“Tradhtia e shekullit”- A mund t`i përdorin serbët barrikadat edhe për krijimin e Asociacionit?

Politika

“Tradhtia e shekullit”- A mund t`i përdorin serbët barrikadat edhe për krijimin e Asociacionit?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 29 dhjetor 2022 Në ora: 18:20
Barrikadat në veri

Kanë qëndruar aty për ditë e javë të tëra, por tashmë serbët e veriut kanë filluar t’i largojnë barrikadat dhe gatishmërinë e shtuar luftarake.

Sipas raportimeve, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka urdhëruar largimin e barrikadave, për shkak se u plotësuan kushtet e serbëve, pas lirimit në arrest shtëpiak të të dyshuarit për sulm terrorist, Dejan Pantiq.

Por, barrikadat e larguara tani a mund të shërbejnë edhe në të ardhmen si presion ndaj Kosovës për t’u formuar asociacioni?

Analistët politikë thonë se Serbia është duke i bërë presion perëndimit, që faktikisht duhet të ishte e kundërta. Sipas tyre, formimi i asociacionit është tradhti shekullore.

Burjani: Kështu Serbia dhe politika e saj nuk disiplinohet, kështu po trimërohet më shumë

Image
Blerim Burjani

 

Analisti politik, Blerim Burjani, ka thënë se SHBA e ka të qartë se duhet të themelohet asociacioni etnik.

Sipas tij, Serbia nuk ka ndonjë presion nga askush, ajo është më e fortë me presion ndaj perëndimit.

“ShBA janë të qartë që të themelohet asociacioni etnik, që është fatal për aktin juridik të Kosovës, njohja reciproke është përmendur nga SHBA, por plani franko- gjerman nuk e parasheh fare. Barrikadat do të hiqen se është konsensus i plotë SHBA dhe BE, gjërat tjera mbeten njëjtë. Serbia nuk ka ndonjë presion nga askush, ajo është më e fortë me presion ndaj perëndimit, pra më shumë Serbia i bënë presion sesa perëndimi asaj. Në këto rrethana nuk ka asgjë, nuk besoj që do të ketë presion deri në vendosjen e sanksioneve Serbisë dhe heqjen e vizave për Kosovën, pra nuk ka kush t’i bëjë presion konstruktiv për disiplinë”, ka pohuar Burjani.

Sipas Burjanit, Kosova ka besim te SHBA dhe kjo gjë e mban të fortë dhe optimist.

“Kështu Serbia dhe politika e saj nuk disiplinohet, kështu po trimërohet më shumë, madje po lavdërohet dhe po i kërcënon të gjithëve në bashkësinë ndërkombëtare. Ne kemi besim në SHBA dhe kjo na mban të fortë dhe optimist, kemi politikë jashtëzakonisht të dobët që udhëhiqet, pra me këtë politikë dhe këto kapacitete, me këtë kuvend të dobët, ministrat nuk kanë mundësi të kenë shpresë më të madhe se do të ketë zhvillim më pozitiv për shtetin”, ka deklaruar Burjani.

Për formimin e asociacionit, ambasadori amerikan në Beograd, Kristofer Hill, shprehej vazhdimisht, si nëpër shkrimet në tëitter, si pas takimeve me kryeministrin Kurti.

Geci: Kjo është tradhti e shekullit

Image
Halil Geci

 

Analisti politik, Halil Geci, kërkesën e ambasadorit e quan legjitime, ngase sipas tij, është marrëveshje ndërkombëtare me ndërmjetësimin e BE-së e nënshkruar dhe e miratuar dy herë.

Ai asociacionin e quan tradhti të shekullit.

“Kjo çfarë ka kërkuar ambasadori amerikan është legjitime, ngase Asociacioni është marrëveshje ndërkombëtare me ndërmjetësimin e BE-së së nënshkruar dy herë dhe e miratuar në parlament nga qeveritë paraprake. Po të ishte e lehtë do ta kalonin qeveritë paraprake që nga viti 2013/15, por kjo është tradhti e shekullit, 23 shkeljet e kushtetutës janë frazë për t’u fshehur pas shkeljeve kushtetuese, ngase kur bëhen marrëveshjet ndërkombëtare bien në ujë shakat me kushtetutë”, ka theksuar Geci.

Sipas tij, projekti franko-gjerman ka tensionuar raportet Kosovë- Serbinë por marrëveshja është afër.

“E dyta, që i ka tensionuar raportet me Kosovën është projekti franko-gjerman, plan ky që e largon Serbinë nga Kosova. Nëse Amerika nuk do t’i dalë në krahë Kosovës, Rusia hynë në zonën e NATO-s dhe kjo i bie sikur po e largon Amerikën me dhunë nga zona e saj për të cilën zonë kanë dhënë miliarda dhe gjak. Kjo i bie që Amerika dhe unë mendoj se marrëveshja është afër”, ka përfunduar Geci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat