Në pritje të KFOR-it, vjen paralajmërimi: Në rast se ndodh kjo gjë, Kosova hyn në luftë me ushtarët serbë!

Politika

Në pritje të KFOR-it, vjen paralajmërimi: Në rast se ndodh kjo gjë, Kosova hyn në luftë me ushtarët serbë!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 5 janar 2023 Në ora: 21:54
KFOR-i

Situata në veri ka filluar të kthehet në normalitet. 

 Mirëpo, pavarësisht se barrikadat u hoqën, kërkesa e Serbisë për të vendosur ushtrinë e saj në Kosovë është akoma duke u analizuar. 

 Kështu ka thënë KFOR të martën, për mediat vendore. 

  Misioni i NATO-s në Kosovë është akoma duke e shqyrtuar kërkesën e Serbisë, të bërë në dhjetor, pas tensionimit të situatës në veri dhe barrikadimin e rrugëve, me mbështetjen e përfaqësuesve politikë serbë. 

  “Kërkesa e Serbisë në lidhje me vendosjen e trupave të saj është akoma nën ekzaminim”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it. 

  Pak javë më parë, Serbia ia kishte drejtuar zyrtarisht KFOR-it kërkesën, duke u mbështetur në Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara. 

  Sipas Vuçiqit, kjo kërkesë po bëhej për “t’i mbrojtur” serbët e veriut të Kosovës. 

  “Ekzaminimi” i gjatë që misioni i NATO-s në Kosovë ia bëri kërkesës së Serbisë ishte befasi, nëse bazohet në reagimet, para se ajo të bëhej formale. 

  Por që, për një kërkesë të tillë, emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se amerikanët janë kategorikisht kundër. 

  “Ne e kundërshtojmë këtë në mënyrë kategorike. Ne e refuzojmë këtë në mënyrë kategorike. Nuk e mbështesim fare. Dhe, po ashtu, dua të them se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara”, kishte thënë Escobar. 

  KFOR ende nuk ka dhënë një përgjigje përfundimtare dhe nuk dihet se çfarë vendimi do të marrë. 

  Po ashtu, nuk dihet qartë se në varësi të vendimit a rrezikohet rendi kushtetues dhe juridik i shtetit tonë e po ashtu edhe siguria. 

  Shala: Situata juridike në raport KFOR-in, dhe kërkesa serbe ka reflektim faktik në raport të kontekstit të sigurisë në Kosovë 

  Eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një bashkëbisedim me gazetën “Bota sot” komentoi hezitimin e KFOR-it për t'iu përgjigjur shtetit serb për dërgimin e 1000 ushtarëve në Kosovë. 

  Fillimisht, ai tha se kjo çështje padyshim që prek sigurinë e Kosovës. 

  “Situata juridike në raport KFOR dhe kërkesa serbe, ka reflektim faktik në raport të kontekstit të sigurisë në Kosovë”, deklaroi ai. 

  Krahas kësaj, Shala u shpreh se beson që KFOR e ka analizuar paraprakisht këtë kërkesë të Serbisë, në të cilën parashtrohet mundësimi i dërgimit të ushtarëve serbë në Kosovë. 

  “KFOR respektivisht komanda e Europës në Napoli, e NATO-s ka ekzaminuar kërkesën e ardhur nga KFOR për të mundësuar një veprim të tillë që strukturat e sigurisë së shtetit të Serbisë të kthehen në Kosovë për të mundësuar siç thuhet luftimin e krimit dhe mbarëvajtjen dhe garantimin e paqes si anëtare për Partneritet për Paqe që ka ushtria e Serbe më NATO. Ku në këtë periudhë kjo kërkesë ka mbetur në refuzim nga ana e NATO (KFOR)”, theksoi eksperti i sigurisë. 

  Ndër të tjera, ai potencoi se në rast se në të ardhmen ushtria serbe pranohet në NATO, atëherë do të shkaktonte presion në marrëdhëniet Kosovë-Serbi. 

  “Por që në të ardhmen mbetet diskutabile nëse ushtria serbe do të pranohet në kuadër të NATO-s, atëherë do t’i lejohet një veprim i tillë që për ne do të shkaktojë presion të jashtëzakonshëm në raport Kosovë/Serbi”, përfundoi Drizan Shala për “Bota sot”. 

Image
Drizan Shala

  Burjani: Përgjigjja politike dihet, pra është jo, ushtarake prap është jo 

  Ndërsa, juristi Blerim Burjani në prononcimin e tij për “Bota sot” tha  se KFOR mund as të mos i përgjigjet fare Serbisë, pasi nuk është partnere e NATO-s. 

  Ai beson se edhe në rast se KFOR vendos t’i përgjigjet Serbisë, atëherë përgjigja do jetë negative, ‘jo’. 

  “KFOR mundet edhe fare të mos përgjigjet në këtë kërkesë, pasi që nuk ka obligim të merret me një ushtri tjetër që nuk është partnere e NATO-s, po ashtu edhe po të jepte përgjigje, ajo do të jetë negative”, deklaroi juristi. 

Image
Blerim Burjani

 Aprovimin e kësaj kërkese, Burjani e sheh si diçka të pamundur, pasi në këtë mënyrë Kosova do hynte në luftë me ushtarët serbë. 

  “Po të hyjë brenda kjo forcë, Kosova hynë në luftë me trupat serbë, un mendoj se ky është budallallëk vetëm me mendua e lërë të bëhet ralitet, këtë e dinë të gjithë”, nënvizoi ai. 

  Në fund, juristi tha se “s’ka më gjë prej kësaj pune”, duke aluduar se përgjigjja e politike dhe ushtarake ndaj kërkesës së shtetit serb, do të jetë “jo”. 

  Përgjigjja politike dihet, pra është jo, ushtarake prapë është jo, vendimmarrja nuk është ushtarake siç mendon Serbia, në rezolutën 1244  flitet që të ndihmohet KFOR, tash s’ka më gjë prej kësaj pune”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat