“Shifra alarmante”, kaq qytetarët hoqën dorë nga shtetësia, ky është paralajmërimi për Qeverinë

Politika

“Shifra alarmante”, kaq qytetarët hoqën dorë nga shtetësia, ky është paralajmërimi për Qeverinë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 4 janar 2023 Në ora: 09:59
Në vitin 2022 rreth 4 mijë e 700 hoqën dorë nga shtetësia e Kosovës (foto ilustrim)

25 mijë qytetarë për pesë vjet kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës, ndërsa vetëm në vitin 2022 rreth 4 mijë e 700.

Në krahasim me një vit më herët, viti 2022 kishte një numër më të ulët, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Sipas tyre, arsyeja kryesore e lirimit nga shtetësia është moslejimi i dy shtetësisë në shtete të ndryshme, kryesisht të BE-së, ku kanë migruar shumë qytetarë nga Kosova.

“Arsyet pse personat heqin dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës, është pasi shumë shtete të Bashkimit Evropian nuk lejojnë dy shtetësinë përfshirë edhe disa shtete që nuk janë pjesë e BE-së. Duke pasur parasysh që një numër i madh i shtetasve tanë jetojnë tashmë me vite në këto shtete e një numër i madh edhe kanë lindur në këto shtete dhe si rezultat i saj kanë fituar të drejtën e Fitimit të Shtetësisë dhe janë të obliguar të lirohen nga shtetësia e mëparshme nëse dëshirojnë ta fitojnë shtetësinë e atij vendi”, ka Zëdhënësja e MPB-së, Nora Fetoshi.

Por, të njëjtin mendim nuk ka opozita në Kosovë dhe analistët politikë, të cilët thonë se Qeveria është fajtore për largimin e qytetarëve dhe kësisoj ajo duhet të bëjë një kthesë të madhe edhe në sektorin privat.

Lekaj: Albin Kurti premtoi edhe “detin”, e qytetarëve ua solli vetëm “rërën”

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë për “Bota sot”, se Qeveria nuk bën asgjë që t’i ndalojë qytetarët për të mos u larguar nga vendi.

Sipas Lekajt, ata në pushtet kanë ardhur me premtime të mëdha dhe nuk dolën asgjë.

“Qytetarët po largohen se nuk gjejnë të ardhme. Qeveria erdhi në pushtet me premtime të mëdha, që rezultuan në asgjë. Premtuan më shumë vende pune, premtuan ekonomi, shanin qeveritë e kaluara, deri sa arritën në pushtet dhe tani vazhdojnë me akuza të pa baza, por qytetarët e kanë kuptuar dhe për atë largohen. Albin Kurti premtoi edhe “detin”, e qytetarëve ua solli vetëm “rërën”. Kjo është për keqardhje, shpresoj që sa më shpejt të këndellet kjo Qeveri, sepse nëse jo do të largohet gjithë rinia”, ka deklaruar Lekaj.

Image
Pal Lekaj

Ministria e Punëve të Brendshme, duke iu referuar statistikave ka thënë se që nga 1 janari e deri më 19 dhjetor 2022 nga shtetësia janë liruar 4 mijë e 708 persona.

“Që nga 1 janari e deri më 19 dhjetor 2022 nga shtetësia e Kosovës, janë liruar 4 mijë e 708 persona. Prej tyre 2 mijë e 346 meshkuj dhe 2 mijë e 362 femra”. Sipas saj, gjatë periudhës së njëjtë gjatë vitit 2021, nga shtetësia janë liruar 4 mijë e 787 persona”, ka thënë Fetoshi nga MPB.

Ahmeti: Qeveria duhet të bëjë një kthesë të madhe edhe në sektorin privat

Kurse, analisti politik Hidajet Ahmeti, ka thënë për “Bota sot” se migrimi ndodh te shtetet në tranzicion për shkak të një ekonomie jo të qëndrueshme.

Sipas tij, Kosova nuk ka potencial të madh për të bërë një kthesë të madhe.

“Migrimi si fenomen është i pranishëm në çdo shtet, veçanërisht në shtetet në tranzicion, të cilat nuk kanë ekonomi të qëndrueshme. Kosova po përballet me këtë problem, veçanërisht në dekadën e fundit. Ndryshimet e mëdha nuk mund të ndodhin për një kohë të shkurtër, pasi Kosova nuk ka potencial të madh për të bërë një kthesë të madhe. Faktori ekonomik është njeri ndër faktorët kryesor që qytetarët po migrojnë apo po heqin dorë nga nënshtetësia”, ka pohuar Ahmeti.

Ai ka shtuar se Qeveria duhet të bëjë një kthesë të madhe edhe në sektorin privat, kjo pasi sipas tij, punëtorët aty keqtrajtohet dhe keqpërdoren.

“Qeveria duhet të bëjë një kthesë të madhe edhe në sektorin privat, duke e futur në funksion edhe mekanizmin e kontrollit të të drejtave të punëtorëve në sektorin privat, pasi aty në vazhdimësi punëtorët keqtrajtohen, keqpërdoren, por mbi të gjitha nuk ju paguhen kontributet pensionale. Funksionalizmi i inspektoratit, rritja e numrit të tyre dhe plotësim ndryshimi i Ligjit të Punës do të ishte një mundësi që ata që punojnë të kenë siguri dhe trajtohen në mënyrë të dinjitetshme nga pronarët privat”, ka theksuar Ahmeti.

Image
Hidajet Ahmeti

Në vitin 2022 ka pasur edhe një numër të konsiderueshëm të qytetarëve që kanë fituar shtetësinë e Kosovës.

Sipas MBP, gjatë periudhës nga 1 janari deri më tani shtetësinë e Republikës së Kosovës e kanë fituar 574 persona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat