Dialogu mund të kthehet nga fillimi, flet eksperti amerikan: Ja kur do të ketë marrëveshje dhe cili kusht duhet të vendoset

Politika

Dialogu mund të kthehet nga fillimi, flet eksperti amerikan: Ja kur do të ketë marrëveshje dhe cili kusht duhet të vendoset

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 31 dhjetor 2022 Në ora: 08:37
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajçak dhe presidenti serb, Aleksander Vuciq

Dialogu Kosovë- Serbi është në nivelin më të lartë se kurrë të mos besimit mes dy palëve, tensionet janë ende të larta dhe është e rëndësishme që liderët e Kosovës dhe Serbisë të fillojnë të krijojnë një atmosferë të përshtatshme për bisedime productive për normalizimin e marrëdhënieve, ka thënë ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajçak.

Sipas tij, është koha për gjetjen e një zgjidhjeje dhe nëse humbet ky momentum, marrëveshja mund të zvarritet për dekada. Nëse një marrëveshje nuk arrihet më së largu deri më 2024, Lajçak thotë se do të duhen të kthehen nga e para në këtë proces.

“Tani për tani kemi një strukturë shumë të favorshme, kemi vëmendjen e menaxhmentit të lartë në SHBA dhe Bashkimin Evropian dhe kemi një shembull të bashkëpunimit BE-SHBA, kështu që kjo është një mundësi reale, diku deri në dhjetor 2023 ose në fillim të 2024. Nëse gjërat nuk bëhen deri atëherë, ne do të duhet të fillojmë nga e para. Nëse i kthehemi krizës dhe konflikteve, atëherë mund të harrojmë afatet”, ka deklaruar Lajçak.

Profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben Meir, thotë se është e mundur të arrihet një marrëveshje deri në fund të vitit 2024.

I pyetur se si duhet të vazhdojë dialogu pas zhvillimeve në veri, Meir shprehet se çështjet konfliktuale që kanë të bëjnë me veriun janë të zgjidhshme.

“Është plotësisht e mundur të arrihet një marrëveshje deri në fund të vitit 2024 nëse të dyja palët e bëjnë këtë. Të gjitha çështjet konfliktuale që kanë të bëjnë me veriun janë të zgjidhshme me kusht që të dyja palët të bëjnë disa lëshime të nevojshme për të arritur një marrëveshje, por për sa kohë që ata mbajnë qëndrimin e tyre aktual, sigurisht që nuk mund të arrihet marrëveshje”, pohon eksperti.

Image
Alon Ben- Meir

Para tensioneve në veri, Kryeministri Albin Kurti, deklaronte se një marrëveshje me Serbinë mund të ketë në mars të vitit 2023.

Kryeministri Kurti i kishte thënë në nëntor, pasi nisën tensionet në veri për shkak të vendimit për zëvendësimin e targave ilegale me targa RKS.

“Afatin mars 2023 nuk e kam shkru unë, e ka shkruar Brukseli në ftesë. Në ftesën e Brukselit që synohej në fund të bëhej publike, është paragrafi ku thuhet se bisedimet përfundojnë në marsin e vitit 2023”, thoshte Kurti.

Kryeministri e theksonte se “për herë të parë kemi afat”.

“Dhe a e dini se çfarë kam kërkuar unë aty? Të jetë shkurti i vitit 2023. Thash pse marsi, pse jo shkurti? Më shpejt më mirë. Jo – tha – nuk bën shkurti, marsi. Iu thash shkurti, ata thanë marsi. Hajt po e lëmë marsin. Në fund unë pranova, ata e lanë krejt”, kishte deklaruar Kurti në nëntor.

Eksperti i çështjeve për Ballkanin Perëndimor, Alon Ben Meir, shprehet se nëse veç nuk ka marrëveshje para viti 2024 do të duhet të fillojnë nga fillimi me kusht që negociatat të fillojnë me mirëkuptim.

Ai shton se BE është e gatshme të ushtrojë presion nga njëra anë dhe të ofrojë disa nxitje nga ana tjetër.

“Nëse ata nuk arrijnë një marrëveshje, megjithatë, para fundit të vitit 2024 do të duhet të fillojnë nga fillimi me kusht që negociatat të fillojnë me mirëkuptimin se në fund të procesit negociator, ata bien dakord për një njohje reciproke. ky kusht duhet të vendoset që nga fillimi i negociatave. Përndryshe, për mendimin tim, do të jetë përsëri humbje kohe. Është e panevojshme të thuhet se elementë të jashtëm mund të ndikojnë në procesin e negociatave megjithatë, nëse Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja është e gatshme të ushtrojë presion nga njëra anë dhe të ofrojë disa nxitje nga ana tjetër, veçanërisht në lidhje me perspektivën e anëtarësimit eventual të të dy vendeve në BE, mund të arrihet një marrëveshje”, thekson Meir.

Ndryshe, tensionet në veri, barrikadat për 20 ditë, sulme ndaj policëve, EULEX-it, KFOR-it dhe mediave shqiptare, sipas ekspertëve kanë shtyrë prapa bisedimet, madje ka pasur të tillë që kërkonin të mos shkohet në dialog më për të biseduar me Serbinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat