Vjen alarmi i ri nga analisti: Serbia po bashkëpunon edhe me këto grupe për të shkatërruar shtetin e Kosovës

Politika

Vjen alarmi i ri nga analisti: Serbia po bashkëpunon edhe me këto grupe për të shkatërruar shtetin e Kosovës

Nga: Nehat Shaqiri Më: 31 dhjetor 2022 Në ora: 14:42
Aleksander Vuçiq

Pas rreth tre javëve të tensionuara në veriun e Kosovës, ishin grupet kriminale serbe që larguan barrikadat të cilat ishin vendosur pikërisht prej tyre.

Mirëpo, kjo nuk është hera e parë, e ndoshta as e fundit, që Serbia fashiste, keqpërdorë pakicën serbe për skenarë të rrezikshëm dhe kërcënon publikisht Kosovën me konflikt të armatosur, duke kufizuar edhe lirinë e lëvizjes në veri të Kosovës, por e siç u dëshmua edhe me rastin e alarmit për vendosjen e bombave në Aeroportin e Prishtinës, po dëshmohet se Kosova rrezikohet seriozisht edhe nga grupe terroriste dhe ekstremistët islamik.

Kështu shprehet analisti politik Gani Qarri, i cili shton se, Serbia ka ngritur nivelin e gatishmërisë luftarake.

Sipas tij, krimineli Vuçiq personalisht ka urdhëruar edhe ngritjen e barrikadave të reja në Kosovë, “për të justifikuar dhe mbrojtur grupet kriminale”, të cilat duket se veprojnë në sinkron të ngushtë me grupet ekstremiste islamike, me qëllim të shkatërrimit të shtetit të Kosovës.

“Nga mbrëmja e 26 dhjetorit, ushtria dhe policia e Serbisë janë vendosur edhe në nivelin  e “përdorimit të forcës së armatosur”, që llogaritet si niveli më i lartë i gatishmërisë luftarake të ushtrisë së një vendi. Ndërsa për kamuflimin e tensioneve të krijuara nga grupet kriminale serbe në veri, Serbia jo vetëm ka rritur disa herë gatishmërinë luftarake, por ka vendosur edhe ushtrinë në kufijtë verior të Kosovës, ndërsa kësaj radhe, për ndryshim nga herët e tjera, ajo ka vendosur edhe forcat policore në nivelin më të lartë të gatishmërisë, për ta bërë sa më të fuqishëm sinjalin e “kërcënimit të menjëhershëm për luftë"”, shton Qarri.

Image
Gani Qarri

Ai pohon se, duke filluar nga 10 dhjetori, grupet kriminale serbe kanë ngritur mbi dhjetë barrikada, për të penguar lëvizjen në rrugët magjistrale në veri të Kosovës, të cilat çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, përfshi ato të vendosura më 27 dhjetor në Mitrovicë të veriut.

“Më 25 dhjetor në Zubin Potok kishte edhe të shtëna me armë zjarri në drejtim të forcave letoneze të KFOR-it, nga “struktura ilegale serbe dhe grupe kriminale të mbështetura nga Serbia” me arsyetimin se kinse forcat e policisë së Kosovës kishin tentuar ti hiqnin barikadat. Kurse mbrëmjen kur mediat serbe publikuan pretendimet për të shtënat në Zubin Potok, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë serbe, Millan Mojsilloviq, u pa në garnizonin e ushtrisë në jug të Serbisë, ndërsa të nesërmen, më 26 dhjetor, atij iu bashkua edhe ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq”, shton ai.

Analisti thotë se, po ashtu më 26 dhjetor, disa media transmetuan edhe pamjet e gjashtë obusëve serbë, të vendosur vetëm dy kilometra larg vendkalimit kufitar në Jarinjë.

“Por përkundër tensioneve të ngritura në veri dhe barrikadave të vendosura nga grupet kriminale serbe, përfshi edhe kërcënimet me ushtri nga Serbia, e cila e ndikuar nga Rusia, jo vetëm ka ngritur gjendjen e gatishmërisë ushtarake, por ka urdhëruar edhe ngritjen e barrikadave të reja, për të arsyetuar veprimet banditeske dhe mbrojtur grupet kriminale, që terrorizojnë edhe pjesëtarët e pakicës serbe në veri, zhvillimet e fundit, po dëshmojnë se nuk mund të jetë planifikuar ndonjë konflikt i armatosur me gjakderdhje në veri”, thekson ai.

Qarri thotë se, të gjithë ajo që ndodhi në veri ishte lojë e Vuçiqit.

“Kështu që edhe demonstrimet e forcës në kufijtë e Kosovës, nga ushtria serbe, janë vetëm lojërat e radhës të kriminelit Vuçiq, për opinionin e brendshëm, ngase si Vuçiqi ashtu edhe ushtria e Serbisë e kanë të ditur, më mirë se kushdo tjetër, se deri në çfarë distance me Kosovën mund të vendosen, dhe ku janë limitet e veprimit të tyre, përderisa kufijtë e Kosovës, që nga viti 1999, kur sulmet e aleancës ushtarake i kanë dhënë fund luftës në Kosovë, janë të mbrojtur nga NATO dhe Serbia as që mund të ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë”, përfundon analisti politik Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat