Propozoi “zgjidhje ekonomike” për veriun, analistët kundërshtojnë Behgjet Pacollin: Ja pse kjo ide është e parealizushme

Politika

Propozoi “zgjidhje ekonomike” për veriun, analistët kundërshtojnë Behgjet Pacollin: Ja pse kjo ide është e parealizushme

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 4 janar 2023 Në ora: 22:00
Behgjet Pacolli

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka bërë një propozim interesant sa i përket çështjes së veriut të Kosovës.  

Ai ka thënë se më tepër i beson zgjidhjes ekonomike se sa politike për veriun.  

Derisa ka thënë se ka vite që punon për një projekt të tillë dhe ka ardhur në përfundim se duhet biseduar me palën serbe që edhe ata nga Novi Pazari deri në Rashkë me aq territor sa ka veriu i Kosovës të hyjnë si aksionar dhe Kosova të hyj me veriun e Kosovës për krijimin e një zone speciale të lirë ekonomike.  

Pacolli ka thënë se kjo zonë do t’i kishte kufijtë e vet dhe do të administrohej nga një etnitet i tretë dhe aty do të krijoheshin kushte marramendëse të mira për investitorët.  

Tali: Pacolli ta kuptojë se veriu nuk është problem as ekonomik as demokratik.  

Image
Driton Tali

Driton Tali, ish këshilltar i kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, në një përgjigje për gazetën “Bota sot” ka thënë se Pacolli duhet ta kuptojë se veriu nuk është problem as ekonomik as demokratik.  

Atje, sipas tij kemi të bëjmë me hegjemonistë të Serbisë.  

“Habitem se si zotni Pacolli nuk e ka të qartë që problemi me komunat veriore nuk është problem ekonomik e as demokratik. Dhe nuk është për shkak se Kosova nuk do zgjidhje, Kosova në vazhdimësi ka bërë kompromise, por sepse kjo Serbi nuk është e gatshme për zgjidhje demokratike.  

Thënë shkurt e qartë: Kemi të bëjmë me aspiratat hegjemoniste të kësaj Serbie, e cila ende nuk është gati të merret me të kaluarën e saj, të demokratizohet, për shkak të modelit kulturor, të kultivuar që nga shekulli 19, dhe interesave të politikanëve dominant të skenës aktuale politike të saj, të cilët karrierën e tyre e kanë të ndërtuar mbi atë model kulturor.  

E thash se nuk është se problem demokratik për faktin se Kushtetuta e Kosovës, e hartuar nga ndërkombëtarët (dhe jo vetëm nga Marti Ahtisari), në fokus e ka pasur pikërisht fasclitimin e komunitetit serb, për çka jo veç që u janë garantuar të gjitha të drejtat, por edhe është shkuar përtej, pra janë privelegjuar. Shih për këtë, për të mos shkaktuar pakënaqësi të mundshme tek komunitetet tjera, është farkuar idioma politike "diskriminimi pozitiv", pra për mos t'i quajtur privilegje sepse kur e privilegjon dikë atëherë tjetrin e ke diskriminuar”, ka thënë ai.  

Tutje, Tali thotë se ideja e Pacollit ndoshta vlen për një Serbi tjetër, të demokratizuar, e jo për këtë Serbi  i cila ka aspirata hegjemoniste.  

“Andaj edhe zotni Pacolli, por edhe akterët tjerë politikë kosovarë, duhen ta kenë të qartë se Kosova (per say) nuk ka problem me komunitetin serb të Kosovës, por me aspiratat hegjemoniste të kësaj Serbie.  

Kjo ideja e zotni Pacollit, mbase me një Serbi tjetër, mbas shumë vite kur të fillon të demokratizohet, pra kur fillon të dominohet me politikanë të rinj, të cilët karrierat e tyre politike nuk i kanë të ndërtuara mbi hexhemonizmin serb, mund të jetë atraktive por deri atëherë do të jetë utopi e papërfillshme.   

Uroj që akterët politikë kosovarë të përqendrohen në esencën e problemit. Të mos i aktrojnë kot globalistët liberalë pa nevojë sepse kemi të bëjmë me hegjemonizëm racist kontaporan në marrëdhëniet Kosovë - Serbi.  

Dhe natyrisht uroj që Serbia të shërohet sa ma shpejtë, t'i lërë ëndrrat serbo madhe, të ndryshojë qasjen ndaj Rusisë (dhe Urkainës) dhe t'i kthehet vlerave Perëndimore. Kosova veç me një Serbi të tillë mundet ta gjeje zgjidhjen e të gjitha problemeve, qofshin edhe ato ekonomike”, përfundoi Tali.   

Qarri: Pacolli kërkon që kjo zonë të kthehet në mini "Ballkan të hapur"  

Image
Gani Qarri

Analisti Gani Qarri deklaron se ajo çfarë ka thënë Pacolli është e turpshme.  

Ai thotë se duhet krijuar një “Hapësirë Mbarëkombëtare të Zhvillimit”, për shqiptarët, të cilët  edhe ashtu, jetojnë në kushtet më të vështira në rajon dhe përkundër problemeve të vazhdueshme që Vuçiqi & Co, krijojnë në Kosovë, nuk po arrijnë të largohen nga produktet e helmuara të Serbisë.  

“Është shumë e turpshme, që përderisa z. Pacolli na flet në superlativ, për “zona të lira speciale ekonomike” të veriut me Rashkën e Novi Pazarin, edhe në qytetet kufitare me Shqipërinë si Gjakova dhe Prizreni, në shekullin e qarkullimit të lirë të mallrave nga e gjithë bota, gjen produkte edhe nga Kina, por nuk mund të gjesh asnjë pije të thjeshtë në raftet e supermarketeve tona, nga Shqipëria dhe gjithçka fillon e mbaron vetëm me produkte të Serbisë.  

Prandaj, para se të ideohen "zona speciale ekonomike" për veriun, Rashkën e Novi Pazarin, unë mendoj se pikësëpari duhet krijuar një “Hapësirë Mbarëkombëtare të Zhvillimit”, për shqiptarët, të cilët  edhe ashtu, jetojnë në kushtet më të vështira në rajon dhe përkundër problemeve të vazhdueshme që Vuçiqi & Co, krijojnë në Kosovë, nuk po arrijnë të largohen nga produktet e helmuara të Serbisë.  

Kosovës dhe Shqipërisë nuk u mjaftojnë vetëm tubimet e përbashkëta qeveritare dhe premtimet e ministrave për heqjen e barrierave tregtare, por krijimi i tregut të përbashkët kombëtar, për çlirimin nga invadimi i pakontrolluar i mallrave të Serbisë, të cilat dominojnë në të gjitha marketet e Kosovës e pjesërisht edhe ato të Shqipërisë”, thotë ai.  

Sipas tij, nisma ose ideja e Pacollit lë anash mirëqenien e kombit tonë, derisa shton se ai po kërkon që kjo zonë të kthehet në mini "Ballkan të hapur", t’i ketë edhe kufijtë e vet dhe të administrohet nga një etnitet i tretë, që në fakt nënkupton, humbjen e tërësishme të sovranitetit të Kosovës mbi këtë pjesë të vendit tonë.  

“Ndaj nëse nisma e z. Pacolli kapërcen qëllimisht shqiptarët dhe lë anash, mirëqenien e kombit tonë, për të krijuar zona speciale ekonomike për serbët, të cilët edhe ashtu dominojnë me mallra, politikë dhe ekonomi, në këtë pjesë të rajonit, kjo më duket më tepër si një kamuflim dashakeq për involvimin e interesave të tij, jo vetëm ekonomike por edhe për promovim të segmentit të vet politik, që gjendet para shuarjes dhe realisht as që përmendet më ekzistimi i tij praktik në Kosovë.  

Gjithsesi shqiptarët kudo, duhet të punojnë së bashku për mirëqenien e tyre, para se të mendojnë për ata, që dominojnë dhe në çdo pikëpamje qëndrojnë shumë më mirë se ne, gjë që është edhe një nga kushtet parësore që ne si komb dhe popull , duhet ta përmbushim për integrimin tonë në Bashkimin Evropian.  

Serbët në veri, për gjithë këto vite, shihet hapur se nuk kërkojnë nisma ekonomike, marrëveshje politike, as projekte aksionare të veriut të Kosovës për zona të lira speciale ekonomik me Novi Pazarin e Rashkën, por duan ta imponojnë me forcë, ndarjen e dhunshme, të territorit më vital të Kosovës dhe aneksimin e veriut të vendit tonë nga Serbia.  

Kurse z.Pacolli kërkon që kjo zonë të kthehet në mini "Ballkan të hapur", t’i ketë edhe kufijtë e vet dhe të administrohet nga një etnitet i tretë, që në fakt nënkupton, humbjen e tërësishme të sovranitetit të Kosovës mbi këtë pjesë të vendit tonë.  

Madje Pacolli nuk sqaron as cilët do të ishin investitorët, apo thjeshtë ai, nuk ka edhe pse ta thotë këtë, sepse investitor tjerë nuk do të lejoheshin nga Serbia, përveç firmave të saj shtetërore, për serbizimin sa më të shpejtë jo vetëm ekonomik, por edhe territorial e politik të veriut të Kosovës, ku ndoshta njëjtë si në Kazakistzan, vetëm z. Pacolli, do ti lejohej të merrte pjesë në ndërtime shtëpish dhe objektesh ekonomike, por jo edhe shtetit të Kosovës, si mënyra më perfide që humbja e veriut, të behej realitet!”, përfundon analisti Gani Qarri për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat