A do të jetë 2023-ta viti i vendimeve të mëdha?! Analistët: Me barrikada nuk ka dialog

Politika

A do të jetë 2023-ta viti i vendimeve të mëdha?! Analistët: Me barrikada nuk ka dialog

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 30 dhjetor 2022 Në ora: 08:08
Albin Kurti dhe Aleksander Vuçiq

Viti që po e lëmë pas nuk ishte i duhuri për Kosovën sa i përket dialogut me Serbinë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq janë takuar vetëm tre herë me njëri tjetrin përgjatë vitit 2022.

Edhe në takimet e mbajtura nga Kosova janë prezantuar plane dhe pika të ndryshme të cilat duhet t’i zbatojë Serbia, por që gjithmonë janë kundërshtuar nga pala tjetër.

Kosova është e palëkundur në atë që po kërkon nga dialogu, normalizim të marrëdhënieve dhe njohje reciproke, kërkesë kjo e mbështetur nga SHBA dhe BE.

Por, këtë Serbia e kundërshton, madje gjatë gjithë kohës është përsëritur retorika se nuk do ta njohë kurrë Kosovën.

E, së fundi, situata është vështirësuar edhe më shumë kur serbët të dirigjuar nga Beogradi, kanë vendosur barrikada në veri, me arsyetimin për arrestimin e një ish-polici serb, që institucionet e Kosovës, e kishin arrestuar për vepra të ndryshme kriminale.

Por, si do të jetë viti 2023 për Kosovën sa i përket procesit të dialogut?

Mehmeti: Viti 2023, vit i zgjedhjeve?

Image
Faton Mehmeti

Analisti politik Faton Mehmeti për “Bota sot” thotë se viti 2023 do të jetë vendimtar se a do të ketë luftë apo edhe ndonjë marrëveshje.

"Besoj se 2023 do të jetë viti i marrëveshjes ose luftës me Serbinë, s’ka zgjidhje tjetër. Proceset kanë arritur deri në atë pikë sa më nuk ka ku shkon më tutje, andaj viti 2023 është vendimtar në këtë proces. Është e vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodh, bazuar në parametrat gjasat më të mëdha janë për tensione, duke pasur parasysh e KFOR-i është këtu atëherë nuk besoj se do të ketë luftë, tensione po”, thotë ai.

Tutje, deklaron, se viti 2023 mund të jetë edhe vit i zgjedhjeve, për vet faktin që qeveria Kurti kundërshton asociacionin.

Arritja e një marrëveshje varet edhe nga vendosmëria e SHBA, gjithsesi besoj se një marrëveshje është e mundur brenda vitit 2023, ndryshe pasojat mund të jenë të mëdha për tërë rajonin. Pengesë e vetme në këtë drejtim është asociacioni, të cilin qeveria Kurti e kundërshton, andaj mund të ketë edhe zgjedhje, me pak fjalë viti 2023 do të jetë vit i trazuar me shumë zhvillime.

Kelmendi: Viti 2023 - viti i vendimeve të rënda

Image
Muhamet Kelmendi

Sa i përket punës së qeverisë për vitin 2022, juristi Muhamet Kelmendi nuk sheh ndonjë gjë pozitive të bërë për qytetarët e Kosovës, madje ai përmend dy faktorë që sipas tij e kanë dëmtuar vendin.

“Kosova gjendet para një situate të rëndë. Kjo, është e shkaktuar nga dy faktor dominant, sepse ka shumë që e kanë dëmtuar vendin, por dy janë më themeloret. Këtu mendoj:

1.Në politikën ekonomike dhe juridike dhe

2. Në politikën e jashtme.

1. Faktorët e parë janë dominant në gjendjen e brendshme dhe ata ndahen në nën faktor.

a. Politik,

b. Ekonomik dhe

c. Juridik.

Politika e zhvilluar në Kosovë është tipike koloniale dhe nënshtruese ndaj interesave të ndryshëm, që e kanë dëmtuar Kuvendin në kompetencat e veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore. Të tri këto kompetenca iu kanë nënshtruar interesave politike të njërës a partisë tjetër, që kanë ardhur në pushtet. Kështu është ndërtuar sistemi me njerëz inkompetent, megalloman, frikacak dhe tipik keqpërdorues të pushtetit. Së këndejmi kemi Kuvend jo funksional, një partiak, që fare nuk përpiqet në gjetjen e realitetit”, thotë ai.

Ai Qeverinë e sheh të pa frikësuar ndaj opozitës e cila në Kuvend ka numrat dhe po vendos çfarë po dëshiron.

Tutje, shton se në Kosovë nuk ka sigurim shëndetësor e as sigurim pensional.

“Edhe pushteti ekzekutiv u byrokratizua. Qeveria nuk ka frikë nga Kuvendi, sepse Kuvendi nuk analizon punën e Qeverisë, por me anim dhe shumicë te votave vendos çfarë dëshiron. Ana ekonomike është e ndërtuar mbi një lidhje te ashpër elsploatuese dhe mbi baza të grupeve informale politike dhe ekonomike. Edhe tash po kështu është. Kjo ka bërë dhe ka rritur eksploatimin dhe mundësinë e ikjes nga vendi. Të ardhurat personale janë nën nivel të çdo shteti në Evropë. Me të ardhura 200-300 euro nuk jetohet. Shteti heziton. Nuk vepron dhe lejon pozitën skllavëruese. Edhe me ligj të ri nuk ka përmirësim. Me të ardhura 250 euro nuk përmirësohet gjendja. Duket se ky ligj rregulloj të ardhurat e ministrave, zëvendësministrave, këshilltarëve etj. Ndërsa edhe më rëndë e vuri punëtorin në pozitë ekonomike, duke rritur skllavërinë.

E tërë kjo e përcjellë me pushtet juridik të mbështetur në keqpërdorim dhe në ndërtim mbi kërkesa përfituese e thelloj gjendjen e rëndë. Askush në Kosovë nuk ka sigurim shëndetësor. Sigurimi pensional dhe invalidor nuk ekziston. Vdesin njerëz në punë dhe familja nuk merr pension. As policët që janë të ballafaquar me vdekjen nuk kanë sigurime. Shteti heshtë. Kështu mbeti ikja nga vendi”, shprehet më tutje Kelmendi.

Kurse, për dialogun thotë se nuk po dinë të dialogojnë andaj edhe po ndodhin këto si situata në veri.

Krejt në fund, deklaron se viti 2023 është viti me qenë ose jo si Republikë sovrane.

“Me Serbinë nuk po dinë të dialogojnë dhe të veprojnë në veri. Po bëhen tash e sa ditë të bllokimit të veriut të Kosovës nga bandat kriminale serbe dhe shteti është vërë në pozite indiferente. Po bëhet barazimi midis shtetit të ndërtuar mbi baza kushtetuese dhe kriminelëve banditeskt të Vuçiqit. Tolerohen bllokimet. Sulmohen me armë organet e rendit. Janë krijuar njësi kriminale të armatosura. Veriu është ndarë. Edhe në raportet me shtetet, sidomos me SHBA-të, janë shkatërruar dukshëm. Pozita e Kosovës në Bruksel është dëmtuar shumë. Republika gjendet në gjendje të rëndë. Asociacioni do të krijohet. Republika do të dëmtohet. Mund të vijë edhe te konfliktet luftarake. Viti 2023 është viti me qenë ose jo si Republikë sovrane”, përmbyll Kelmendi për “Bota sot”.

Burjani: Serbia do dialog për status e perëndimi do zgjidhje teknike dhe normalizim, pra konceptet janë të ndryshme

Image
Blerim Burjani

Blerim Burjani deklaron se viti 2022 po përmbyllet pa zgjidhje dhe me tensione në veri, pvarësisht përpjekjeve të SHBA-së dhe BE-së, për të gjetur zgjidhje, por edhe nga ana tjetër Serbia është ajo e cila nuk po dëshiron zgjidhje.

"Përmbyllet pa zgjidhje, me situatë dhe tensione në veri, me konfuzitet dhe barrikada, BE dhe SHBA kanë bërë përpjekje për të ofruar diçka si plane, dhe kjo ka ndodhe në vitin 2022, është hartuar një plan një faqe për zgjidhje përfundimtare, kjo është mjaft pozitive, mirëpo Serbia dëshiron të shtyjë, te zgjidhja të mos shkohet fare, të flitet për këtë plan, pra ka vendosë kushte, dhe kjo është gabim i madh, Vuçiqi po luan ose krejt ose hiq po dëshiron të kthejë gjendjen para vitit 1999 gjë që në perëndim kjo është absurde”, thotë ai.

Ndërsa, për dialogun thotë se varet nga largimi i barrikadave, po me këtë qasje aktuale që e ka Serbia, me barrikada e tensione, Serbia do dialog për status e BE për normalizim, që Burjani thotë se janë dy koncepte të ndryshme.

“Varet shumë nga largimi i barrikadave, për të dhënë hapësirë dialogut dhe planit për zgjidhje, pra nuk mund të ketë zgjidhje me barrikada dhe bllokada të shumta që pamundësojnë veprimin politik, Serbia do dialog për status e perëndimi do zgjidhje teknike dhe normalizim, pra konceptet janë të ndryshme.

Ato barrikada duhet të hiqen, dialog nuk ka me barrikada, dhe krijim të tensioneve të rrejshme dhe për të krijuar panik që nuk ka, situata në terren është ndryshe, pra krijimi i rrejshëm i gjendjes se do ë ketë luftë është budallakë serb i Vuçiqit, Serbia nuk është shtet demokratik”, përfundon Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat