, shprehet ai.

Profesori beson se qeveria Kurti u nis nga ideja që ta prishte statukuonë në veri të Kosovës.

“Prandaj dhe nisi me moslejimin e referendumit e të zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës, vazhdoi me dokumentet e udhëtimit dhe shkoi te reciprociteti i targave. Në Beograd e panë se dështimet e politikës serbe ishin evidente, ndaj hartuan skenarin e rezistencës së dhunshme. Kjo rezistencë nisi me targat. Me bojkotin dhe dorëzimin e mandateve. Pastaj gjithëçka precipitoi me ngritjen e barrikadave. Barrikadat janë metoda tipike serbe e nisjes së konflikteve të armatosura. Kjo taktikë u përdor në Kroaci, në Bosnje dhe tani në Kosovë. Me të njëjtat metoda, që u përdorën në Kroaci e Bosnjë për të mos e lejuar pavarësinë e këtyre vendeve, me po të njëjtat po tentohet që të pengohet pavarësia dhe shtetësia e Kosovës. Si në Bosnjë e Kroaci edhe në Kosovë synimi i fundit është ndarja e territorit. Ky është qëllimi i barrikadave”, thekson ai.

Profesori pohon se, Pantiq u lirua nga burgu dhe për të ky vendim ishte politik.

“Lirimi i tij po çon në heqjen e barrikadave nga vetë serbët. Vuçiq shkoi në Rashkë për të biseduar me Rakiq. Me siguri që aty do të merret vendimi për heqjen e barrikadave. Por ato mund të vendosen sërishmi. Atëherë çfarë do të bëjnë qeveria dhe institucionet e Kosovës që të mos përsëritet ky skenar?! Besoj se barrikadat do të hiqen. Por qeveria, kryeministri dhe presidentja do të jenë nën presion për të formuar asosacionin e Komunave me shumicë serbe. Nuk shoh një strategji përballë këtij presioni. Nëse shkohet me gola në portat e kundërshtarit, atëherë mund të rikthehen barrikadat. Nëse rikthehen, me shumë gjasa do të ketë një lloj konflikti me armë. Pra do të ketë viktima. Por Serbia nuk do të mundet të sjellë zyrtarisht ushtrinë në Kosovë, as në veri të Mitrovicës. Por do të çojnë oficerë të modelit të Mlladiçit dhe mercenarë të tjerë pa uniform, me qëllim që të “luftojnë” kundër policisë së Kosovës. Me këtë skenar do të bëhen përpjekje që ky konflikt të konsiderohet si ndëretnik brenda Kosovës dhe që nuk ka të bëjë me Serbinë. Në fakt do të jetë Serbia në krye të kësaj lufte. Madje edhe shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Serbisë e presidenti i saj. Modeli i Bosnjës do të përdoret në këtë rast”, pohon Bytyçi.

Tutje ai shprehet se, në këto kushte KFOR-i do të mbajë shënim zhvillimin e ngjarjeve në terren.

“Në një të ashtuquajtur luftë civile, KFOR-i do të thotë se nuk mund të ndërhyjë. Serbët nuk do ta sulmonin në këtë rast KFOR-in, sepse do të hynin në konnflikt me NATO-n. Ata e dinë se çfarë do të thotë të përballësh me Aleancën Atlantike. Ky për mua është skenari i fundit, i cili mund të tolerohet edhe nga ndonjë shtet perendimor me idenë se kush të fitojë, të vendosë kushtet e paqes! Por të shohim nëse do shkohet deri këtu. Me shumë gjasa Perendimi do të bëjë presion për marrëveshje gjithëpërfshirëse si p.sh projekti franko-gjerman. Por ky projekt nuk i pëlqen Beogradit. Prandaj dhe mundet të mos realizohet. Nëse nuk arrihet së paku në gjashtëmujorin e parë të vitit të ardhshëm marrëveshja në fjalë, atëherë situate mund të precipitojë në dhunë”, thotë ai.

Profesori beson se rezistenca e Serbisë kushtëzohet nga fitorja ose dështimi i Rusisë në Ukrainë.

“Dështimi i Rusisë atje, do të sjellë përfundimisht uljen e armëvë nga ana e Serbisë në Kosovë e në Ballkan. Nëse Rusia arrin një fitore, atëherë mundet që Serbia të nisë një konflikt në rajon. Nëse pjesa lindore e Ukrainës ndahet dhe i jepet Rusisë, atëherë ka mundësi që kjo të bëhet precedent për ndarjen e Kosovës. Por në procesin e kësaj ndërmarrjeje do të kenë një rol shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Ata do ta kenë automatikisht të drejtën e shkëputjes nga shteti maqedonas e t’i bashkohen Shqipërisë ose Kosovës. Pra shqiptarët e Maqedonisë nëse e duan kombin e Kosovën, duhet të bëjnë me dije se çdo akt ndarjeje e Kosovës do të pasohet me largimin e shqiptarëve nga shteti i Maqedonisë së Veriut. Në këtë rast bashkësia ndërkombëtare nuk do ta lejonte ndarjen e Kosovës!”, përfundon profesori Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat