Dje u hoqën, por eksperti Gecaj paralajmëron sërish barrikada dhe tensione: Serbia do të insistojë në këtë çështje

Politika

Dje u hoqën, por eksperti Gecaj paralajmëron sërish barrikada dhe tensione: Serbia do të insistojë në këtë çështje

Nga: A.Zh Më: 31 dhjetor 2022 Në ora: 12:59
Aleksandar Vuçiq dhe Albin Kurti

Pas 3 javësh, Serbia hoqi barrikadat në veri të Kosovës, i cili ishte bllokaur nga serbët lokalë, si shenjë proteste ndaj arrestimit t ëish-policit serb Dejan Pantiq nga autoritetet e Kosovës. Policia e Kosovës njoftoi se pas vlerësimit të situatës, pas heqjes së barrikadave, dje në orët e pasdites u bë edhe hapja për qarkullim e dy pikë-kalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, teksa e cilësoi si “fitore të vogël diplomatike” heqjen e barrikadave, paralajmëroi se Serbia do të vazhdojë të luftojë për Kosovën. Ai ka njoftuar se në janar do të ketë një takim me përfaqësuesit e fuqive të mëdha, dhe pritet një marrëveshje me Kosovën.

Por, tensione, kushtëzime dhe barrikada të reja nga Beogradi, pret eksperti i çështjeve të sigurisë Hysen Gecaj.

Image
Hysen Gecaj

Megjithëse kryeministri Albin Kurti, tha dje se Kosova nuk kishte asnjë marrëveshje të fshehtë me Serbinë për largimin e barrikadave, Gecaj ka thënë se Kosova, u detyrua që t’i plotësonte disa kërkesa të Serbisë, për shtensionimin e situatës.

“Tërheqja e barrikadave në veriun e Kosovës u arrit pas presionit amerikan dhe evropian ndaj Serbisë, por edhe Kosovës si palë në konflikt, e cila u detyrua që t’i plotësojë disa kërkesa serbe.

Serbia kishte kushtet e saj për tërheqje të barrikadave, e të cilat dihet tashmë edhe publikisht si amnistia e një serbi të arrestuar nën dyshim për terrorizëm, mos ndjekja e atyre që kishin qëndruar në barrikada, ndalesa e qasjes në pjesën veriore të Kosovës së njësive policore si dhe FSK-së, për të cilat Qeveria e Kosovës duket qartë se është pajtuar, prandaj edhe barrikadat janë në procesin përfundimtar të largimit”, është shprehur Hysen Gecaj për gazetën “Bota sot”.

Ai vlerëson se serbët do të mundohen sërisht të gjejnë arsye dhe të eskalojnë situatën, që faji t’I mbetet Kosovës. Sipas tij, Kosova dhe Serbia po bëjnë luftë se cila do të ketë pozicionin më të favorshëm në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

“Çështja është se qeveria serbe do të bëjë këtë hap gjoja se drejt qetësimit të situatës, në mënyrë që të lërë përshtypjen se është palë konstruktive, mirëpo pa një presion edhe më të madh ndërkombëtar, ata (pala serbe) do të mundohen të gjejnë arsye të tjera për të eskaluar situatën dhe për të fajësuar palën kosovare.

E gjithë kjo po bëhet për shkak se pala serbe, por edhe kosovare e kanë kuptuar se bashkësia ndërkombëtare e ka marr me seriozitet çështjen e bisedimeve finale për zgjidhjen e konfliktit Kosovë-Serbi, prandaj bëhet luftë për një pozicionim më të favorshëm në këto bisedime dhe njëkohësisht edhe për ndikim, secila palë në elektoratin e vet”, ka thënë më tej eksperti i sigurisë.

Ai konsideron se Kosova ka rënë në grackën e manipulimeve serbe, pasi trazirat po bëhen në territorin e saj dhe jo të Serbisë. Sipas Gecajt, qëllimi i Serbisë, është të përfitojë çkado që mundet.

“Është e diskutueshme se cila palë përfiton nga e gjitha kjo, mirëpo unë mendoj që kësaj radhe pala kosovare është futur në grackën e manipulimeve serbe duke pas parasysh që të gjitha trazirat po zhvillohen në territorin e Kosovës e jo në Serbi, prandaj pala serbe nuk ka se çka humbë në Kosovë, ajo vetëm mundet të përfitojë diçka. Serbia e din se Kosova kurrë më nuk do të rikthehet në përbërjen e saj, prandaj provon që të përfitojë çkado qoftë dhe në çfardo mënyre”, ka theksuar Hysen Gecaj për “Bota sot”.

Teksa ka paralajmëruar se do të ketë insistim për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, ai nuk ka përjashtuar mundësinë e barrikadave të sërishme në Kosovë, deri në marrëveshjen finale.

“Do të insistohet në Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për çka Serbia e ka mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, pasi që diçka e tillë është paraparë edhe me Pakon e Ahtisarit. Sidoqoftë deri në marrëveshjen finale Serbia do të vazhdojë me kushtëzimet e saj, qoftë edhe me barrikadime të sërishme deri në përmasat e konflikteve të kontrolluara nga grupe kriminale e të dirigjuara nga Beogradi”, ka shtuar eksperti i sigurisë.

Kryeministri Kurti, mbrëmë në një intervistë për KP, ka njoftuar se garancia e vetme që i kanë dhënë ndërkombëtarëve ka qenë se s’ka lista për arrestime në veri. Kreu qeveritar ka mohuar kategorikisht se ka dhënë garanci për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat