“Ende janë të freskëta kujtimet e tërheqjes zvarrë të veprimtarëve të devotshëm”- Analisti tregon se përse që nga viti 2006, Kosova po vendnumëron

Politika

“Ende janë të freskëta kujtimet e tërheqjes zvarrë të veprimtarëve të devotshëm”- Analisti tregon se përse që nga viti 2006, Kosova po vendnumëron

Nga: A. Shaqiri Më: 30 dhjetor 2022 Në ora: 20:38
Ilustrim

Nga LDK e PDK vazhdimisht po kërkohet që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, për shkak të dështimeve të qeverisë së Albin Kurtit.  

Së fundi, ishe deputeti I LDK, Avdullah Hoti i cili ka kërkuar që të shkojmë në zgjedhje të parakohshme.  

“Me gjasë duhet të përgatitemi për zgjedhje, sepse kjo Qeveri nuk ka asnjë logjikë të vazhdojë deri në vitin 2025”, ka deklaruar Hoti.  

Profesori Milazim Maraj për “Bota sot” ka thënë se edhe pse kritikat janë të shëndetshme sikur të ishin me vend, subjektet politike nuk janë të gatshme për zgjedhje.  

Ai thotë se deri më tani nuk kanë strategji, prurje të reja, dhe të gjithë këtë realit po e tregojnë në kuvend.  

Image
Milazim Maraj

“Kritikat janë të shëndetshme, për pluralizmin por atëherë kur bëhen me vend dhe kur paraqitën rrugë, apo forma tjera të veprimit, të cilat vlerësohen adekuate. Politika është art i së mundshmes. Në skenën tonë politike ende nuk shihen artist që e gjejnë të mundshmen e duhur për Kosovën. Nuk ka mendime reale me vizion të planifikuar mirë, në kohë dhe afate të realizimit që janë bindëse e që plasohen në Parlamentin e Kosovës, që debatohen me gjakftohtësi dhe mençuri.  

Nuk ka strategji të përpunuar në mënyrë shkencore afatgjate dhe të planifikuar deri në detaje për veprime mujore. Asnjëra nga subjektet politike deri tani nuk ka pas prurje të reja në cilësi pas zgjedhjeve në parti, që do të kishin ndërruar diçka të rëndësishme dhe që do të kishte sjellë suksese në politik bërje, zhvillim ekonomik, zhvillim arsimor, në integrim, investime të huaja, dhe në gjeopolitikë. Tubimet e këtyre subjekteve dhe diskutimet në parlament tregojnë këtë realitet. Nuk kanë ende vizion për të fituar zgjedhjet”, thotë ai.  

Sipas tij, deri më tani patëm koalicione VLAN, PAN etj, të cilat vetëm sa e katandisën vendin, por që as Vetëvendosja, tani në pushtet po bën veprime të pa koordinuara.  

“Prezantimet e të gjitha subjekteve janë të ngarkuara më emocione, inate dhe vuajtje për të ardhur në pushtet më çdo kusht. Në këto forma deri sot patëm në pushtet, koalicionet VLAN, PAN etj, dhe nuk dhanë rezultate, përkundrazi katandisëm edhe më keq, duke pasur pasojë rënie në ekonomi dhe në të gjitha segmentet dhe shpërnguljet e masive nga Kosova. Mos pranimi i mendimit të kundërt dhe sukseset e tjetrit vrasin besimin të elektorati. Nuk jemi të kënaqur me veprimet të pa koordinuara të Kryeministrit Kurti. Por nuk jemi të kënaqur as me fërkimet e duarve të opozitës shqiptare për çdo mos sukseset e tij.   

Kryesia e LDK, ende nuk është shëruar nga pasojat e centralizmi të Lidhjes Komuniste në këtë parti pas kalimit në amshim të Presidentit Rugova. Ende janë të freskëta kujtime e tërheqjes zvarrë të veprimtarëve të devotshëm. Përjashtimi i tyre në forma të linçimit, formimit të grupeve joformale centraliste brenda partisë etj. Pse nuk vlerësohet gabim plani për kompromis me territore të Kosovës? Pse duhej reagimi i Gjermanisë për të shpëtuar kufijtë e Kosovës? Pse tani kritikohet Gjykata speciale e Kosovës kur vet e formuam? Kur e patëm gabim, kur formuam? apo tani kur po kërkojmë heqjen e sajë? A ishte gabim, arrestimi i kriminelit  Pantiq apo lirimi i tij? Çka është komprometuese për Kosovën? Kjo tregon një pamundësi dhe paaftësi të shtetit të Kosovës për të gjykuar krimin”, deklaron ai.  

Në fund, shton se situate e krijuar në veri ishte nga mos koordinim i qeverisë me ndërkombëtarët.  

Madje, sipas tij, edhe po të mbaheshin zgjedhjet, LDK nuk do të mund të fitojë zgjedhjet e vetme, po sikur të ishte e para; me kënd do ta formonte Koalicionin qeveritar i cili garanton dalje të shpejt nga kriza që vlerësohet?    

“Zhvillimet në Veri të Mitrovicës, janë synim agresiv i Serbisë, kjo nuk është ndonjë zbulim, por hapat e Qeverisë Kurti ishin të pa matur, të pa koordinuar, më mirë ishte të presim dhjet muaj pa barrikada më përkrahje të aleatit tonë të sigurt SHBA apo tani kur edhe aleati jonë kërkon pa kushte asociacionin e komunave serbe. Pse nuk shikojmë çka mund të përfitohet nga kjo situatë? Gabimet për statusin e kishave, pasurinë e tyre dhe veprimet e tyre me projekte pro ruse nuk janë gabime të kësaj qeverie. Ministria e jashtme dhe diasporës e ndali popin spiun rus që e quan Kosovën shtëpi të vetën, ndërsa shqiptarët ardhacak, ishte veprim i qëlluar. Ish Kryeministri Hoti solli një njohje nga Izraeli me ndihmën e Presidentit Trump. Por Grenell dhe Palmer punonin për ndarje të Kosovës. Tani askush nuk ka prezantuar ndonjë projekt të ri të cilin do të bënte kauzë për zgjedhje. Në kemi pas plotë zgjedhje të parakohshme, por nuk kemi pas zgjidhje të problemeve. Që nga viti 2006 Kosova numëron në vend madje disa sektorë janë edhe më keq. Skandali i vitit 2004 që e krijuan për pushtet ende po prodhon pasoja. Para çdo kërkese të zgjedhjeve duhet të gjendet rruga e unitetit kombëtarë dhe hartimi i përbashkët i strategjisë shumëvjeçare, kjo nuk arrihet me të njëjtit njerëz që e kanë sjellë këtë situatë. Nuk arrihet me ata që edhe tani festojnë me arme. LDK, tani nuk mund të fitoj zgjedhjet e vetme. Nëse do të ishte e para; me kënd do ta formonte Koalicionin qeveritar i cili garanton dalje të shpejt nga kriza që vlerësohet? Kosova ka aplikuar për KE dhe BE, ajo çka do të duhej të bënim është të mos bëjmë gafe të cilat do të i përdorte Serbia dhe Rusia kundër Kosovës dhe do të bëheshin pengesë për të u pranuar në këto institucione”, përfundon Maraj për “Bota sot”.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat