“Duhet t’i eliminojmë ‘tradhtarët’ në mesin tonë”- Profesori tregon përse nuk do të mbyllet konflikti Kosovë-Serbi as deri në marsin e vitit 2024

Politika

“Duhet t’i eliminojmë ‘tradhtarët’ në mesin tonë”- Profesori tregon përse nuk do të mbyllet konflikti Kosovë-Serbi as deri në marsin e vitit 2024

M.Lakna Nga M.Lakna Më 30 dhjetor 2022 Në ora: 16:04
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Aleksander Vuciq

Pas gati 20 ditësh, tashmë janë hequr tërësisht barrikadat e vendosura nga bandat kiminale serbe në veri të Mitrovicës.

Ngjarjet nisën me shpërthime e të shtëna armësh nga këto banda të cilat kundërshtonin mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat veriore për të cilat u arrestua ish polici serb Dejan Pantiq. Në shenjë revolte nëpër rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, përkatësisht, Jarinje e Bërnjak, u vendosën barrikada.

Tek pas ndërrimit të masës së paraburgimit me arrest shtëpiak për Pantiqin u mor vendimi për heqjen e barrikadave.

Por, ndonëse janë hequr barrikadat, i dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se në veri të Kosovës tensionet mbesin ende të larta.

Duke folur për heqjen e barrikadave ai ka thënë: “Besoj se e ka zgjidhur problemin, por tensionet mbeten të larta. Niveli i mosbesimit është më i lartë se kurrë më parë”. Këto komente ai i bëri për “Politico.eu”. “Ajo që është me të vërtetë e rëndësishme tani është që të mos lejohet që situata të kthehet në një krizë tjetër dhe është e rëndësishme që liderët e Kosovës dhe Serbisë të fillojnë të krijojnë një atmosferë të favorshme për diskutime produktive për normalizimin e marrëdhënieve”, shtoi Lajçak, i cili së bashku me me SHBA-në dhe NATO-n është duke punuar në përpjekjet diplomatike. Lajçak këmbënguli se këto përpjekje nuk do të pushojnë, duke thënë se afati i marsit ka për qëllim të përcjellë seriozitetin e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

pas gjithë situatës së krijuar në veri të vendit, sipas profesorit të Marrëdhënieve ndërkombëtare, Prof. Dr. Enver Bytyçi, gjasat për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare deri në muajin mars janë të vogël.

“Nuk besoj se deri në muajin mars do të ketë një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e plotë e një jetesë në paqe midis Kosovës dhe Serbisë. Lajçak e dëshiron diçka të tillë, por në botë e madje edhe në Perëndim dynjaja është mendje-mendje. Dikush kërkon diçka e dikush tjetër diçka tjetër. Nuk janë bashkë e në një mendje amerikanët me evropiane, gjermanët me francezet, britanikët me të tjerët. Të gjithë kanë interesa të ndryshme në rajon. Ndonjë prej fuqive perëndimore ka ndoshta një interes të shtuar për konflikt të armatosur në Ballkan, sepse me këtë akt eviton influencën e ndonjë rivali po në Perëndim. Gjithçka është e hapur”, thotë profesori.

Sipas tij, pa ardhur në një mendje euro-amerikanët nuk ka e nuk do të ketë zgjidhje të këtij konflikti.

“Ne themi se konflikti është midis Kosovës dhe Serbisë, por në fakt është midis Fuqive Perëndimore. Ne i dëgjojmë shpesh deklaratat e njëri-tjetrit për mbështetje reciproke të projekteve dhe planeve të caktuara. Pastaj shohim deklarata që e acarojnë situatën dhe i japin kurajë një fashisti si Aleksandër Vuçiq. Më pas thonë se „qengji ia turbulloi ujin ujkut“! Çfarë nuk n dëgjojnë veshët në 24 orë. Bombardohemi me lloj-lloj opsionesh e retorikash, të cilat na provojnë se marrëveshja është larg, madje shumë larg”, ka potencuar ai.

Nëse marrim dhe i analizojmë të gjitha deklarimet e 20 ditëve të barrikadave, sipas Bytyçit, shohim se ka qëndrime tepër kontradiktore.

“Dikush bëhet palë me Vuçiq, dikush tjetër me Kurtin. Një tjetër rri indiferentë dhe sheh si po zhvillohen ngjarjet. Njëri thotë „Po ushtria serbe ka të drejtë të shkojë në Kosovë“! Pastaj thonë se „Edhe NATO ka të drejtë të refuzojë“! Pas disa orësh thonë se “Një numër i kufizuar serbësh të armatosur mund të shkojnë në veri!”, ka shtuar ai.

Image
Enver Bytyçi

Ai ka hedhur edhe një paralele duke thënë se edhe Shqipëria mund të kërkojë të dërgojë ushtrinë e saj në Maqedoni, në Luginën e Preshevës, pra në Serbi, ose në Mal të Zi, gjithnjë në emër të keqtrajtimit të shqiptarëve atje.

Hajde të bëjmë të gjithë në Ballkan të njëjtën lojë. Shqipëria të kërkojë të dërgojë ushtrinë e saj në Maqedoni, në Luginën e Preshevës, pra në Serbi, ose në Mal të Zi, gjithnjë në emër të keqtrajtimit të shqiptarëve atje. Në Maqedoninë e Veriut jetojnë mbi 700 mijë shqiptarë, 20 herë më shumë sesa në veriun e Kosovës. A gëzojnë ata vërtet liri të plota. Përkundrazi janë më të diskriminuar se serbët në Kosovë. Ata nuk mund t’I bllokojnë ndryshimet kushtetuese, sic e kanë të drejtë serbët në Kosovë.

Megjithatë askush nuk ankohet në Maqedoninë e Veriut. Pse? Thonë se na duhet stabiliteti. Por pse Serbisë nuk iu dashka stabiliteti dhe paqja?! Shqiptarët duhet të bëhen bashkë. Të dëshmojnë se edhe ata do të duan të njëjtat të drejta si serbët në Kosovë, madje më shumë se ata, për shkak të numrit të madh të tyre. Në Luginën e Preshevës jetojnë mbi 120 mijë shqiptarë, sa trefishi I serbëve në veri të Mitrovicës. Pse ata u dashka të jenë inferiorë dhe të mos ngrenë barrikada?! Derisa barrikadat qenkan, sipas Edi Ramës e drejtë demokratike?! Të ngrihen shqiptarë kudo në Ballkan, edhe ata që jetojnë në Greqi e të ngrejnë barrikada. Madje të mos i heqin derisa t’u plotësohen kërkesat e tyre”, ka nënvizuar ai.

Prof. Bytyçi ka thënë se shqiptarët janë të përçarë e një pjesë prej tyre është në shërbim të Beogradit e Athinës dhe se për këtë arsye nuk do të përmbyllet konflikti Kosovë-Serbi.

“Se secili prej nesh shikon vetëm interesin e ngushtë deri te magjja e vet. Për të gjitha këto arsye nuk ka për t’u mbyllur konflikti Kosovë-Serbi deri në mars e ndoshta as deri në marsin e vitit 2024.

Natyrisht që BE dhe SHBA po bëjnë presion ndaj Kosovës, qeverisë së saj dhe presidentes Osmani. Dhe këtë e bëjnë për shkak se ne jemi të përçarë, nuk jemi të dobët. Na ka përça vetë Evropa dhe Amerika, me qëllim që të mos jemi të aftë të kërkojmë të drejtën tonë. Ndërkohë në Serbi e në Beograd janë bashkë të gjithë kur është puna kundër Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve. Ne duhet të dëshmojmë se e meritojmë lirinë, pavarësinë dhe integritetin tonë. Shikoni çfarë po bën Ukraina kundër fuqisë më të madhe ushtarake në botë, pas SHBA-ve. Po mbron lirinë dhe pavarësinë e saj”, ka theksuar profesori.

Ai ka thënë se së paku do të duhej që Uktraina të na shërbejë si shembull frymëzimi.

“Por na duhet unitet si në Ukrainë. Na duhet të eliminojmë “tradhtarët” në mesin tonë. Së paku t’i izolojmë. Po dëshmuam forcë, integritet dhe dinjitet, atëherë nuk tallen me ne as ata që i bëjnë fresk Vuçiqit, as armiqtë tanë në Moskë e Beograd. E gjitha kjo kërkon angazhim institucional, kërkon para dhe vetëmohim. A jemi të gatshëm për këtë?! Dyshoj shumë!”, përfundoi profesori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat