Bindja qytetare nga Kurti tek Kurti- Opozita “mpreh dhëmbët” për zgjedhje të parakohshme, analistët ia shuajnë shpresat!

Politika

Bindja qytetare nga Kurti tek Kurti- Opozita “mpreh dhëmbët” për zgjedhje të parakohshme, analistët ia shuajnë shpresat!

Armira Shaqiri  Nga Armira Shaqiri Më 30 dhjetor 2022 Në ora: 10:14
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se duhet të përgatiten për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Me gjasë duhet të përgatitemi për zgjedhje, sepse kjo Qeveri nuk ka asnjë logjikë të vazhdojë deri në vitin 2025”, ka deklaruar Hoti.

Kërkesë të ngjashme ka bërë edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Qeveria Kurti, që prej formimit, është përballur me thirrje të tilla nga opozita.

Mirëpo, sipas analistëve Qeveria në krye me Albin Kurtin, ka shumicën parlamentare andaj edhe një gjë e tillë e kërkuar nga opozita duket të jetë e parealizueshme.

Ahmeti: Zgjedhjet e parakohshme nuk janë në favor të opozitës

Analisti Hidajet Ahmeti në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se kërkesa e opozitës për zgjdhje të reja është e natyrshme, por për këtë deklaratë të Hotit thotë se kjo është e pa mundur pasi aktualisht shumica parlamentare qëndron në anën e pozitës.

Image
Hidajet Ahmeti

“Është e natyrshme që opozita të kërkojë zgjedhje të parakohshme, pasi çdoherë synohet që opozita të jetë pushteti i ardhshëm. Çdo ditë e në çdo kohë mund të kërkohet zgjedhje të parakohshme, por në demokraci parlamentare shumica e thjeshtë numerike përbënë qeverinë, por edhe shkarkon qeverinë. Zoti Hoti duhet të mendojë brenda kësaj logjike e jo të shpreh vullnetin e brendshëm, por në veprim një gjë e tillë është e pamundur, pasi momentalisht shumica parlamentare qëndron në anën e pozitës”, thotë ai.

“Hipotetikisht, zgjedhjet e reja do të prodhojnë në një situatë të njejtë politike, pasi bindjet qytetare nuk mund të ndryshojnë për një kohë të shkurtër. Prandaj, zgjedhjet e parakohshme nuk janë në favor të opozitës, por retorika politike e opozitës duhet të shkojë në këtë drejtim, me qëllime politike të caktuara”, përfundon ai.

Duhanaj: Situata po shkon aq shumë në drejtim të gabuar sa që as zgjedhjet më nuk do na ndihmojnë

Analisti Leon Duhanaj thotë se duke parë situatën që po ndodh në Kosovës, as zgjedhjet nuk do të kryenin punë më.

Sipas tij, shteti po shkon drejtë shpalljes shtet i dështuar.

“Nëse do të bënim një analizë të situatës politike si rezultat i qeverisjes në vend, atëherë do të thoja se Kosova ka pasur nevojë që moti të shkoj në zgjedhje. Megjithatë, mendoj se situata po shkon aq shumë në drejtim të gabuar sa që as zgjedhjet më nuk do na ndihmojnë.

Shteti i Kosovës tashmë po shkon me ritëm të përshpejtuar drejtë shpalljes shtet i dështuar. Kjo po ndodhë pikërisht për fajin e Qeverisë dhe Presidencës së Kosovës, të cilën kanë zgjedhur ta forcojnë luftën e brendshme drejtë kapjes së pozitave nëpër segmentet e shtetit, në vend që të merreshin me zgjidhjen e problemeve kruciale që ka Kosova”, deklaron ai.

Image
Leon Duhanaj

Tutje, thekson se pas zhvillimeve të fundit ajo që do të na vijë do të jetë edhe më keq se asociacioni.

“Qeveria Kurti erdhi si rezultat i propagandës kundrejtë asociacionit siç e quanin "zajednica" dhe sipas zhvillimeve të fundit po duket se z. Kurti vërtetë ja ka arritur ta zëvendësojë asociacionin me diçka tjetër, por kjo që do na vijë do të jetë shumë me keq se ajo që e luftonte.

Tani duhet shtruar pyetja; është i vetëdijshëm z. Kurti për dëmin që po ja bën Kosovës, apo misionin e tij opozitarë kundrejt shtetësisë së Kosovës po e vazhdon sot duke përkrahur idetë e Vuçiq”, thotë ai.

Në fund, Duhanaj shprehet se në gjithë këtë Kosova e ka vetëm një shansë, që të krijojë një grup të unitetit me nga një përfaqësues të të gjitha partive politike, ndryshe Kosova humbet shumë.

Kosova përpos që gjendet në kolaps ekonomik, është edhe në kolaps institucional dhe ligjor.

Shteti ka dështuar të zbatoj autoritetin e tij në veri dhe, vetë amnistia e Kryeministrit Kurti kundrejtë të gjithë atyre që për dy javë rresht i quajti terrorist, është më se paku shqetësuese.

Në ketë kontekst, do të thoja se Kosova do ta ketë një shans vetëm nëse Kosova krijon një grup uniteti të përfaqësuar të gjitha subjektet politike të cilit do t'i paraprinte një deklaratë e Kryeministrit dhe Presidentës të cilët kërkojnë ndihmë dhe unitet në proces.

Ndryshe do të humb Kosova shumë, edhe me shumë se sa që ka humbur këto dy vite me ketë Qeveri kalamajsh”, përmbyll ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat