Deklarata e Hill kundër bombardimeve të NATO-s, zbulohet si e përjashtoi sekretarja amerikane nga ndërmjetësimi gjatë kohës së luftës

Politika

Deklarata e Hill kundër bombardimeve të NATO-s, zbulohet si e përjashtoi sekretarja amerikane nga ndërmjetësimi gjatë kohës së luftës

Nga: A.Morina Më: 3 janar 2023 Në ora: 17:42
Ambasadori i ShBA-së në Beograd, Christopher Hill

Ditë më parë, ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, deklaroi se i vjen keq për bombardimet e NATO-s në vitin 1999 për ta çliruar Kosovën.

“Më duhet t’ju kujtoj se ka ndodhur 23 vjet më parë. Është njësoj sikur në vitin 1968 të flasim për ngjarjet e vitit 1945. Mua personalisht më vjen shumë keq që kjo ka ndodhur në historinë tonë dhe nuk jam i lumtur për këtë. Por në një moment njerëzit duhet të kthehen drejt së ardhmes, për të ecur përpara. Të përpiqesh të mësosh diçka nga e kaluara, por jo të jesh peng dhe skllevër i së shkuarës. Erdha këtu pas 23 vitesh, me shpresën se mund të bëjmë shumë më tepër së bashku. Ne ndajmë disa nga vlerat dhe pikëpamjet e njëjta për botën dhe mendoj se duhet të përqendrohemi në këtë, dhe jo në diçka që ka ndodhur 23 vjet më parë”, ka thënë Hill.

Kjo deklaratë e ambasadorit amerikan nxiti reagime të mëdha, ku u tha se po mban qëndrime pro serbe.

Për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli profesori Muhamet Kelmendi.

Fillimish, ai u shpreh se Hill edhe në të kaluarën ka mbajtur qëndrime të afërta me shtetin serb, ku me ç'rast sekretarja Albright edhe e largoi nga ndërmjetësimi i UÇK-së me Serbinë.

Image
Profesori Muhamet Kelmendi.

“Ka kohë dhe jo vetëm tash, por edhe para bombardimit të shtetit serb, si dhe në vazhdimësi, që ambasadori Hill, ka treguar një neutralitet, që mund të vlerësohet edhe si afërsi me Serbinë.

Para bombardimit duke mbajtur qëndrim neutral, madje edhe të përafërtë me shtetin serb. Kishte raste që kishte qëndrime të çuditshme ndaj UÇK-së.

Si rrjedhojë ishte neutralizuar nga Sekretarja Albright, duke e larguar nga ndërmjetësimi midis UÇK-së, përkatësisht Kosovës dhe shtetit serb. Ndërsa, në Rambuje as që ishte vizitor”, deklaroi profesori

Krahas kësaj, Kelmendi përmendi disa raste në të cilat Hill mbajti qëndrime të paqarta, me të cilat anonte nga politikat serbe.

“Pas luftës mbeti në pasivitet. Në këtë administratë dhe si njohës i Ballkanit u dërgua në Beograd si ambasador. Në pozitën e tillë vazhdimisht mbajti qëndrime të paqarta. Kishte raste që anonte nga ana e politikës së Beogradit.

Të përkujtojmë këtu qëndrimin: "Serbia është konstruktive në krahasim me Kosovën", ose "Në Bruksel u ndërprenë bisedimet me fajin e Prishtinës", ose tash "Më vjen keq që u bombardua Serbia"”, theksoi ai.

Ndër të tjera, profesori tha se nga deklarata “më vjen keq për bombardimet e NATO-s” e ambasadorit amerikan, mund të dalin dy qëndrime.

Megjithatë, ai u shpreh opitimist se Hill nuk del jashtë politikave zyrtare të Amerikës.

“Kuptohet se për çdo njeri që logjikon drejtë i vjen "keq" pse u bombardua shteti serb. Çështjet që mund të zgjidhen në mënyrë paqësore nuk duhet të lejohet forca për të arritur rezulltatin e njëjtë. Kjo është e qartë.

Nga një deklaratë të tillë dalin dy qëndrime:

1. I tërhiqet vërejtja shtetit serb për të bashkëpunuar me faktorin ndërkombëtar në zgjidhjen paqësore të raporteve me Kosovën, sepse përsëri mund të bombardohen.

2. Më të vërtetë i vjen keq pse u bombardua shteti serb.

Sido kudo është ambasador i shtetit mik dhe kërkohet të respektohet.

Besohet se jashtë politikës zyrtare të SHBA-ve nuk del”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat